Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Regjimi i vizave për të huajt përcaktohet në bazë të Ligjit, 79/2021, “Për të huajt”, dhe VKM nr. 858, datë 29.12.2021 për “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në RSH”, i ndryshuar

HYJNË PA VIZË NË SHQIPËRI:

            Aplikohet për:

*Shtetasit e huaj që kanë vizë Shengen të vlefshme me shumë kalime, të përdorur më parë në një shtet të zonës Shengen, ose disponojnë leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga një shtet i zonës Shengen. Ata duhet të largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë jo më vonë se 3 (tri) ditë nga data e përfundimit të vlefshmërisë së vizës ose lejes së qëndrimit. Ky përjashtim nuk zbatohet për shtetasit iranianë, të cilët duhet të pajisen me vizë në çdo rast.

*Shtetasit e huaj që kanë vizë të vlefshme me shumë hyrje ose leje qëndrimi të vlefshme, përfshirë dokumentet në format elektronik, të lëshuar nga një shtet i Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Britania e Madhe dhe Irlanda së Veriut. Viza duhet të jetë përdorur më parë në shtetin që e ka lëshuar. Udhëtari duhet të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë jo më vonë se 3 (tri) ditë nga data e përfundimit të vlefshmërisë së dokumentit. Ky përjashtim nuk zbatohet për shtetasit iranianë, të cilët duhet të pajisen me vizë në çdo rast.

*Shtetasit e vendeve që lejohen të hyjnë dhe të qëndrojnë pa vizë në shtetet e zonës Shengen.

*Shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi 10-vjeçare të lëshuar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, me vlefshmëri të mbetur jo më pak se një vit nga data e hyrjes në Shqipëri.

*Shtetasit e Arabisë Saudite dhe Katarit mund të udhëtojnë pa vizë, vetëm për qëllime turistike, nga 15 prill 2026 deri më 31 dhjetor 2026, duke paraqitur pasaportë të vlefshme.

*Mbajtësit e dokumenteve të mëposhtme të udhëtimit për të huaj, të lëshuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian:

    • Alien’s travel document
    • Travel document for refugees (Geneva Convention of 28 July 1951);
    • Travel document for stateless persons (New York Convention of 28 September 1954);
    • Travel document for persons enjoying subsidiary protection.

VLEFSHMËRIA E DOKUMENTEVE TË UDHËTIMIT

Për shtetasit që nuk kanë nevojë për vizë: pasaporta ose dokumenti i udhëtimit duhet të jetë i vlefshëm për të paktën 3 muaj pas datës së planifikuar të largimit nga Republika e Shqipërisë dhe duhet të jetë lëshuar brenda 10 viteve të fundit.

Për shtetasit që kanë nevojë për vizë: pasaporta ose dokumenti i udhëtimit duhet të jetë i vlefshëm për të paktën 3 muaj pas përfundimit të afatit të vizës së kërkuar dhe të ketë të paktën 2 faqe bosh për vendosjen e vizës pullë. Duhet të paraqiten edhe fotokopje të faqeve që përmbajnë shënime me interes për udhëtimin.

 VIZA E TIPIT “C” është vizë për qëndrim afatshkurtër. Ajo i lejon mbajtësit të hyjë dhe të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, duke filluar nga data e hyrjes së parë. Viza mund të lëshohet për një, dy ose shumë hyrje dhe vlefshmëria e saj nuk mund të kalojë 5 vjet.

VIZA E TIPIT “D” është vizë për qëndrim afatgjatë. Ajo u lëshohet shtetasve të huaj që synojnë të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh dhe që, për t’u pajisur me leje qëndrimi, duhet të kërkohet vizë.

DOKUMENTACIONI PËR HYRJEN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Gjatë kontrollit kufitar, autoritetet mund t’i kërkojnë shtetasit të huaj të paraqesë, sipas rastit, një ose disa nga dokumentet e mëposhtme:

  • ftesë nga garantuesi ose personi pritës në Shqipëri, kur udhëtari ka një pritës;
  • biletë kthimi ose rezervim udhëtimi për kthimin;
  • dokument që vërteton akomodimin gjatë qëndrimit;
  • vizë elektronike ose vizë pullë, për shtetasit që i nënshtrohen regjimit të vizave;
  • mjete financiare në lekë ose valutë të huaj të konvertueshme, apo forma të tjera pagese të pranuara në Republikën e Shqipërisë, si çek, kartë krediti, etj;
  • dokument që provon mjetet e mjaftueshme financiare për qëndrimin dhe kthimin në vendin e origjinës, ose për transitin drejt një shteti të tretë ku udhëtari do të pranohet. Si provë mund të shërbejnë, ndër të tjera, dokumente bankare ose librezë depozite. Shuma orientuese është 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë qëndrimi për të rriturit dhe 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë për çdo ditë qëndrimi për të miturit;
  • certifikatë ndërkombëtare vaksinimi, kur udhëtari vjen nga një vend i prekur nga epidemi ose sëmundje për të cilat legjislacioni shqiptar kërkon vaksinim.

KONTROLLONI NËSE JU NEVOJITET VIZË

https://punetejashtme.gov.al/informacione-mbi-regjimin-e-vizave-te-shtetasve-te-huaj/

Nëse shtetësia juaj nuk përfshihet në tabelën e regjimit të vizave, duhet të pajiseni me vizë përpara udhëtimit në Shqipëri. Aplikimi mund të paraqitet pranë përfaqësisë shqiptare më të afërt me vendin tuaj të origjinës ose të rezidencës.

PËR DOKUMENTACIONIN E NEVOJSHËM DHE APLIKIMIN ONLINE PËR VIZË, VIZITONI:

https://e-visa.al/