Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Eshtë një vend në Evropën Lindore. Kryeqyteti i vendit dhe qyteti më i madh është Kievi. Gjuha zyrtare dhe kombëtare është ukrainishtja. Ukraina rifitoi pavarësinë e saj në 24 gusht 1991 me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Që nga pavarësia e saj, Ukraina është qeverisur si një republikë unitare nën një sistem gjysmë-presidencial. Popullsia: 47 732 079.

Marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën janë vendosur më 13.01.1993.  Marrëdhëniet politike mes dy vendeve vlerësohen shumë të mira dhe miqësore, me interes të përbashkët për zhvillim të mëtejshëm.

Që me aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë, Shqipëria mbajti qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në një linjë me qëndrimin e BE dhe SHBA. Shqipëria i është bashkuar që në momentin e parë vendimit të Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Federates Ruse. Me agresionin e Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Shqipëria ka dënuar menjëherë sulmet e Rusisë, ka aplikuar sanskionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe, si bashkëpenmbajtëse e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka qenë në plan të parë krahas vendeve partnere, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, etj, në dënimin e shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga një vend anëtar i përhershëm i KS (Rusia), duke sulmuar dhe mos njohur sovranitetin e Ukrainës si shtet i pavarur. Gjithashtu, Shqipëria ka votuar pro pezullimit të Rusisë nga KiE, AP e KiE, UNHRC, etj, derisa të ndalojë pushtimi rus i Ukrainës dhe ushtria ruse të largohet nga Ukraina. Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën për “Mbështetjen e Sovranitetit dhe Tërësisë Territoriale të Ukrainës dhe Mbrojtjen e Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Evropiane”.

Shqipëria e konsideron luftën e rezistencës nga Ukraina si një luftë për demokracinë, për vlerat evropiane, sigurinë evropiane dhe për ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës me gjithçka që mundet: me mjete politike, diplomatike dhe ekonomike, si dhe  vullnetin për t’u  bashkuar me përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës sa më shpejt, që t’i jepet mundësia, në bashkëpunim me vendet fqinje.  Qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë për Planin 10-Pikësh të Paqes, si e vetmja mënyrë realiste për të rivendosur paqen e drejtë dhe afatgjatë në Ukrainë dhe mbetet përkrahëse aktive e të gjitha nismave të marra për përgjegjësi të plotë për krimet e rënda të kryera në Ukrainë dhe hetimin e të gjitha shkeljeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Shqipëria i ka shprehur zyrtarisht vullnetin e saj Ukrainës për të qenë pjesë e grupit të punës të vendeve që kontribuojnë në pikën 5 të Planit të Paqes: Zbatimi i Kartës së OKB-së dhe rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe rendit botëror.

Samiti i suksesshëm i mbajtur në Tiranë më 28 shkurt 2024, konfirmoi angazhimin dhe rolin e veçantë të Shqipërisë në mbështetjen e Ukrainës.