Nju Jork – 12 maj 2022 | Këshilli i Sigurimit mbajti mbledhjen e tij për situatën në Ukrainë, me fokus mbrojtjen e fëmijëve.
Përballë pasojave shkatërruese të luftës në Ukrainë, mbrojtja e fëmijëve, përpjekjet humanitare dhe evakuimet e civilëve të bllokuar duhet të vazhdojnë të rriten, nënvizuan zyrtarët e OKB-së gjatë takimit në Këshillin e Sigurimit.
Zëvendës Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), z. Omar Abdi, vuri në pah ndikimin e rëndë të luftës në arsim, ai tha se shkollat janë një mjet shpëtimi për fëmijët në konflikt, dhe nevojitet mbrojtja dhe aksesi në arsim i fëmijëve.
Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme për Çështjet Humanitare dhe Zëvendës Koordinatorja e Ndihmës Emergjente, znj. Joyce Msuya, informoi mbi përpjekjet për të negociuar më shumë pauza humanitare për kalimin e sigurt të civilëve të bllokuar nga luftimet në Ukrainë. Ajo theksoi nevojën për të rritur urgjentisht të gjitha përpjekjet dhe nevojën për mbështetjen finaciare humanitare për të ndihmuar civilët dhe veçanërisht fëmijët në nevojë.
Ambasadori Ferit Hoxha në fjalen e tij theksoi se me intensifikimin e luftës janë rritur edhe përmasat e vuajtjeve njerëzore. Ai dënoi shkatërrimin masiv të objekteve arsimore dhe shëndetësore si dhe ato të infrastrukturës civile. Raportet dhe faktet paraprake ngrenë shqetësime serioze për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ai i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit Special që të shtojnë Ukrainën si “një situatë shqetësuese” në raportin vjetor të vitit 2022 për fëmijët në konflikte të armatosura. Ambasadori Hoxha theksoi domosdoshmërinë për kryerjen e hetimeve dhe sigurimin e llogaridhënies.