Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është autoriteti drejtues dhe koordinues mbi shëndetin ndërkombëtar brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe mbart vlerat e Kombeve të Bashkuara të integritetit, profesionalizmit dhe respektimit të diversitetit. Kushtetuta u miratua në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit të mbajtur në Nju Jork, në datat 19 qershor – 22 korrik 1946, u nënshkrua më 22 korrik 1946 nga përfaqësuesit e 61 shteteve dhe hyri në fuqi më 7 prill 1948, një datë që festohet çdo vit si Dita Botërore e Shëndetit. Për më tepër, vlerat e fuqisë punëtore të OBSH pasqyrojnë parimet e të drejtave të njeriut, universalitetin dhe barazinë e vendosur në Kushtetutën e OBSH si dhe standardet etike të Organizatës. OBSH po punon me 150 zyra në vendet anëtare, në 6 zyra rajonale dhe në selinë qendrore në Gjenevë.

Zyra e vendore e OBSH-së u krijua në Tiranë në 1991 dhe mbështet Qeverinë e Shqipërisë për të formësuar politikat e saj shëndetësore në përputhje me parimet dhe vlerat e OBSH-së dhe si dhe mbron një qasje të integruar të zhvillimit shëndetësor. Me anë të një përfaqësimi të vetëm, të unifikuar dhe të integruar funksionalisht OBSH lehtëson zbatimin e Marrëveshjes Bashkëpunuese Bienale (BCA) me Qeverinë e Shqipërisë dhe planin e saj korrespondues të punës. Zyra vendore e OBSH-së në Shqipëri siguron udhëheqjen në shëndetësi, koordinon partneritetin në shëndetësi dhe të gjitha aktivitetet e lidhura me shëndetin me të gjithë aktorët e interesuar në sektorin shëndetësor.

Shqipëria është një nga bashkë-sponsorizuesit e rezolutës “Përgjigje ndaj pandemisë së COVID-19″ që u miratua me konsensus në Asamblenë e 73të Botërore të Shëndetësisë, e para ndonjëherë që u mbajt virtualisht më 19 maj 2020. Shqipëria është ndër vendet e angazhuara me “Covax Facility” shtyllën e vaksinave të ACT, e cila është e vetmja nismë globale që po punon me qeveritë dhe prodhuesit për të siguruar që vaksinat e COVID-19 të jenë në dispozicion në të gjithë botën si për vendet me të ardhura më të larta ashtu edhe për vendet me të ardhura më të ulta.

Më 20.11.2020, në një vizitë në Shqipëri, Dr. Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Znj.Ogerta Manastirliu, nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi dyvjeçare (BCA), ku përcaktohen zonat ku OBSH dhe qeveria shqiptare mund të bëjnë përpjekje për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë. Kjo marrëveshje përfshin: mbulimin e shërbimeve shëndetësore, shëndetin e nënës, fëmijës dhe riprodhimit, trajtimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, financimin shëndetësor, dhe gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, përfshirë Covid-19. Institucioni përgjegjës për bashkëpunimin me organizatën është Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.