Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në gjysmën e dytë të viteve 80-të, në klimën e zbutjes së marrëdhënieve midis dy blloqeve të mëdha politike të Luftës së Ftohtë, fillimit të “erës së ndryshimeve” politike në vendet e Evropës Lindore e Qendrore, udhëheqja komuniste e kohës në Shqipëri e mbërthyer edhe nga një krizë e thellë ekonomike, në nevojë të madhe për gjetjen e burimeve të reja për ekonominë e vendit, filloi një “çarje” të vetëizolimit të saj duke filluar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ në v.1987, dhe duke pasuar me angazhimet e saj për tu përfshirë në organizatat ndërkombëtare apo grupime politike që nuk i kishte njohur më parë, gadishmeria politike për të marrë pjese në takime politike rajonale 1988, deri në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA dhe Britaninë e Madhe 1991. Në këtë kuadër bën pjesë edhe nevoja e Shqipërisë për të njohur Tregun e Përbashkët Evropian dhe për ti drejtuar këtij grupimi kërkesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë komuniste.

Nga ana tjetër gjysma e dytë e viteve 80-të shënon një zhvillim cilësor në ecurinë evropiane. Në shkurt 1986 12 vendet anëtare të Komunitetit Ekonomik Evropian (KEE) nënshkruan në Luksenburg Aktin Unik Evropian i cili hyri në fuqi me 1 korrik 1987. Një ndër pikat që parashikonte ky dokument ishte edhe krijimi i Tregut unik të brendshëm komunitar, që do të thoshte eleminimi i tre lloj pengesash në qarkullim: barrierat fizike, teknike e fiskale. Afati i përcaktuar ishte 31 dhjetori 992. TPE ishte krijuar në vitin 1957, por vetëm në vitin 1968, filloi heqja graduale e barrierave të brendëshme tarifore dhe vendosja e doganave të përbashkëta për vendet e tjera jashtë Komunitetit. Francezi Jacques Delor, President i Komisionit Evropian që nga janari 1985, i cili prezantoi edhe projektin e një tregu të vetëm brenda Komunitetit Evropian do shprehej në shkurt 1989 “…TPE nuk eshte për një Evropë dyfish të ndarë..Brukseli duhet t’ja hapë dyert vendeve të EFTA-s, por njëkohësisht edhe “jetimeve të Evropës, Maltës, Qipros, Jugosllavisë, Turqisë…dhe Lindjes . Evropa e organizuar duhet të jetë më shume se dymbëdhjetë.”

Në janar 1988 RFGJ mori kryesinë e bashkëpunimit politik evropian deri në 30 qershor 1988. Ambasada e RFGJ në Tiranë njoftoi për këtë MPJ, por ajo u shpreh se nuk e njihte këtë grupim siç ishte KEE. Nga ana tjetër nga kontaktet që trupi diplomatike shqiptar i akredituar në vende të ndryshme të Evropës merrte informacion se në 1992, me krijimin e tregut të brendshëm evropian, bashkësia evropiane do të vepronte si një organizëm i vetëm dhe i fuqishëm ekonomik, masat proteksioniste për të hyrë në këtë treg do të ishin më të forta dhe do të bëhej më i vështirë eksporti në këtë zonë, prandaj të gjitha vendet po merrnin masa për tju përshtatur gjendjes së re që do të krijohej në 1992, duke u lidhur me bashkësine evropiane në forma të ndryshme. Shtetet partnere të Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit ekonomik që ishin apo do të bëheshin anëtare të Bashkësisë Evropiane do të kishin vështirësi të bashkëpunonin me Shqipërinë që nuk kishte asnjë lidhje me këtë bashkesi. Këto vende disa të drejta sovrane në fushën ekonomike ia kishin dorëzuar Brukselit dhe nuk ishin në gjendje të nënshkruanin vetë disa lloj marrëveshjesh ekonomike me Shqipërinë. Këtë fakt e vuri në dukje për qeverinë shqiptare ambasadori gjerman në Tiranë Fridrih Kronek. Ai e këshilloi qeverinë shqiptare që të studionte mekanizmin e funksionimit të Bashkësise Evropiane në mënyrë që të përgatitej për situatën që do të krijohej në fund te 1992. Këtë shqetësim e shprehën më pas edhe shumë diplomatë të huaj në takime dypalëshe me përfaqësuesit shqiptare. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte në fund të v.1988 asnjë lidhje me Bashkësinë Evropiane.

Në kushtet e këtij presioni, kur funksionarë te disa vendeve perendimore refuzonin të hynin në bisedime me autoritetet shqiptare pa marrë udhezime nga Brukseli, qeveria shqiptare udhëzoi amabasadorin e saj në Paris në prill 1989 që të merrte takim me Jacques Delor, por ky takim u refuzua nga Kabineti i Delor përsa kohë Shqipëria nuk kishte marrëdhënie Diplomatike me KEE. Shqipërisë iu refuazuan edhe kërkesat për blerjen e mallrave stoqe të Komunitetit me çmime preferenciale. Filluan kontaktet e para me përfaqësuesit e Komunitetit Evropian në vendet ku ishin akredituar ambasadat shqiptare dhe atyre u kërkoheshin modele të marrëveshjeve të vendeve të treta me Komunitetin dhe sugjerime si duhej zgjidhur ngërçi që sa vinte e bëhej më i vështirë për qeverinë shqiptare në fushën ekonomike.

Ambasada gjermane në Tiranë ofroi ndihmën dhe ekspertizën e saj për të ndihmuar Shqipërinë në organizimin e takimeve informative me ekspertë të Komisionit në Bruksel, si dhe me përfaqësinë gjermane në KKE për të marrë informacion për procedurat që duheshin kryer për të hyrë në marrëdhënie ekonomike me TPE. Ndërkohë ambasadorët e huaj në Tiranë njoftonin se TPE dhe Komisioni po i ndiqnin me kujdes të gjitha zhvillimet e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. TPE tashmë kishte përfshirë në sferën e vet të integrimit , direkt ose indirekt, të gjithë Evropën perendimore. KNER tashmë ishte nje projekt i dështuar për të krijuar një treg të tillë të brendshëm me vendet e tij anëtare. Shqipëria duhej të njihte Komunitetin Ekonomik Evropian që të nënshkruante marrëveshje tregtare dhe ekonomike, apo te përfitonte kontribute financiare nga ky organizëm dhe anëtarët e tij. Qeveria shqiptare vendosi në prill 1990 lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian.

Me 4 maj 1990, MPJ Reis Malile i drejtoi një letër Kryetarit të Komisionit të Bashkësisë Evropiane Jacques Delor. Nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Paris, i akredituar edhe ne Bruksel, ajo u dorëzua pranë KEE me 8 qershor 1990. Me anë të kesaj letre propozohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe bashkësisë evropiane. Një kopje e saj iu dorëzua ambasadorit irlandez në Paris, meqë Irlanda kishte kryesinë e Këshillit të Ministrave të bashkësisë evropiane, Një kopje u dorëzua edhe në Ministrinë italiane të Punëve të Jashtme, meqenëse Italia do të merrte kryesinë në 1 korrik 1990. Tani Shqipëria do bënte lobing diplomatik për mbështetjen e kërkesës së saj nga vendet anëtare të KEE, proces që do të merrte një vit kohë deri në finalizim. Kjo pjesë do të trajtohet në sesionin e ardhshëm të kësaj rubrike.

Shqipëria drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Komunitetin Ekonomik Evropian, qershor 1991.

Kërkesa e Shqipërisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike