Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Mbështetur në prioritetet e politikës së saj të jashtme, Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Shqipëria është një aktor proaktiv dhe inkurajues për sa i përket bashkëpunimit në organizatat rajonale. Bashkëpunimi brenda nismave apo organizatave rajonale përbën një element thelbësor në procesin e integrimit në BE. Integrimi ekonomik rajonal, forcimi i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të rajonit, materializohen edhe nëpërmjet kontributeve në organizatat rajonale.

Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të moderuar dhe konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, duke vënë një theks të veçantë në parimin e gjithë përfshirjes. Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Republika e Shqipërisë ka mbështetur e do të mbështesë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale.

Shqipëria është një pjesëmarrëse aktive në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe në të gjitha nismat rajonale si: Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP); Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC); Nisma e Evropës Qendrore (CEI); Nisma Adriatiko Joniane (AII); Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi (BSEC); Nisma Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI); Procesi i Berlinit; Fondi i Ballkanit Perëndimor etj.

Shtrirja e këtij bashkëpunimi synon rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, duke përfshirë dialogun politik, zgjerimin e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, krijimin e një rrjeti rajonal të energjisë, transportin dhe telekomunikacionin, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, kulturave, etj. forcimin e lidhjeve arsimore, shkencore e kulturore, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit, etj.

Afrimi drejt standardeve evropiane nëpërmjet procesit të integrimit evropian, ka dëshmuar të ketë një impakt pozitiv në marrëdhëniet midis vendeve të rajonit duke ndikuar kështu në krijimin e një klime më të mirë dhe në drejtim të stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, vlerësohet si një arritje e rëndësishme kryesimi i Shqipërisë i Procesit të Berlinit (1 janar – 31 dhjetor 2023) në të cilin vendi ynë u fokusua në prioritetet si: Lidhshmëria e transportit brenda rajonit dhe me vendet anëtare të BE-së; Dixhitalizimi dhe tregu i brendshëm; Energjia, si dhe siguria dhe diversifikimi i energjisë; Lëvizshmëria, Rinia dhe Arsimi i Lartë; Tregtimi dhe zbatimi i katër lirive të tregut të vetëm.

Duke filluar nga janari i vitit 2024 Shqipëria ka marrë rolin e saj si presidencë e ardhshme në katër nisma rajonale, si më poshtë:

Presidenca e Shqipërisë në BSEC

Presidenca e Shqipërisë në CEI

Presidenca e Shqipërisë në MARRI

Presidenca e Shqipërisë në SEECP

Presidenca e Shqipërisë në EUSAIR