Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Çështja e pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka qenë një ndër problemet e rëndësishme të pplitikës së jashtme të shtetit shqiptar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Që në mars 1945 qeveria shqiptare e kohës kishte kërkuar pranë Fuqive të Mëdha, iniciatore të krijimit të OKB, që Shqipëria të konsiderohej si anëtare themeluese e kësaj organizate për hir të pjesëmarrjes së popullit shqiptar në luftën e madhe antifashiste, si pjesë e koalicionit të madh antifashist të popujve. Qeveria e SHBA duke njohur luftën e pabarabartë dhe sakrificat e kontributin e popullit shqiptar në triumfin e kauzës së përbashkët, fitorja kundër fashizmit, i bënë të qartë qeverisë shqiptare se Fuqitë inisiatore të krijimit të kësaj organizate kishin rënë dakort të mos ftoheshin në konferencën e San Franciskos qeveritë që nuk ishin njohur akoma nga ato dhe me të cilat si pasojë nuk ishin vendosur marrëdhënie zyrtare, siç ishte rasti i qeverisë shqiptare.

Në vitin 1946 qeveria shqiptare kërkoi që vendi të pranohej në OKB në kuadrin e dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Komiteti i Pranimeve të Antarëve të Rinj kërkonte informacione shtesë për të shoqëruar aplikimin e qeverisë shqiptare, ndër të tjera mbi zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet me Greqinë, qëndrimin e qeverise komuniste në Tiranë ndaj vlershmërisë së traktateve dhe marrëveshjeve në fuqi të nënshkruara para 7 prillit 1939 midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të OKB, apo informacion zyrtar për zhvillimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe rezultatin e tyre, etj. Përgjigjet e marra nga pala shqiptare në ato vite nuk kënaqnin të gjithë anëtarët e organizatës dhe kështu kërkesa e Shqipërisë për antarësim në OKB rrëzohej. Lidhur me traktatet e marrëveshjet e nënshkruara para 7 prillit 1939, qeveria shiptare pranonte diskutimin e vlershmërisë së tyre por pasi të ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike me shtetet nënshkruese, qëndrim që nuk gjente dakordësi nga Fuqitë e Mëdha bazuar në të drejtën ndërkombëtare për këto raste.

Pas vetos së parë në gusht 1946, SHBA dhe Britania e Madhe, përdoren këtë veto edhe në vitin 1947 dhe 1949 duke akuzuar qeverinë komuniste të kohës se nuk respektonte të drejtat e njeriut në Shqiperi, se kishte ndërhyrë në luftën civile në Greqi duke pritur refugjatë grekë etj. Situatën e rëndoi edhe Incidenti i Kanalit të Korfuzit, apo prishja e marrëdhënieve me Jugosllavine e Titos 1948, e cila e kishte mbështetur në fillim kërkesën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare e përsëriti përsëri kërkesën e saj për pranim në OKB edhe në vitin 1948, në vitin 1952 dhe në vitin 1954. Në këtë të fundit, MPJ Behar Shtylla që ishte edhe Observator Permanent i Shqipërisë pranë OKB, ndër të tjera shprehej se qeveria shqiptare pranonte pa asnjë rezervë të gjitha detyrimet që rridhnin nga Karta e OKB dhe se ishte e gatshme ti plotësonte ato. Kërkesa përfundonte me deklaratën se …”vendimi për pranimin e Shqipërisë në OKB do të ishte në pajtim të plotë me parimet e larta të Kartës dhe me vullnetin e popujve që Kombet e Bashkuara të jenë një qendër ndërkombëtare ku te bashkohen dhe të bashkëpunojnë të gjitha shtetet e lira dhe sovrane, pavarësisht nga sistemet e tyre politike e shoqërore.” (V.1954, D.195).

Tashmë shteti shqiptar kishte zgjeruar numrin e shteteve me të cilat kishte vendosur marrëdhënie diplomatike, ishte forcuar miqësia me Bashkimin Sovjetik, anëtar i Këshillit të Sigurimit, i cili mbështeste fuqishëm kërkesën e qeverise shqiptare si anëtare e Bllokut Lindor, po bëheshin përpjekie për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë, Shqipëria ishte bërë pjesë në disa konventa ndërkombëtare apo organizata ndërkombëtare, ndër to edhe në organizata të specializuara të OKB si UNRRA etj.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në mbledhjen e saj plenare të mbajtur me 14 dhjetor 1955, duke vepruar në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, mori në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë dhe vendosi ta pranonte atë si anëtare të Kombeve të Bashkuara së bashku me 15 shtete të tjera. Ky zgjerim i organizatës me 16 anëtarë të rinj ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të parimit të universalitetit të OKB, forconte autoritetin e saj dhe kontribuonte në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Me 15 dhjetor u njioftua zyrtarisht qeveria shqiptare për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe tre ditë më vonë qeveria shqiptare njoftoi për caktimin e delegacionit të saj zyrtar në sesionin e dhjetë të Asamblesë së Përgjithshme.

Që nga ajo kohë Shqipëria ka gëzuar pa ndërprerje statusin e shtetit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka dhënë kontribut të vazhdueshem në të mirë të paqes, mirëkuptimit dhe zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare me mjete paqësore.

OKB dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri para ndryshimeve demokratike të viteve ’90-të

Prania e Shqipërisë komuniste në OKB, do të shfrytëzohej nga organet e saj politike si Komisioni i të Drejtave të Njeriu (deri në vitin 2006 e më pas Këshilli i të Drejtave të Njeriut), me seli në Gjenevë, organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut kryesuar nga Amnesty International që kishte marrëdhënie konsultative me Kombet e Bashkuara (ECOSOC), apo edhe emigracioni politik shqiptar, për t’i bërë apel dhe presion qeverisë shqiptare, për ndaljen e persekutimeve politike dhe mohimit të të drejtave bazë të njeriut në Shqipëri. Kjo fushatë mori më tepër zë në fillim të viteve 80-të, kur Shqipëria nuk mori pjesë as në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, Helsinki, 1978. Pranë KDNJ-së filluan të depozitohen kërkesë-ankesat e para të organizatave politike shqiptare në mërgim në Evropë, për mohim të të drejtave civile, politike, sociale, ekonomike, kulturore e fetare në Shqipëri, dhe kërkohej ndërhyrja e menjëhershme e OKB-së, siç ishte bërë në vendet e tjera, për të ushtruar presion mbi qeverinë shqiptare për marrjen e masave që ndalonin mohimin e të drejtave humane dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri, të formuluara në Kartën e OKB-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ku Shqipëria, si anëtare e OKB-së, ishte firmëtare.

Të tilla kërkesa, KDNJ nuk i kaloi në heshtje, por sipas rezolutave të ECOSOC ia komunikonte zyrtarisht qeverisë shqiptare, e cila ose nuk u përgjigjej, ose i mohonte si pretendime të pavërteta dhe i konsideronte si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Pas vdekjes së diktatorit Hoxha, presioni mbi qeverinë shqiptare u intensifikua. Përveç të tjerave, në dhjetor 1985, në selinë e ambasadës italiane në Tiranë kishin kërkuar për herë të parë azil politik 6 anëtarë të familjes Popa, të përndjekur politikisht nga regjimi. Në qershor 1986, KDNJ mori vendim që të apelonte edhe njëherë qeverinë shqiptare, që të shtrinte bashkëpunimin e saj me Komisionin në zbatim të rezolutës nr.1503 të ECOSOC, e cila kërkonte mbajtjen e Shqipërisë nën vëzhgim për situatën e të drejtave të njeriut në vend, duke e furnizuar Komisionin me observacione të shkruara, ndërkohë që Komisioni do të ruante konfidencialitetin e raportimeve të qeverisë shqiptare. KDNJ i kërkonte qeverisë shqiptare që të pranonte ftesën e tij për t’u përfaqësuar në takimet e mbyllura të Komisionit për këto çështje, ku merrnin pjesë edhe dëshmitarë nga grupet apo organizatat që ngrinin akuzat ndaj saj. Ata filluan të përdorin termin “të burgosur të ndërgjegjes” për të dënuarit shqiptarë për shprehjen e lirë të fjalës, mendimit e besimit dhe kërkonin investigim nga qeveria shqiptare për kushtet në kampet e punës së detyruar. Për herë të parë, në 1986, ky vendim u hodh në votim. Votuan 28 shtete anëtare pro, 2 kundër dhe 11 abstenime.

Që nga ai vit, vendimet e KDNJ-së dhe ECOSOC-ut për situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri filluan të votoheshin. Qeveria shqiptare vazhdonte të tregonte mungesë bashkëpunimi me Komisionin e të Drejtave të Njeriut, duke e konsideruar çështjen një problem të brendshëm dhe përpiqej të lobonte tek anëtarët e KDNJ për mosmiratimin e vendimeve të atij Komisioni për Shqipërinë.

Në 1989, në sesionin e 45-të të KDNJ-së u rishqyrtua çështja dhe Shqipëria u këshillua që të merrte pjesë të paktën si vëzhguese në takimet e Komisionit. Në mungesë të pjesëmarrjes së saj për t’u përballur me akuzat, qeveria komuniste shpërndau materiale zyrtare tek anëtarët e KDNJ-së për situatën e të drejtave të shtetasve në Shqipëri, duke mohuar çdo akuzë të bërë. Në këtë sesion përveç përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave, foli edhe ambasadori i SHBA-ve në OKB, Ministri i Jashtëm i Spanjës në emër të Komunitetit Evropian, përfaqësuesi i Suedisë, RFGJ-së, Portugalisë dhe Belgjikës. Grupi Perëndimor doli me një projekt-rezolutë për Shqipërinë, të prezantuar nga Portugalia. Projekt-rezoluta akuzonte Shqipërinë për mosbashkëpunim, në kundërshtim me detyrimet që rridhnin nga Karta e OKB-së. Ajo u miratua dhe për herë të parë u bë publike bashkë me materialet nga organizmat ankues, si Amnesty International. Bërja publike e Rezolutës, bëri që edhe vendet e tjera anëtare në KDNJ, që kishin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë të rrisnin presionin e tyre mbi qeverinë shqiptare duke e paralajmëruar që një situatë e tillë do të ndikonte në cilësinë e marrëdhënieve të ty re me Shqipërinë.

Me ftesë të qeverisë shqiptare, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Havier Peres De Kuelar, vizitoi Tiranën zyrtare më 11-13 maj 1990. Aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë reaguan që kjo vizitë të mos realizohej, për shkak të situatës së rëndë të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në mars 1990, KDNJ miratoi një rezolutë mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Në këtë rezolutë mbahej shënim që gjetjet e saj, të mbaheshin parasysh gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm në Tiranë.

Gjatë takimit me udhëheqjen komuniste në Tirane, De Kuelar adresoi rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri të evidentuara në rezolutën e KDNJ-së, duke kërkuar një qëndrim të drejtë nga qeveria shqiptare në përputhje me Deklaratën Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ai propozoi aderimin e Shqipërisë në Konventën e të Drejtave të Njeriut.

Situata e këtij raporti të Shqipërisë me KDNJ do të ndryshonte me ndryshimet politike në Shqipëri dhe fillimin e demokratizimit të saj. Pas shumë përpjekjeve dhe reformave demokratike të kryera ndër vite, më 21 tetor 2014 Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017 dhe Zëvendës-Presidente e Byrosë së tij për vitin 2015.