Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE- në atë kohë CSCE) gjatë procesit të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991).

Akti Përfundimtar i Helsinkit u nënshkrua nga autoritetet shqiptare më 16 shtator 1991, pasuar nga nënshkrimi i Kartës së Parisit për një Evropë të Re, më 17 shtator 1991. Ky moment shënoi një ndryshim thelbësor në rrjedhën e politikës së jashtme shqiptare, që do të çlironte Shqipërinë nga izolimi ndërkombëtar dhe do ta sillte më pranë bashkësisë Euro-Atlantike, duke ndarë parimet dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Aderimi i Shqipërisë në OSBE u shoqërua me reforma të thella ligjore në lidhje me të drejtat e njeriut. Rrethanat që i mundësuan Shqipërisë hyrjen në OSBE, përfshinin lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste dhe miratimin e Paketës së Përkohshme Kushtetuese, më 29 prill 1991. Kjo Paketë përfshinte dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Në 1997, Këshilli i Përhershëm vendosi, me kërkesën e Qeverisë shqiptare, të dërgojë një Prani të OSBE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në kapërcimin e krizave politike dhe për ta shpënë vendin në zgjedhje të përgjithshme, në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Kryesia Daneze, përmes të Dërguarit të saj të Posaçëm, ish-kancelari austriak, Dr.Franz Vranitzky, ndërmjetësoi zgjidhjen e krizës politike dhe mundësoi hapjen e një Pranie të OSBE-së në Shqipëri. Në një fazë të dytë, kjo Prani u ri-përcaktua me një mandat të zgjeruar, për të përfshirë kqyrjen e kufijve veri-lindorë të vendit.

Më vonë, në vitin 2003, u ra dakord për rishikimin e mandatit që vijon, në mënyrë që të pasqyroheshin më mirë zhvillimet dhe përparimi i vendit.

Sot, Prania e OSBE-së në Shqipëri mbështet reformat ligjore, gjyqësore, administrative dhe ndihmon autoritetet shqiptare në ndërtimin e kapaciteteve parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mire, fuqizimin e shoqërisë civile, forcimin e lirisë se medias etj.

Roli gjithnjë në rritje i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë ka ndikuar në ndryshimin thelbësor të marrëdhënieve me OSBE-në. Shqipëria nuk është më një konsumator i ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe forcimin e rolit të Organizatës në arkitekturën evropiane të sigurisë.

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi me OSBE-në, në atë të partneritetit për arritjen e përparësive kombëtare të vendit, në përputhje me aspiratat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Angazhimi më i rëndësishëm i Shqipërisë në kuadër të OSBE-së është Kryesia e Radhës e Organizatës, gjatë 2020. Ndonëse Kryesia shqiptare e OSBE-së u përball me sfida të paparashikueshme, mes tyre dhe pandeminë e Covid-19, ajo rezultoi si një nga Kryesitë më të suksesshme, sa i përket vendimmarrjes dhe ruajtjes së funksionalitetit të organizatës.

Kështu, takimi i Këshillit Ministror që u mbajt në Tiranë, më 3-4 dhjetor 2020 prodhoi dokumente të pasura në numër dhe substancë: njëmbëdhjetë në tërësi dhe në të gjitha përmasat. Më e rëndësishmja e këtij Ministeriali ishte se 57 Shtetet pjesëmarrëse ranë dakord mbi caktimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm dhe drejtuesve të 4 institucioneve të OSBE.

Anëtarësimi dhe kontributi i Shqipërisë në OSBE ka pasur dhe vijon të ketë në fokus mbrojtjen dhe avancimin e interesave të vendit tonë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, ku Shqipëria është e anëtarësuar.

Një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2023 ka pasur harmonizimi i arritjeve të Kryesisë sonë të OSBE-së në 2020 me qëndrimet e mbajtura dhe objektivat tona si vend anëtar jo i përhershëm i KSOKB-së përgjatë 2022-2023.

Në këtë kuadër, kontributi i vendit tonë mbetet thelbësor sa i përket:

  • Luftës në Ukrainë;
  • Arritjes së konsensusit për Kryesinë e ardhshme të OSBE-së dhe 4 posteve kryesore drejtuese të organizatës;
  • Rritjes së sensibilizimit sa i përket situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës;
  • Bashkimit me deklaratat, si edhe bashkësponsorizimit të rezolutave të BE-së, në përputhje me një nga objektivat kryesore të politikës sonë të jashtme për t’u linjëzuar 100% me qëndrimet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit;
  • Përfaqësimit të vendit tonë në panele e veprimtari të ndryshme të OSBE-së.