Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha,  gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi bashkëpunimin e pandërprerë me vendet partnere dhe aleate në NATO për çështjet e sigurisë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Çështjet e #sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimi i ngushtë e i pandërprerë me vendet partnere, mike dhe aleate në #NATO, mbeten në vëmendjen parësore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet e tjera në vend, të përfshira në këtë proces.

Vendimet dhe veprimet tona udhëhiqen nga analiza të mirëfillta dhe të mbështetura në informacion të besueshëm, vlerësime profesionale dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjikë.

Të përkushtuar për sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2039625059594023405?s=46

Përgjigjia e plotë e Ministrit Hoxha në Kuvendin e Shqipërisë për deputetin Shehu.

Faleminderit, zoti kryetar!

Shumë shkurt: e para, unë vlerësoj shqetësimin e deputetit Shehu, natyrisht që këto janë gjëra të rëndësishme dhe natyrisht që janë çështje që Ministria e Jashtme, por jo vetëm ajo, edhe institucionet e tjera, i ndjekin në mënyrë të vazhdueshme.

Dua të siguroj deputetin Shehu dhe gjithkënd që është në sallë dhe jashtë saj, që ne i ndjekim me shumë vëmendje me shumë seriozitet deklaratat e partnerëve tanë këtu. Jemi në kontakt me ata në Washington dhe jemi në kontakt me partnerët e tjerë në NATO.

Janë diskutime që bëhen në forume të ndryshme, por ajo që duhet të them është se vlerësimi që kemi sot, duke ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet, është që nuk ka absolutisht asnjë arsye për të qenë të alarmuar dhe situata e sigurisë është absolutisht e sigurtë.

Ka pasur një komunikim dje nga zyra e shtypit të Kryeministrit dhe kam përshytpjen që duhet t’i qëndrojmë asaj, ndërkohë që ndjekim zhvillimet. Për çdo gjë të re, jam i sigurt se Ministria e Jashtme apo Ministritë e tjera do të informojnë në mënyrën dhe në kanalet e duhura, natyrisht duke qenë në kontakt me Kryeministrin, me qeverinë dhe Presidentin.

Faleminderit!