Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) u krijua në vitin 1950, pas pasojave të Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar miliona evropianë që kishin ikur ose humbur shtëpitë e tyre. Ndërsa krizat humanitare janë bërë gjithnjë e më komplekse, UNHCR ka zgjeruar numrin dhe llojin e organizatave me të cilat punon. UNHCR gjithashtu është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtësisht me agjencitë e tjera përmes nismës “Delivering as one”, e cila synon të përmirësojë veprimet bashkëpunuese të Kombeve të Bashkuara në fushat e zhvillimit, ndihmës humanitare dhe mjedisit. Për më tepër, UNHCR përqafoi të ashtuquajturën nismën e emergjencave ndaj personave të zhvendosur nga vendbanimet e tyre, në të cilën agjenci të ndryshme marrin drejtimin në fushën e tyre të ekspertizës, ndërkohë punojnë së bashku për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

UNHCR merr drejtimin në mbrojtjen, strehimin, koordinimin dhe menaxhimin e kampeve. UNHCR pranon se përpjekjet për të mbrojtur refugjatët nuk mund të ndiqen në izolim nga tendencat, politikat dhe praktikat më të gjera që formojnë lëvizjen globale dhe gjithashtu pranon se azilkërkuesit, refugjatët dhe personat pa shtetësi – preken drejtpërdrejt nga politikat dhe proceset e migracionit, veçanërisht kur ata përfshihen në lëvizje të përziera.

Prandaj UNHCR përpiqet të angazhohet me çështjet e migracionit që prekin refugjatët dhe personat e tjerët nën mandatin e tij, si azilkërkuesit, personat e zhvendosur brenda vendit dhe njerëzit pa shtetësi. Në rrethana të caktuara, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar UNHCR të kontribuojë me ekspertizë për proceset që kanë të bëjnë me migracionin.

Në Shqipëri UNHCR bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë e Policisë për Azilin dhe Migracionit për të forcuar aksesin ndaj azilit dhe sigurimin e masave mbrojtëse gjatë procedurave të përcaktimit të statusit, veçanërisht qasjen në informacion dhe përfaqësimin ligjor. Qasja në territor dhe azil, lëshimi i dokumentacionit dhe hartimi i një plani kombëtar veprimi për azilin, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së, janë përparësitë e mbrojtjes së zyrës.

UNHCR po mban një prani të shtuar në kufirin jugor, drejtpërdrejt dhe përmes partnerëve, për të forcuar aftësinë e saj në monitorimin e kufijve, promovimin e koordinimit të aktorëve përkatës në nivelin lokal dhe kombëtar dhe përmirësimin e identifikimit dhe referimit të personave me nevoja specifike në kontekstin e mbërritjeve të përziera të migrantëve dhe refugjatëve.

Shqipëria gjatë Forumit Global të Refugjatëve që u zhvillua në Gjenevë në datat 17-18 dhjetor 2019, ka marrë disa zotime si për shembull:

  • lëshimin e ID personale dhe kartave për refugjatët dhe azilkërkuesit, duke lehtësuar qasjen efektive në të drejtat dhe sigurinë personale,
  • shmangien e mospërputhjeve ligjore dhe pengesave administrative që parandalojnë refugjatët dhe azilkërkuesit të aksesojnë në mënyrë efektive të drejtat dhe sigurimin se procedurat e azilit janë të drejta dhe efikase,
  • dhe forcimin e cilësisë së vendimmarrjes së azilit.

Institucioni përgjegjës për bashkëpunimin me organizatën është Ministria e Brendshme.