Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Lundroni në këtë Seksion

Silda Anagnosti Çepe – Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Znj. Silda Anagnosti Çepe është Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, ajo është Këshilltare Bashkiake e Tiranës dhe Kryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltarëve Bashkiakë. Ka qenë pjesë e Kabinetit të Kryeministrit. Ajo vjen nga një eksperiencë mbi 20-vjeçare si juriste në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë në draftimin e legjislacionit të ri, agjendën e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e projekteve në fushën e Drejtësisë.

Znj. Anagnosti ka një eksperiencë të plotë si në qeverisje ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si Drejtor i Kabinetit të Ministrisë së Brendshme dhe më parë Këshilltare Ligjore në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për 14 vite, ku ka qenë Këshilltare Ligjore për portofolin e të drejtave të njeriut dhe sigurinë. Znj Anagnosti ka shërbyer gjithashtu për 2 vite pranë Qendrës Vatra, për mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. Znj. Anagnosti mban titullin Master Shkencor në Administrim Publik nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës dhe diplomën Jurist nga Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Bolonjës (Itali) dhe Universitetin e Lundit (Suedi). Krahas tyre ka qenë pika e kontaktit për Shqipërinë për ODIHR, Komisionerin Anti-Diskriminim të OSBE duke realizuar raportimet në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve vulnerabël dhe gjithashtu për legjislacionin në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe krimeve të urrejtjes. Ajo është trajnere e certifikuar nga ODIHR për të drejtat e njeriut si dhe për vëzhgimin e procesit zgjedhor, ku ka shërbyer dhe si vëzhguese e disa proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe jashtë saj. Përgjatë karrierës së saj ka marrë trajnime nga institucione prestigjioze në fushën e negociatave diplomatike, protokollit diplomatik, të drejtat e njeriut, menaxhimit të projekteve, anti-shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes, luftën ndaj dhunës në familje, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, grupit të kontaktit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB, grupit këshillimor kombëtar për barazinë gjinore.

Znj. Anagnosti është autore e disa publikimeve në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sigurisë. Gjithashtu, ajo është autore e disa librave me poezi.