Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit.

Duke e konsideruar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal si parakusht të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, SEECP është një proces unik, i themeluar me iniciativën e vetë vendeve të rajonit, zëri i të cilave është unifikuar për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.

Fillimet e Procesit te Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), datojnë në qershor të vitit 1996, me Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje, të Bullgarisë, më synim promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe transformimin e rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit.

Shqipëria është një anëtare aktive e kësaj organizate rajonale dhe synon forcimin e dialogut politik, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes rajonal, rritjes së sigurisë etj.

SEECP përbëhet nga 12 vende anëtare si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Objektivat kryesore të SEECP

  • Objektivi parësor i SEECP është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, transformimi i rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, nëpërmjet frymës së solidaritetit dhe në të mirë të qytetarëve të vendeve të rajonit.
  • Së dyti, krijimi i një Evropë Juglindore, e ardhmja e së cilës projektohet në paqe, demokraci, prosperitet ekonomik dhe integrim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, duke qenë të përkushtuar në vazhdimin e reformave demokratike dhe ekonomike në vendet respective.
  • Së treti, përgjegjësia e vendeve të rajonit dhe vullneti i tyre për të punuar ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të përbashkëta për stabilitetin rajonal, për t’ju përgjigjur sfidave të reja të sigurisë dhe eliminimin e shkaqeve rrënjësore, si forcimi i solidaritetit ndërkombëtar, që përfshin pjesëmarrjet në parandalimet e konflikteve, aktivitetet e menaxhimit të krizave, mbështetjen e operacioneve paqësore të ndërmarra nga organizmat e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në kuadër të UN, NATO, OSBE, dhe institucioneve Euro-Atlantike.
  • Rritja e bashkëpunimit ekonomik, nëpërmjet bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, mes rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës, që përbën një dimension esencial të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit.
  • Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e dimensionit human, demokracisë, drejtësisë dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

Struktura dhe funksionimi i SEECP

Takimi i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, të vendeve anëtare të SEECP, mbahet një herë në vit, dhe kryesohet nga kreu i shtetit ose Qeverisë që ka kryesimin e radhës.

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtëm, mbahet të paktën një herë në vit dhe kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të vendit që ka kryesimin e radhës.

Takimi i Komitetit të Drejtorëve Politikë, ku marrin pjesë Drejtorët Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe kryesohet nga përfaqësuesi politik i vendit që ka kryesimin e radhës.

Trojka  e cila synon vazhdimësinë e aktiviteteve të SEECP, formohet nga përfaqësuesit e Kryesisë së radhës, asaj të shkuar dhe asaj që do të pasojë.

Sekretariati konstituohet nën kryesimin e vendit që mban presidencën e radhës.

Vendimarrja e SEECP, bëhet me konsensus dhe çdo vit, në përfundim të takimeve të SEECP, prodhohet Deklarata Politike e SEECP.

Kryesimi i SEECP është njëvjeçar. Shqipëria e ka kryesuar këtë organizatë në periudhën 2001-2002. Duke filluar nga muaji korrik 2013, kryesinë  radhës në SEEC e ushtron Rumania për një periudhe një vjeçare.

Nevoja për forcimin organizativ të SEECP-së, me qëllim ruajtjen e zhvillimin e memories institucionale të saj, ka çuar në krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që është krahu operacional i SEECP.