Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe ndërkombëtare / ndërqeveritare në botë, me qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe sigurisë, zhvillimin e marrëdhënieve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet kombeve, për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare ekonomike, sociale, kulturore ose humanitare, që siguron një forum ku vendet mblidhen për të përmbushur qëllimet dhe synimet e OKB-së. Ajo u themelua menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, më 24 tetor 1945, si një nismë e aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të mundësuar dialogun midis vendeve të botës, për shkak të karakterit të saj unik ndërkombëtar dhe për të ndërmarrë veprime mbi çështjet me të cilat përballet njerëzimi.

Gjatë Luftës së Ftohtë, OKB-ja ka luajtur një rol të madh në reduktimin e konflikteve në një botë të polarizuar. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në botë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare, OKB-ja ka qenë në gjendje të ruajë autoritetin e saj, mes vështirësive. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, nevoja për një OKB më të fortë që përparon dhe shtyn përpara për multilateralizëm është më thelbësore se kurrë. Krizat e ndërlikuara si COVID-19 mund të parandalohen me sukses dhe / ose të adresohen vetëm duke punuar dhe ndërvepruar së bashku, bazuar në rregulla të qarta dhe të pranuara në përgjithësi. Ato kërkojnë një sistem shumëpalësh, të ringjallur e të bazuar në rregulla universale.

Përkujtimi i 75-vjetorit të OKB-së shënoi një moment unik për të riafirmuar angazhimin e OKB-së ndaj vlerave dhe parimeve të saj.

Padyshim që pranimi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955 përbën një pikë referimi historike. Menjëherë pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria mori pjesë aktive në punën e organeve të OKB-së dhe agjencive të specializuara.

Shqipëria ka misione të përhershme diplomatike në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe zyrat e OKB-së në Gjenevë dhe Vjenë.

Gjatë anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve që lidhen me ruajtjen e paqes dhe forcimit të sigurisë në mbarë botën, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lehtësimin e problemeve ekonomike dhe sociale, promovimin e mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit, forcimit të bashkëpunimin ndërkombëtar dhe promovimin e multilateralizmit.

Shqipëria ka mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së. Ajo merr pjesë në disa operacione paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe duke kontribuar me fonde në buxhetin e operacioneve paqeruajtëse.

Veprimtaria e Shqipërisë në OKB është një element i rëndësishëm i veprimit tonë politik ndërkombëtar dhe shumëpalësh, në partneritet me miqtë dhe aleatët tanë strategjikë. Bashkëpunimi me OKB-në dhe agjencitë e saj ka qenë i gjerë dhe i suksesshëm në shumë fusha.

Shqipëria u zgjodh dy herë anëtare e ECOSOC për periudhën 2005-07 dhe periudhën 2013-15. Gjatë vitit 2013 Shqipëria ka kontribuar edhe në ECOSOC si Zëvendës President i Këshillit Ekonomik dhe Social. Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për ECOSOC për termin 2028-2030, në zgjedhjet që do të zhvillohen në 2027, në 27 nëntor 2023.

Shqipëria është pjesë e vendit pilot “One UN” që po zbaton reformën e Kombeve të Bashkuara. Konferenca ndërkombëtare “Delivering as One”, e mbajtur në Tiranë nga 27-29 qershor 2012, vlerësoi përvojën e Shqipërisë në këtë drejtim.

Që nga janari 2011 Shqipëria është anëtare e Bordit Ekzekutiv të UN-HABITAT.

Shqipëria u zgjodh në prill 2011 në Bordin Ekzekutiv të UNICEF-it për mandatin 2012 – 2014 dhe në Bordin Ekzekutiv të UNEP për periudhën 2012-15.

Shqipëria ka përfunduar një mandat të suksesshëm në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017, ndërkohë që u zgjodh sërish anëtare e KDNJ për periudhën 2024-2026, me 123 vota në votimin e muajit tetor 2023 në Nju Jork. Shqipëria ishte anëtare e Komitetit të Statusit të Gruas (CSW) për periudhën 2016-2019.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike në 22 Prill 2016, e ratifikoi atë më 14 Korrik 2016 dhe depozitoi instrumentin e ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në shtator 2016, duke u bërë një nga 55 shtetet e para që ndërmorën këtë hap. Që prej nëntorit 2016, kjo marrëveshje është në fuqi për Shqipërinë.

Shqipëria është e angazhuar në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Axhenda 2030, dhe është ndër të paktat vende në botë, pjesë e programit pilot të OKB-së, për zbatimin e objektivit 16, i cili ka të bëjë me forcimin e institucioneve demokratike në vend, shteti i së drejtës, zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme tregu dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Shqipëria po punon për të bashkërenduar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm me ato të Integrimit Evropian.

Në qershor 2020, Shqipëria u zgjodh Zëvendës Presidente e Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke marrë kështu edhe një vend në Komitetin e Konferencave për vitin 2021. Shqipëria (Përfaqësues i Përhershëm) nuk ka shërbyer si Zëvendës President i OKB-së që nga Sesioni i 50të i OKB-së në 1995. Kjo është hera e dytë, që Shqipëria merr një vend kaq të rëndësishëm në emër të Grupit të Evropës Lindore.

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit 2022-2023

Në datë 11 qershor 2021, Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, pjesë e Grupit të Evropës Lindore. Shqipëria për herë të parë në historinë e saj pothuajse 70-vjeçare të anëtarësimit në OKB shërbeu në organin më të lartë të sigurisë globale.

Gjatë dy viteve të anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria ka dhënë një kontribut të spikatur duke luajtur një rol aktiv në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në nivel rajonal dhe global. Falë këtij kontributi, Shqipëria ka fituar një respekt të shtuar në arenën ndërkombëtare.

Ky dyvjeçar i mbushur me sfida për sigurinë evropiane pas agresionit rus ndaj Ukrainës të 24 shkurtit 2022, si dhe me sfida madhore humanitare në zonat me konflikte dhe me vendet që janë përballur me sulme hibride të shumta, riafirmoi se politika e jashtme e Shqipërisë është e bazuar në parimet themelore të respektimit të Kartës së OKB-së; transparencës dhe llogari-dhënies; përgjigjes humanitare dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të konflikteve. Fokus kryesor i kësaj pune ka qenë kryesisht rajoni ynë dhe siguria evropiane.

Si bashkë-penëmbajtëse e dosjes së Ukrainës në dy vitet e mandatit të saj, Shqipëria luajti rol kyç në një sërë aksionesh të ndërmarra nga OKB-ja për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës si nga miratimi i Rezolutës 2623 (2022) për Ukrainën dhe një sërë nismash të tjera në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjithashtu, si bashkë-penëmbajtëse e dosjes së të drejtave të njeriut në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (Koreja e Veriut), Shqipëria në partneritet të ngushtë me partnerët tanë strategjikë zhvilluan në gusht 2023 takimin e parë të hapur të Këshillit të Sigurimit, që nga viti 2017, me fokus situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

Shqipëria gjithashtu drejtoi me sukses në një kohë me sfida të mëdha për sistemin multilateral për dy vjet Komitetin e Sanksioneve për Jemenin 2140, si dhe Grupin Informal të Punës për Dokumentimin dhe Çështje të tjera Procedurale, njohur gjerësisht si grupi i përmirësimit të Metodave të Punës së Këshillit të Sigurimit. Aktivitetet e këtij kryesimi u shtrinë nga Nju Jork në Tiranë.

Shqipëria gjithashtu ka luajtur një rol të spikatur në sjelljen e zërit të shoqërisë civile në përmbushjen e objektivave të saj në dobi të forcimit të Agjendës për Paqen, Gratë dhe Sigurinë, si dhe Klimën, Paqen dhe Sigurinë.