Procedurat Speciale të OKB - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 24/12/2021

Procedurat Speciale të OKB

Procedurat Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB përbëhen nga ekspertë të pavarur për të drejtat e njeriut, me mandat për të raportuar dhe këshilluar mbi të drejtat e njeriut nga një këndvështrim tematik ose specifik për një vend të caktuar. Sistemi i Procedurave Speciale është një element thelbësor i mekanizmave të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe mbulon të gjitha të drejtat e njeriut: civile, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale.

Që nga 1 gushti 2017, ka 44 mandate tematike dhe 12 mandate për vende të caktuara.

Me mbështetjen e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Procedurat Speciale ndërmarrin vizita në vend; veprojnë mbi raste individuale dhe shqetësime të një natyre më të gjerë, strukturore, duke dërguar komunikime tek shtetet përkatëse por edhe shtete të tjera, ku sjellin vëmendje ndaj shkeljeve ose abuzimeve të pretenduara; kryejnë studime tematike dhe thërrasin konsulta ekspertësh, kontribuojnë në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, angazhohen në sistemin e mbrojtjes avokatisë, për ndërgjegjësimin e publikut dhe sigurojnë këshilla për bashkëpunim teknik. Procedurat Speciale raportojnë çdo vit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut; shumica e mandateve gjithashtu raporton në Asamblenë e Përgjithshme të KB. Detyrat e tyre përcaktohen në rezolutat që krijojnë ose zgjasin mandatet e tyre.

Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë me Procedurat Speciale të OKB. Ne vijojmë të ndjekim, në bashkëpunim me Sekretariatin e OHCHR, çështjet individuale të ankesave kundër Shqipërisë dhe pyetësorët e raportuesve specialë, sipas temave të kërkuara nga raportuesit.