Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës më 13 korrik 1995.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dërgoi për herë të parë vëzhgues në Shqipëri në zgjedhjet e pranverës së vitit 1991, të cilat shënojnë fillimin e demokracisë parlamentare pluraliste në vend. Në vijim të konkluzioneve të misionit vëzhgues, si dhe të zhvillimeve të mëvonshme politike, Parlamentit shqiptar iu dha statusi i “të ftuarit të veçantë” në KiE, më 25 nëntor 1991.

Nga prilli i vitit 1991 deri në shtator të vitit 1993 u ndërtua kuadri ligjor për zhvillimin e demokracisë me anë të tetë ligjeve të një karakteri kushtetues, të cilat përmbanin dhe një listë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë. Këto ligje siguruan ndërtimin e një republike parlamentare dhe ndarjen e pushteteve.

Më 4 maj 1992, Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Me anë të Rezolutës (92)9, të datës 21 maj 1992, Komiteti i Ministrave të KiE-së i kërkoi Asamblesë Parlamentare të jepte një opinion në përputhje me Rezolutën e Statutit (51) 30 A.

Nga maji 1992, Komitetet e Asamblesë dhe raportuesit e tyre zhvilluan disa vizita të njëpasnjëshme në vend.

Në janar 1993 filloi zbatimi i një programi bashkëpunimi, i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, në fushat e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Programi trajtoi midis të tjerash përgatitjen e gjyqtarëve, avokatëve, policisë, reformën në prokurori, në sistemin gjyqësor, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në burgje; hartimin e Kodit Civil dhe Penal dhe kodet e procedurave përkatëse.

Asambleja vlerësoi se Shqipëria ishte në gjendje dhe e gatshme të përmbushë kushtet për anëtarësi në Këshillin e Evropës, sipas përcaktimit të nenit 3: “Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe parimin se çdo person nën juridiksionin e tij, gëzon të njëjtat të drejta njerëzore dhe liri themelore, dhe të bashkëpunojë sinqerisht dhe efektivisht për realizimin e qëllimeve të tij”.

Duke nënkuptuar se Shqipëria i interpreton njëlloj me të angazhimet që ka marrë, siç përcaktohen në paragrafët 13 dhe 16 të Statutit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu një Opinion të favorshëm (Opinioni nr. 189, 1995), për pranimin e kërkesës për anëtarësim nga ana e Shqipërisë.

Te trembëdhjetë pikat e Opinionit 189 (1995) të Asamblesë Parlamentare përbëjnë bazën e detyrimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar në kuadër të anëtarësimit në KiE. Deri më sot, Shqipëria ka përmbushur pothuajse të gjitha këto angazhime dhe pas vendimit pozitiv që u morr në dt 6 mars 2024 nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë pritet që në prill 2024 të dalë nga monitorimi i Asamblesë Parlamentare, në fazën e dialogut post-monitorim.

Shqipëria ka ndërmarrë një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë, miratoi në 2017 një ligj gjithëpërfshirës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ka forcuar luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave – për çka është vlerësuar pozitivisht nga MONEYVAL, i cili në tetor 2023 mori vendim për nxjerrjen e Shqipërisë nga vendet e listës gri. Shqipëria ka përmbushur shumicën e rekomandimeve të mekanizmave të ndryshëm monitorues të Këshillit të Evropës.

Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar 93 nga traktatet e Këshillit të Evropës.

Kryesimi nga Shqipëria i Komitetit të Ministrave (23 maj-9 nëntor 2012)

Në periudhën 23 maj – 9 nëntor 2012, Republika e Shqipërisë kryesoi Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për herë të parë, që prej anëtarësimit të saj. Për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të organizatës, Kryesia shqiptare u përqendrua në këto prioritete:

Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme; 2. Forcimi i demokracisë në nivel lokal dhe rajonal; 3. Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë; 4. Vazhdimi i reformës politike të organizatës; 5. Garantimi i funksionimit afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; 6. Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare.

Bashkëpunimi Shqipëri – KiE

Dokumenti Programatik i Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës ka qenë një instrument strategjik dhe sektorial që parashikonte një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor dhe synonte të mbështeste vendin në përmbushjen e detyrimeve të tij në përputhje me standardet evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Fushat kryesore në dokument përfshijnë prioritetet politike të vendit (duke përfshirë kriteret për anëtarësim në BE), standardet dhe rekomandimet e organeve monitoruese të KiE-së, si dhe përvojën e mëparshme të zbatimit të programeve të bashkëpunimit midis KiE-së dhe Shqipërisë.

Dokumenti i Bashkëpunimit mbështetej në këto fusha veprimi:

Drejtësia;
Lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar;
Liria e shprehjes dhe shoqëria e informacionit;
Anti-diskriminimi, respektimi i të drejtave të njeriut dhe përfshirja sociale;
Qeverisja demokratike dhe pjesëmarrja.
Dokumenti i parë i Bashkëpunimit mbuloi periudhën 2012-2014 dhe i dyti periudhën 2015-2017.

Aktualisht, Shqipëria vijon bashkëpunimin me KiE-në bazë të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një nismë bashkëpunimi e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Evropën Juglindore. Masat në kuadrin e HF financohen kryesisht nga BE-ja (85%) dhe bashkë-financohen (15%) dhe zbatohen nga Këshilli i Evropës.

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nëpërmjet HF ndihmojnë vendet përfituese në Evropën Juglindore në përmbushjen e standardeve të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit, duke mbuluar katër fusha: sigurimin e drejtësisë, luftën kundër krimit ekonomik, luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të cenueshme, liria e shprehjes dhe media.

Faza e parë (2016-2019) Shqipëria ka përfituar në shtatë projekte specifike me një buxhet prej 4.75 milionë eurosh, në fushën e drejtësisë, shërbimeve gjyqësore, sistemit penitenciar, luftës kundër krimit ekonomik, arsimit, antidiskriminimit, grupeve vulnerabël, të drejtave të pakicave kombëtare.

Faza e dytë e HF (2019-2022), Shqipëria përfitoi një buxhet nga 25 milionë euro në 41 milionë euro, me qëllim mbështetjen e reformave në katër fusha: Sigurimi i drejtësisë; Lufta kundër korrupsionit; Antidiskriminimi dhe të drejtat e njeriut; Liria e shprehjes dhe e medias.

Faza e tretë e Programit HF (2023 – 2026), veprimet e mëposhtme do të zbatohen në katër fushat tematike të programit dhe do të plotësohen me veprime rajonale:

Tema I: Forcimi i Drejtësisë

Forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV) – 859,000 €
Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri (D-REX III) – 900,000 €
Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Shqipëri – 850,000 €
Veprimet rajonale:

Drejt një vlerësimi më të mirë të rezultateve të përpjekjeve për reformën gjyqësore në Ballkanin Perëndimor – Faza II “Paneli i Ballkanit Perëndimor II” – 1,404,000 €
Rritja e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit – 1,650,000 €

Tema II: Lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave

Veprimi kundër krimit ekonomik në Shqipëri: Forcimi i kapaciteteve të institucioneve shqiptare në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar – 895,000 €
Veprimet rajonale:

Aksioni kundër krimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor – 650,000 €

Tema III – Promovimi i antidiskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve vulnerabël

Avancimi i mbrojtjes kundër diskriminimit në Shqipëri – 850,000 €
Veprimet rajonale:

Promovimi i barazisë dhe lufta kundër racizmit dhe intolerancës në Ballkanin Perëndimor – 700,000 €
Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor (WAJ) – 1,000,000 €

Tema IV – Promovimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias

Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri (PRO-FREX-A) – 465,000 €

Për më shumë informacion vizitoni:

https://www.coe.int/sq/web/about-us/who-we-are

https://www.coe.int/en/web/portal/albania

https://pjp-eu.coe.int/en/web/horizontal-facility