Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

CEREMONIALI SHTETËROR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Ceremoniali Shtetëror i Republikës së Shqipërisë është instrumenti juridik dhe organizativ nëpërmjet të cilit shteti shqiptar ushtron veprimtarinë e tij protokollare të tagrave, privilegjeve dhe detyrave të përcaktuara nga Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për t’u zbatuar, ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë si edhe doket e mira ndërkombëtare.

Protokolli përbëhet nga bashkësia e normave të shkruara dhe të pashkruara që caktojnë përparësitë shtetërore dhe diplomatike, rregullat e shkëmbimeve të shkruara, verbale dhe materiale midis administratës së brendshme dhe midis shteteve, sistemin e nderimeve dhe dekoratave, privilegjet dhe imunitetet, kushtet e negociatave ndërkombëtare dhe përshkallëzimin racional dhe estetik të ceremonive publike që kanë të bëjnë me funksione të larta civile dhe ushtarake.

PROTOKOLLI I SHTETIT

Protokolli i Shtetit, strukturë në varësi të Ministrit të Punëve të Jashtme, është garant dhe përgjegjës i zbatimit të Ceremonialit Shtetëror. Protokolli i Shtetit ka disa funksione të rëndësishme, të cilat kryhen drejtpërdrejt nga kjo strukturë, ose nën bashkërendimin e tij me zyra të tjera protokolli pranë institucioneve qendrore dhe vendore të cilat organizojnë veprimtari protokollare në kuadër të këtij ceremoniali.

Protokolli i Shtetit ka si mision:

  • Bashkërendimin dhe zbatimin e programeve të vizitave zyrtare të delegacioneve të huaja të nivelit më të lartë shtetëror;
  • Vendosjen e komunikimit dhe mbikëqyrjen e realizimit të privilegjeve dhe imuniteteve diplomatike për misionet diplomatike, postet konsullore, organizatat ndërkombëtare me status diplomatik të akredituara në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kuadrin ligjor, parimin e reciprocitetit dhe normat ndërkombëtare.

Shënim: Sektori i Ceremonialit bashkërendon dhe zbaton programin e vizitave zyrtare të delegacioneve të huaja të nivelit më të lartë shtetëror, kryesuar nga kryetarë shtetesh, kryetarë qeverish ose ministra të punëve të jashtme.

MARRËDHËNIET ME TRUPIN DIPLOMATIK

Protokolli i Shtetit përcakton, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, formalitetet që respektohen për ardhjen dhe largimin nga Shqipëria të funksionarëve diplomatikë, veçoritë e statusit të tyre, imunitetet dhe privilegjet e trupit diplomatik.

Akreditimi i shefit të misionit diplomatik

Kërkesa e agrementit i dërgohet Drejtorisë së Protokollit të Shtetit me notë verbale të shoqëruar me jetëshkrimin e shefit të misionit, nëpërmjet përfaqësisë diplomatike të shtetit dërgues të akredituar në Republikën e Shqipërisë.

Shënim: Jetëshkrimi duhet të jetë në gjuhën angleze dhe të përmbajë të dhëna dhe elementë si emër/mbiemër, datëlindje, vendlindje, fotografi.

Pas dhënies së vlerësimit nga strukturat përkatëse të shtetit shqiptar, Protokolli i Shtetit njofton me notë verbale përfaqësinë diplomatike të palës kërkuese mbi dhënien e agrementit. Si rregull, afati kohor për dhënien e agrementit bazohet në parimin e reciprocitetit.

Mbërritja e shefit të ri të misionit dhe paraqitja e letrave kredenciale

  • Përfaqësia diplomatike përkatëse, me notë verbale, njofton Protokollin e Shtetit mbi detajet e mbrritjes në Shqipëri të shefit të ri të misionit.
  • Shefi i ri i misionit pritet në sallën VIP të aeroportit “Nënë Tereza” nga zyrtari i Protokollit të Shtetit, i cili i komunikon datën e takimit me drejtorin e Protokollit të Shtetit, për dorëzimin e kopjeve të letrave kredenciale dhe të letërthirrjes së paraardhësit. Procedura e ceremonisë së paraqitjes së letrave kredencialeve tek Presidenti i Republikës i dorëzohet dhe i shpjegohet gjatë këtij takimi.
  • Që prej këtij momenti, ai konsiderohet si ambasador i emëruar dhe mund të vijojë detyrën e tij, por nuk ka të drejtë të takojë drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore. Shefit të ri të misionit i rekomandohet formalisht të shmangë çdo lloj prononcimi publik në media përpara se të paraqesë kredencialet.
  • Ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale tek Presidenti i Republikës, si rregull, bëhet në grupe jo më të vogla se tre ambasadorë njëherësh. Grupet formohen si me ambasadorë të cilët janë rezidentë, ashtu edhe me ambasadorë që nuk janë rezidentë në Tiranë. Koha për dorëzimin e letrave kredenciale nga shefat e misioneve që përbëjnë grupin, si rregull, nuk duhet të zgjasë më shumë se dy muaj nga data e paraqitjes së kërkesës së anëtarit të grupit që ka dorëzuar kopjet e letrave i pari. Si radhë për dorëzimin e letrave kredenciale merret koha e mbërritjes në Tiranë.
  • Pas paraqitjes së kredencialeve, Protokolli i Shtetit informon shefin e ri të misionit për takimin me ministrin e Punëve të Jashtme ose me një zyrtar të deleguar prej tij. Takimet me zyrtarë të tjerë qendrorë dhe lokalë realizohen pas takimit të kortezisë me ministrin e Punëve të Jashtme.
  • Protokolli i Shtetit, bazuar në kërkesën e shefit të ri të misionit, ndihmon në realizimin e takimeve të kortezisë me rastin e fillimit të detyrës me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Këto takime konsiderohen të kryera nëse shefi i misionit pritet nga një zyrtar i autorizuar nga secili personalitet i lartë.
  • Përfundimi i detyrës së shefit të misionit njoftohet me notë verbale nga misioni përkatës drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme.
  • Misioni njofton me notë Protokollin e Shtetit për detajet e largimit të shefit të misionit. Ditën e largimit, shefi i misionit përcillet në aeroport nga zyrtari i Protokollit të Shtetit. Në dispozicion të tij vihet salla VIP e aeroportit.

Fillimi i detyrës së diplomatit, atasheut ushtarak, konsullit dhe funksionarit të organizatave ndërkombëtare

Fillimi i detyrës së diplomatit, konsullit, funksionarit të organizatave ndërkombëtare njoftohet nga misioni përkatës me notë verbale drejtuar Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, në të cilën shënohet në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore e vitit 1963.

Akreditimi i atasheut ushtarak ndjek të njëjtën procedurë për sa i përket kërkesës së agrementit, ndërsa konsultimet bëhen me strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes.

Organizatat ndërkombëtare që gëzojnë status diplomatik në Republikën e Shqipërisë duhet të bëjnë të njohur funksionarët e tyre të kategorisë së parë në të njëjtën mënyrë, si edhe misionet diplomatike, duke plotësuar të njëjtat procedura.

Hapja e një përfaqësie të re diplomatike

Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, përfaqësuesi i shtetit dërgues i dorëzon notën verbale për hapjen e përfaqësisë Protokollit të Shtetit.

Pjesëmarrja e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri  në ceremonitë zyrtare

Trupi diplomatik ftohet ose mirëpritet të marrë pjesë në këto ceremoni kryesore zyrtare:

  • Hapja e sesionit të Kuvendit;
  • Seanca e Kuvendit, ku Kryeministri parashtron programin e qeverisë apo edhe në seanca të veçanta, si ato mbi votëbesimin e qeverisë apo kur diskutohen tematika që lidhen me bashkëpunimin e Shqipërisë me vendin/organizatën përkatëse;
  • Seanca e Kuvendit, ku bëhet votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës;
  • Ceremonia që zhvillohet me rastin e ndërrimit të presidentëve;
  • Dita e Dëshmorëve;
  • Dita e Pavarësisë;
  • Pritja me rastin e Festës Kombëtare;
  • Parada ushtarake;
  • Pritja me rastin e Vitit të Ri;
  • Në aktivitetet vjetore që planifikon Ministria e Punëve të Jashtme;
  • Në funeralet shtetërore dhe në funeralet zyrtare.

Imuniteti diplomatik

Mbështetur në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, Protokolli i Shtetit respekton imunitetin diplomatik të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Imuniteti ndryshon në varësi të statusit të punonjësit diplomatik. Imunitet të plotë gëzojnë vetëm bartësit e kartës diplomatike të qëndrimit. Për ata që janë shtetas shqiptarë ose kanë dyshtetësi, të huaj dhe shqiptare, apo që kanë leje qëndrimi të përhershme, imuniteti shtrihet vetëm në fushën e ushtrimit të detyrës specifike që u është ngarkuar, por jo në të gjithë aktivitetin dhe aspektet e tjera të punës dhe jetës së tyre.

Për çdo çështje specifike që një përfaqësi e caktuar apo nga një diplomat e cila duhet të trajtohet nga organet e administratës shtetërore qendrore apo vendore të shtetit shqiptar i njoftohet me shkrim Drejtorisë së Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Përdorimi i sallës VIP në Aeroportin “Nënë Tereza”

Në bazë të Ceremonialit të RSH-së, përdorimi i sallës VIP drejtohet nga Protokolli i Shtetit.

Kërkesa për shfrytëzimin e sallës VIP bëhet në formën e një shkrese/note verbale dhe i drejtohet Protokollit të Shtetit për miratim, minimalisht 48 orë para udhëtimit. Përjashtimet nga rregulli i mësipërm gjykohen rast pas rasti.

Salla VIP e Aeroportit “Nënë Tereza” është e formuar nga 3 mjedise, shfrytëzimi i të cilave është i diferencuar dhe u ofrohet autoriteteve vendase të renditura më poshtë dhe homologëve të tyre të huaj.

Në rastin e Ambasadorëve, atyre rezident dhe jo-rezident, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, salla VIP përdoret vetëm në pritje, në fillim të mandatit dhe në largim, në përfundim të mandatit, si dhe kur ata shoqërojnë autoritetet e larta në vizita zyrtare në RSH/apo tranzit.

  • Kryetarë Shteti (President Republike, Mbret, Princ trashëgimtar)
  • Kryetarë Qeverie
  • Kryetarë Parlamenti
  • Kryetari i Gjykatës Kushtetuese
  • Anëtarë të Këshillit të Ministrave
  • Ish-President i Republikës
  • Ish-Kryetar i Kuvendit
  • Ish-Kryeministër
  • Kryetari i partisë më të madhe opozitare
  • Deputetë
  • Kryetari i Bashkisë së Tiranës
  • Kryetari i Gjykatës së Lartë
  • Kryetar i KLSH-së
  • Prokurori i Përgjithshëm
  • Guvernatori i Bankës së Shqipërisë
  • Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
  • Avokati i Popullit
  • Kryetari i SHISH-it
  • Kryetarët e klerit
  • Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave
  • Grada Gjeneral për kryetar delegacioni në vizitë zyrtare
  • Homologët e tyre të huaj
  • Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese;
  • Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
  • Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
  • Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor;
  • Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
  • Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
  • Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
  • Kryetari i Gjykatës së Posaçme;
  • Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
  • Komisionerët publikë;
  • Drejtori i Shkollës së Magjistraturës;
  • Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
  • Zëvendëskryetari dhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • Zëvendës drejtuesi dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • Krerët e misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë

Në sallën VIP të Aeroportit ka edhe një sallë konferencash shtypi, ku Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme e personalitetet e tyre homologe mund t’u drejtohen gazetarëve. Ky mjedis është i vetmi i dedikuar për konferenca dhe intervista apo takime të veçanta me mediat.

Shënim: Për të gjitha vizitat e delegacioneve zyrtare Protokolli i Shtetit mundëson ofrimin e shërbimit VIP pa pagese.

Shënim: Aeroporti “Nënë Tereza” ofron edhe një shërbim të dytë/të privilegjuar kundrejt pagesës për të gjitha kategoritë, që nuk janë të parashikuara në Ceremonialin Shtetëror të RSH-së.

Më shumë informacion mund të gjeni në faqen e internetit të aeroportit:

https://tiaprivateterminal.com

PROTOKOLLI I SHTETIT – IMUNITETE DHE PRIVILEGJE

Letërnjoftimi (Identity Card)

Letërnjoftimi Diplomatik (Diplomatic Identity Card) (me ngjyrë të gjelbër): pajisen agjentët diplomatikë rezidentë dhe jo-rezidentë në Shqipëri, bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, mbajtës të pasaportave diplomatike, të cilët shoqërojnë diplomatin dhe nuk janë shtetas shqiptarë.

Letërnjoftimi Diplomatik (me ngjyrë rozë): pajisen anëtarët e misioneve të organizatave ndërkombëtare mbajtës të pasaportave speciale (Laissez-Passer), që nuk janë shtetas shqiptarë.

Letërnjoftimi Shërbimi (me ngjyrë të verdhë): pajisen mbajtësit e pasaportave të shërbimit, duke përfshirë anëtarët e familjeve të tyre, të cilët nuk janë shtetas shqiptarë.

Konsujt e Nderit pajisen me letërnjoftim me ngjyrë blu, pavarësisht nga shtetësia e tyre.

Dokumentacioni i kërkuar:

  • Notë verbale nga përfaqësia diplomatike
  • Formular ID- 2018 me fotografi, i plotësuar, nënshkruar dhe vulosur nga shefi i përfaqësisë
  • Kopje e pasaportës zyrtare të vlefshme
  • Kopje e vizës së akreditimit (nëse është e nevojshme)

Çdo anëtar i familjes (bashkëshort/e dhe fëmijët deri në 18 vjeç) ndjek të njëjtën praktikë me primarin e akredituar. Fëmijët 18 -23 vjeç mund të pajisen me kartë nëse ndjekin studimet me kohë të plotë në Shqipëri (vërtetim nga institucioni arsimor përkatës).

Postet e reja/shtesë njoftohen paraprakisht pranë Drejtorisë së Protokollit të Shtetit me notë verbale.

Letërnjoftimet kanë vlefshmëri 2 vjeçare, por afati maksimal i vlefshmërisë së tyre në çdo rast do të jetë në vartësi të afatit të vlefshmërisë së pasaportës.

Në rast humbje, nevojitet denoncimi pranë komisariatit të policisë. Për ri-pajisjen me kartë ndiqet praktikë e njëjtë me rinovimin.

Në përfundim të qëndrimit në Shqipëri, letërnjoftimet duhet të kthehen në Drejtorinë e Protokollit të Shtetit me notë verbale ose në momentin e marrjes së kartës së pasuesit të tyre.

Pajisja e automjete me targat CD dhe TR e gjelbër

Numri i automjeteve, të importuara apo të blera në vend, nga misionet diplomatike për përdorim zyrtar duhet të jetë i arsyeshëm dhe në përputhje me madhësinë dhe nevojat e misionit.

Anëtarët e misioneve diplomatike/konsullore, mbajtës të pasaportave diplomatike, mund të importojnë apo të blejnë në Shqipëri një automjet për përdorim personal, pa taksa doganore, TVSH dhe taksa të tjera, i cili pajiset me targa CD. Në rastet kur shoqërohen nga bashkëshorti/ja, gjithashtu mbajtës të një pasaporte diplomatike, ata kanë të drejtë të pajisin me targa CD edhe një automjet të dytë.

Automjetet në përdorim zyrtar apo personal mund të shiten pa taksa doganore, pa TVSH dhe taksa të tjera, pas një periudhe kohe minimale 2 vjeçare nga importimi ose shitja e fundit pa taksa.

Anëtarët e misioneve diplomatike, mbajtës të pasaportave të shërbimit, mund të importojnë apo të blejnë në vend një automjet pa taksa doganore, pa TVSH dhe taksa të tjera brenda 6 muajve të parë të fillimit të detyrës në vendin tonë. Automjeti pajiset me targa TR (të gjelbër).

Anëtarët e përfaqësive diplomatike, mbajtës të pasaportave diplomatike, mund të importojnë në emër të tyre ose të blejnë në vend një motoçikletë për përdorim personal pa taksa doganore, pa TVSH dhe taksa të tjera.

Konsujt e Nderit mund të importojnë apo të blejnë në vend një automjet pa taksa doganore, pa TVSH dhe taksa të tjera, ekskluzivisht për qëllime zyrtare, i cili pajiset me targa të zakonshme kombëtare dhe me një shenjë dalluese ovale në të djathtë të targës, me simbolet HCC.

Kërkesa për pajisje me targë CD ose TR (të gjelbër) bëhet pas pajisjes me letërnjoftimin përkatës nga Protokolli i Shtetit.

Një automjet i importuar pa taksa nga përfaqësitë mund të transferohet ndërmjet përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri, ndërmjet agjentëve diplomatikë apo administrativ, ose të rieksportohet pa taksa doganore dhe taksa të tjera. Kjo procedurë bëhet pas njoftimit të Protokollit të Shtetit dhe çregjistrimit në DPSHTRR.

Automjeti i importuar për herë të parë paraqitet fillimisht për kryerjen e veprimeve doganore, dokument që nevojitet për regjistrimin e hyrjes së automjetit në Shqipëri dhe për vërtetimin e datës së importimit.

Dokumentacioni i kërkuar për pajisjen e automjetit me targa CD dhe TR të gjelbër:

  • Notë Verbale, ku specifikohet qëllimi i përdorimit të automjetit zyrtar/personal, të dhënat e automjetit: marka dhe tipi, numri i shasisë, ngjyra.
  • Dokumenti i zhdoganimit
  • Identifikimi i treguesve të mjetit
  • Certifikata e konformitetit
  • Fotokopje e letërnjoftimit (kur automjeti është për përdorim personal)

Në rastet e shitblerjes së automjetit, krahas dokumenteve të mësipërme, nevojitet edhe:

  • Fotokopje e kontratës së shitblerjes
  • Fotokopje e lejes së qarkullimit
  • Fotokopje e letërnjoftimit të personave që kanë bërë shitblerjen (kur automjeti është për përdorim personal)

Targat CD, TR (të gjelbër) dhe HCC janë të patransferueshme nëse automjeti shitet apo ndryshon pronësi.

Targat e automjetit të parë janë të patransferueshme tek automjeti i ri.

Numri i targave do të jetë në mënyrë progresive, me përjashtim të ambasadorit ose të përfaqësuesit të organizatës, i cili mban nr. 001.

Kur agjentët diplomatikë largohen përfundimisht nga Shqipëria dhe marrin automjetin me vete, duhet të dorëzojnë me notë verbale, targat CD, TR (të gjelbër), si dhe lejet e qarkullimit pranë DPSHTRR, ndërsa një kopje të vërtetimit të çregjistrimit duhet ta dorëzojnë pranë Protokollit të Shtetit.

Konsujt e nderit duhet të kthejnë shenjën dalluese HCC pranë Protokollit të Shtetit me notë verbale të shoqëruar me fotokopjen e dokumentit të çregjistrimit, të lëshuar nga DPSHTRR.

Rikthimi i TVSH-së

Rikthimi i TVSH-së për përfaqësitë e akredituara në Republikën e Shqipërisë bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.

Pranimi i dokumentacionit bëhet çdo tre muaj, respektivisht në muajt: janar, prill, korrik, tetor. Faturat tatimore të lëshuara në emër të misionit apo diplomatëve përcillen në Drejtorinë e Protokollit të Shtetit në origjinal dhe dy kopje, të shoqëruara nga një formular aplikimi, si dhe tabela përmbledhëse.

Limitet për çdo përfaqësi zbatohen sipas parimit të reciprocitetit.

Punëtorët e shërbimit shtëpiak

Anëtarët e përfaqësive diplomatike mund të sjellin punonjës shërbimi shtëpiak nga vendi i origjinës ose një vend i tretë. Pajisja me vizë hyrëse dhe statusi i qëndrimit të tyre përcaktohet mbi bazën e reciprocitetit.

Çdo punonjës shërbimi shtëpiak, shqiptar apo i huaj, i personelit diplomatik/konsullor i njoftohet Protokollit të Shtetit. Punonjësit e shërbimit shtëpiak me shtetësi të huaj pajisen me kartë identiteti me ngjyrë portokalli.

Punësimi i anëtarëve të familjes së diplomatëve

Anëtarët e familjeve të diplomatëve, të aftë për punë, lejohen të punësohen bazuar në marrëveshjet dypalëshe dhe parimin e reciprocitetit.

Leja e punës jepet sipas legjislacionit të fuqi.

Armët dhe mbajtja e tyre

Leja e mbajtjes dhe përdorimit të armëve bëhet në bazë të reciprocitetit ose me marrëveshje.

Për pajisjen me armë gjahu dhe përdorimin e tyre, dërgohet një notë verbale pranë Protokollit të Shtetit.

Nota verbale duhet të përmbajë:

  • Emrin i anëtarit të përfaqësisë
  • Fotokopjen e letërnjoftimit të lëshuar nga sektori i privilegjeve dhe imuniteteve
  • Marka dhe numri i armës së zotëruar

Për pajisjen me leje veprohet në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Kur përfaqësuesi diplomatik shoqërohet me truprojë të pajisur me armë, krahas të dhënave personale të tij, duhet të dërgohen të dhënat e armës me notë verbale.

Mbajtja e kafshëve shtëpiake

Anëtarët e përfaqësive diplomatike mund të sjellin në Shqipëri qenie të gjalla të çdo lloji të shoqëruar nga dokumentacioni që vërteton se është vaksinuar dhe gëzon shëndet të plotë. Lejimi i kalimit të tyre është subjekt i rregullave dhe kufizimeve ligjore në fuqi.

Rregullat e vaksinimit:

  • Qentë dhe macet duhet të jenë të vaksinuar të paktën 30 ditë para hyrjes në Shqipëri. Të vegjlit e tyre nën 3 muaj regjistrohen dhe vaksinohen në Shqipëri.
  • Të gjitha sëmundjet e kaluara duhet të jenë të reflektuara në certifikatën veterinare të kafshës. Nëse vaksinimi është bërë në më pak se 30 ditë, kafsha duhet mbajtur e izoluar deri në kohën e duhur.

Është e ndaluar hyrja dhe mbajtja në Shqipëri e qenieve të rralla dhe të mbrojtura nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Posta dhe valixhja diplomatike

Shkëmbimi i valixhes diplomatike bëhet në zonën tranzit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku agjenti diplomatik i pajisur me letërnjoftimin e posaçëm takohet me personin që sjell valixhen diplomatike.

Pajisja me fletë-hyrjen për tërheqjen e valixhes ose postës diplomatike bëhet nëpërmjet një note verbale drejtuar Protokollit të Shtetit.

Votimet

Çdo përfaqësi diplomatike mund të hapë në selinë e saj, pa kërkuar leje të posaçme, qendër votimi për zgjedhjet që zhvillohen në vendin përkatës. Për hapjen e qendrave të votimit në një objekt tjetër, publik apo privat, duhet të informohet zyrtarisht Drejtoria e Protokollit të Shtetit, në mënyrë që  të merren masat përkatëse të sigurisë. Me këtë rast, njoftimi zyrtar duhet të bëhet jo më pak se një muaj përpara datës së votimit.