Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Konfederata Zvicerane përbëhet nga 26 kantone dhe kryeqyteti është Berna. Popullsia: 8.549.474 banorë. Sipërfaqja: 41,285 km2.

Këshilli Federal Zviceran e njohu shtetin e ri shqiptar në 1 mars të 1922. Në 1929 është nënshkruar marrëveshja e parë tregtare ndërsa në 1935 në Bernë u hap konsullata e parë shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 1 korrik 1970. Misioni i parë diplomatik zviceran në Tiranë u hap në 1991, ndërsa në 1992 u hap ambasada zvicerane. Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur duke u intensifikuar vazhdimisht.

Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar dhe një vend prioritar sa i përket bashkëpunimit për zhvillim. Të dy vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.

Marrëdhëniet dypalëshe fokusohen në bashkëpunimin për zhvillim, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore. Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë shumë ngushtë në çështje të ndryshme të natyrës bilaterale apo ndërkombëtare.

Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qenë i shpeshtë, gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilaterale.

Të dy vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politiko-diplomatike, të cilat zhvillohen në mënyrë të alternuar në Bernë e Tiranë. Po ashtu, Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku ato janë anëtare.

Marrëdhëniet ndërmjet Parlamenteve të të dy vendeve po ashtu kanë qenë të shpeshta dhe intensive, duke përfshirë edhe shkëmbimin e vizitave të nivelit më të lartë parlamentar.

Kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës është i shumëllojshëm. Kemi marrëveshje mes dy vendeve në fusha si tregtia, transportet, ekonomia, doganat, çështje konsullore, legale, sigurinë, energjinë, bujqësinë, etj.