Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ferit Hoxha (lindur më 22 shkurt 1967, në Koplik, Malësi e Madhe) është diplomat karriere me mbi 35 vite përvojë në shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Që prej 6 marsit 2026 ai mban detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Z. Hoxha ka një karrierë të gjatë dhe të spikatur në diplomacinë shumëpalëshe dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në nivelet më të larta ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm pranë Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (2009–2015; 2021–2024), ku drejtoi delegacionin shqiptar gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (2022–2023) dhe ushtroi dy herë funksionin e Presidentit të Këshillit të Sigurimit. Gjithashtu, ka mbajtur detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian (1998–2001; 2024–2026), si dhe Ambasador në Francë (2001–2006). Nga viti 2018 deri në vitin 2021 ka shërbyer si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm pranë UNESCO.

Në administratën qendrore, z. Hoxha ka mbajtur funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme (2006–2009) dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike (2015–2018).

Gjatë karrierës së tij, ai ka kontribuar në mënyrë aktive në proceset shumëpalëshe dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ndër të cilat Nënkryetar i Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC), Nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të UNICEF-it, si dhe drejtues i proceseve të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit dhe në kuadër të UNESCO-s.

Z. Hoxha është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë dhe Letërsi Frënge. Ai zotëron në mënyrë të shkëlqyer gjuhët angleze, frënge dhe italiane. Është nderuar me dekorata të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat “Oficer i Madh” i Urdhrit Kombëtar të Meritës të Republikës së Francës dhe “Oficer i Urdhrit të Yllit të Italisë”.