Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Libia ndodhet në Afrikën Veriore, dhe shtrihet në brigjet e Detit Mesdhe. Ajo kufizohet me Algjerinë, Çadin, Egjiptin, Nigerinë, Sudanin, Tunizinë. Sipërfaqja: 1.759.540 km2; Popullsia 6.992.700 banorë. Përbërja etnike: arabë e berberë 97%, të tjerë 3%; Fetë: 97% të besimit islam, 2,7 % të krishterë.

Në gusht 2011, forcat anti-Kadafi morën kryeqytetin, Tripoli. Në mes të shtatorit, Asambleja e Përgjithshmee OKB-së votoi për të njohur Këshillin Kombëtar Tranzitor (NTC) si organ legjitim i përkohshëm qeverisës në Libi. Më 23 tetor 2011, TNC deklaroi zyrtarisht çlirimin e vendit dhe vdekjen e Kadafit. Në plan të parë për Qeverinë e Tranzicionit ishte drejtimi i vendit drejt zgjedhjeve, formimi i një kushtetute, dhe një qeverie të re. Përpjekjet e NTC-së për të vendosur rendin në vend nuk patën sukses. Mbas zgjedhjeve të mbajtura në korrik 2012 qeveria tranzitore ja dorëzoi pushtetin Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar (GNC), i cili dominohej nga islamikët. Keta te fundit pësuan humbje të thellë në zgjedhjet e qershorit 2014 qe u fituan nga kandidatët liberalë e sekularë. Fituesit formuan parlamentin e ri të quajtur Dhoma e Përfaqësuesve, por anëtarët e GNC-së nuk e njohën humbjen e tyre dhe nuk pranuan të dorëzojnë pushtetin. Dhoma e Përfaqësuesve u cvendos në Tobruk dhe Libia filloi të qeverisej nga dy qeveri njëra në Tripoli e tjetra në lindje, në Tobruk, e drejtuar nga Gjenerali Haftar. Vendi u përfshi në një luftë civile.

Në dhjetor 2015, me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar u arrit marrëveshja e Skiratit (Marok), që parashikonte krijimin e një Qeverie të Marrëveshjes Kombëtare. Qeveria, e cila u vendos në Tripoli, në mars 2016. Në prill të vitit 2019 gjenerali Haftar filloi një fushatë ushtarake për marrjen e Tripolit. Në janar 2020, nën kujdesin e Gjermanisë, u mbajt Konferenca e Berlinit për Libinë, që përcaktoi drejtimet kryesore të politikës së komunitetit ndërkombëtar për arritjen e paqes në Libi. Pas shume bisedimeve midis palëve kryesore në konflikt, si dhe bisedimeve në kuadrin e Forumit të Dialogut Politik Libian, që filluan në shtator 2020 në Marok dhe vazhduan për disa muaj, nën kujdesin e OKB-së, u arrit, në 23 tetor 2020, marrëveshja e armëpushimit midis palëve, qe vijoi me krijimin e një qeveri e përkohshme te Unitetit Kombëtar qe do të drejtonte vendin deri në dhjetor 2021, kur të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme, te cilat u shtyne. Ne mars 2022, parlamenti, I cili ndodhet në zonën lindore të Libisë, në Tobruk miratoi krijimin e një qeverie të re. Nnderkohe që qeveria e përkohshme, që gezon mbështetje ndërkombëtare, vazhdon të ushtrojë funksionet e saj në Tripoli. Kjo situate rrezikon të cojë përsëri në një ndarje lindje-perëndim të vendit dhe të rindezë konfliktin e armatosur. OKB, BE dhe komuniteti ndërkombëtar, të shqetësuara nga kjo situate, po përpiqen t’i fusin palët përsëri në rrugën e dialogut politik, për të gjetur një zgjidhje të pranuar nga të gjithe.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Libisë janë vendosur në  5 maj 1970. Duke qenë se të dy vendet ishin pjesë e Bllokut ish Komunist, ato kanë pasur marrëdhënie të mira midis tyre. Në 27 maj 1980 u nënshkrua, në Tripoli, Marrëveshja për Bashkëpunimin Tregtar.

Në fillim të viteve ’90, Libia hapi përfaqësinë e vet në Tiranë, dhe u përfaqësua në nivel Ambasadori. Edhe Shqipëria ka akredituar, gjithmonë, një ambasador jorezident në Tripoli.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet konsideroheshin të mira, por janë zhvilluar ngadalë. Gjatë periudhës 1992- 2009, pala libiane ka dëshmuar gatishmërinë e saj për një bashkëpunim ekonomik më të zgjeruar me Shqipërinë, si në fushën politike dhe atë ekonomike.

Në 8-9 mars 2008, Ministri i Punëve të Jashtme i Shqiperise zhvilloi, një vizitë zyrtare në Libi, në krye të një delegacioni, me pjesëmarrje edhe të një grupi biznesmenësh. Gjatë kësaj vizite u zhvilluan konsultime dypalëshe midis MPJ të dy vendeve si dhe takime midis dhomave të tregtisë të dy vendeve. Një muaj më pas, në prill 2008, në vazhdim të vizitës në Tripoli, një delegacion libian zhvilloi një vizitë në Tiranë, gjatë së cilës, u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme dhe u zhvilluan takime midis përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë të dy vendeve. Në mars 2007 pala libiane vendosi mbylljen e Përfaqësisë së saj në Tiranë, por e rihapi atë në tetor 2007. Janë zhvilluar disa vizita të zyrtarëve shqiptarë e libianë, në nivel më të ulët, në Tripoli e Tiranë, gjatë kësaj periudhe, si dhe janë nënëshkruar disa marrëveshje midis dy vendeve.

Pas rrëzimit të Gadafit dhe krijimit të qeverisë së re libiane u bënë përpjekje për riaktivizimin e marrëdhënieve dypalshe me Libinë. Në shkurt të vitit 2012, Ministri i Jashtëm zhvilloi një vizitë në Libi. Por me destabilizimin e situatës politike në Libi, sidomos pas vitit 2014, kur vendi u përfshi në një luftë të re civile, nuk ka patur zhvillime në marrëdhëniet tona dypalshe.