OHCHR - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 24/12/2021

OHCHR

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) përpiqet të ofrojë ekspertizën dhe mbështetjen më të mirë për mekanizmat e ndryshëm të monitorimit të të drejtave të njeriut në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut është përgjegjësi kryesor i të drejtave të njeriut pranë Kombeve të Bashkuara. Komisioneri i Lartë kryeson OHCHR dhe është organizatori kryesor i përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut është themeluar në vitin 1993.

Aktualisht, Komisionere e Lartë e KB për të Drejtat e Njeriut është Znj. Michelle Bachelet, e cila e mori këtë funksion, më 1 shtator 2018. Ajo është Komisionerja e shtatë në këtë mandat.

OHCHR ndihmon me ekspertizë teknike dhe në zhvillimin e kapaciteteve me qëllim zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në terren. Zyra ndihmon qeveritë, të cilat mbajnë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të përmbushin detyrimet e tyre dhe mbështet individët që kërkojnë të drejtat e tyre. Për më tepër, ajo denoncon në mënyrë objektive shkeljet e të drejtave të njeriut.

OHCHR është pjesë e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, me një staf prej rreth 1300 personash me seli në Gjenevë, si dhe një zyrë në New York. Ajo është gjithashtu e pranishme në terren me zyra të pavarura rajonale dhe kombëtare.

Shqipëria ka një marrëdhënie mjaft të mirë me Zyrën e Komisionerit të Lartë.