Shqipëria në OSBE - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 24/12/2021

Shqipëria në OSBE

Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE- në atë kohë CSCE) gjatë procesit të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991).

Akti Përfundimtar i Helsinkit u nënshkrua nga autoritetet shqiptare më 16 shtator 1991, pasuar nga nënshkrimi i Kartës së Parisit për një Evropë të Re, më 17 shtator 1991. Ky moment shënoi një ndryshim thelbësor në rrjedhën e politikës së jashtme shqiptare, që do të çlironte Shqipërinë nga izolimi ndërkombëtar dhe do ta sillte më pranë bashkësisë Euro-Atlantike, duke ndarë parimet dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Aderimi i Shqipërisë në OSBE u shoqërua me reforma të thella ligjore në lidhje me të drejtat e njeriut. Rrethanat që i mundësuan Shqipërisë hyrjen në OSBE, përfshinin lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste dhe miratimin e Paketës së Përkohshme Kushtetuese, më 29 prill 1991. Kjo Paketë përfshinte dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Në 1997, Këshilli i Përhershëm vendosi, me kërkesën e Qeverisë shqiptare, të dërgojë një Prani të OSBE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në kapërcimin e krizave politike dhe për ta shpënë vendin në zgjedhje të përgjithshme, në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Kryesia Daneze, përmes të Dërguarit të saj të Posaçëm, ish-kancelari austriak, Dr.Franz Vranitzky, ndërmjetësoi zgjidhjen e krizës politike dhe mundësoi hapjen e një Pranie të OSBE-së në Shqipëri. Në një fazë të dytë, kjo Prani u ri-përcaktua me një mandat të zgjeruar, për të përfshirë kqyrjen e kufijve veri-lindorë të vendit.

Më vonë, në vitin 2003, u ra dakord për rishikimin e mandatit që vijon, në mënyrë që të pasqyroheshin më mirë zhvillimet dhe përparimi i vendit.

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi me OSBE-në, pra në partneritet për arritjen e përparësive kombëtare të vendit, në përputhje me aspiratat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sot, Prania e OSBE-së në Shqipëri mbështet reformat ligjore, gjyqësore, administrative dhe pronësore dhe ndihmon autoritetet shqiptare në ndërtimin e kapaciteteve parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mire, fuqizimin e shoqërisë civile, forcimin e lirise se medias etj.

Roli gjithnjë në rritje i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë ka ndikuar në ndryshimin thelbësor të marrëdhënieve me OSBE-në. Shqipëria nuk është më një konsumator i ekspertizës së OSBE-së, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe forcimin e rolit të Organizatës në arkitekturën europiane të sigurisë.

Shqipëria ka rritur profilin e saj në OSBE. Ajo priti Sesionin e Vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (tetor 2012), Konferencën e Nivelit të Lartë për Tolerancën dhe Mos-Diskriminimin (maj 2013), Konferencën e tretë për Shtypin të Evropës Juglindore (shtator 2013), Konferencën për Lirinë e Shtypit, në Tiranë (qershor 2015), Forumin e dytë për Zhvillimin e Mediave (nëntor 2016), Konferencat e posacme te Partneritetit Mesdhetar dhe Aziatik, i pari ne vitin 2019 dhe i dyti ne vitin 2021, si dhe Konferencen e 8 mbi mediat ne Evropen Juglindore, 2021.

Angazhimi më i rëndësishëm shqiptar në kuadër të OSBE-së mbetet Kryesia e Radhës e Organizatës, në vitin 2020. Pas Rekomandimit për Miratimin e një vendimi mbi Kryesinë e Radhës së OSBE-së për vitin 2020 (PC.DEC / 1317 30 nëntor 2018), Shtetet pjesëmarrëse në MC DEC / 1/18, datë 05 dhjetor 2018, vendosën me konsensus që t’i besonin Shqipërisë Kryesimin e OSBE-së në vitin 2020.

Kryesia e Radhës e OSBE-së 2020 për Shqipërinë kulmoi me takimin e Këshillit Ministror, në Tiranë, nga data 3-4 dhjetor 2020 dhe prodhoi dokumente të pasura në numër dhe substancë: njëmbëdhjetë në tërësi dhe në të gjitha përmasat. Më e rëndësishmja e këtij Ministeriali ishte se 57 Shtetet pjesëmarrëse ranë dakord mbi emërimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm dhe drejtuesve të institucioneve te pavarura, gjë që do t’i japë organizatës udhëheqësinë e lartë që i nevojitet në periudhën përkatëse sfiduese.