Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gazetarja (Linda Karadaku): Çështja kryesore që diskutohet me Greqinë është përcaktimi i kufirit detar. Kryeministri Rama tha se çështja është në Strasburg. A ka ndonjë lëvizje, apo thjesht është dërguar atje dhe jemi në pritje?

Ministri Hoxha: Së pari, nuk besoj se është çështja kryesore. Është një ndër çështjet kryesore që kemi në marrëdhëniet me Greqinë, sepse këto marrëdhënie janë më komplekse se kaq. Megjithatë, e kuptoj ndjeshmërinë që keni për këtë çështje, e cila mbetet ende e pazgjidhur.

Nuk bëhet fjalë për Strasburgun, pasi mund të ketë pasur një keqkuptim ose të jetë dëgjuar gabim. Ne kemi rënë dakord që, përderisa për rreth 20 vite u përpoqëm ta zgjidhim në rrugë dypalëshe dhe të gjithë e dimë historinë,  por nuk ia dolëm, të dyja palët t’i drejtohen një instance të pavarur.

Meqenëse kuadri ligjor ndërkombëtar ekziston,  edhe në takimet e fundit mes kryeministrave, si dhe në takimin që kam pasur me homologun tim, Gerapetritis, kemi rënë dakord që kjo çështje t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar. Pra, do ta çojmë për  ta trajtuar dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje të barabartë, të ndershme dhe të pranueshme për të dyja palët, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, jo në Strasburg.

Strasburgu nuk ka lidhje me këtë çështje. Pra, ne do t’i drejtohemi një instance ndërkombëtare të pavarur.

 

Pyetje: Ju thatë që kjo nuk është çështja më e rëndësishme me Greqinë. Po cila është?

Ministri Hoxha: Jo, sepse ka shumë çështje. Në marrëdhëniet dypalëshe ekziston një numër çështjesh që janë të rëndësishme. Për mua, sot gjëja kryesore është që ne të kemi marrëdhënien më të shëndoshë të mundshme, në mënyrë që me Greqinë të vazhdojmë këtë rrugëtim në marrëdhëniet dypalëshe, në të mirë të interesave të përbashkëta të secilit vend, të popujve tanë, të komunitetit shqiptar në Greqi dhe të minoritetit grek në Shqipëri.

Mbi të gjitha, ta kemi Greqinë partnere në rrugëtimin tonë evropian, i cili  besoj, është prioriteti më i madh kombëtar i Shqipërisë. Kjo është për mua parësore dhe, brenda kësaj, sigurisht përfshihen edhe të gjitha çështjet që janë për t’u trajtuar dhe zgjidhur me Greqinë.

 

Pyetje: Por ndërkohë, ligji i luftës vazhdon të jetë në fuqi. Keni diskutuar me homologun tuaj Gerapetritis për këtë?

Ministri Hoxha: Absolutisht. Kemi diskutuar edhe për këtë. Siç ju thashë, kryeministrat janë takuar dje paradite. Unë jam takuar me homologun tim pas këtij takimi dhe kemi rënë dakord që, në të gjithë “shportën” e çështjeve dhe nuk besoj se ka nevojë t’i përmendim një nga një, pasi i dimë cilat janë ato. Në disa prej tyre kemi avancuar, në disa të tjera kemi procese që janë ende të hapura, ndërsa në disa çështje, përfshirë edhe atë që përmendni ju, nuk kemi avancuar aq sa duhet.

Kështu që kemi rënë dakord që për të gjitha këto çështje, së pari të hartojmë një plan veprimi, dhe së dyti të ngremë ekipe teknike mes dy palëve, të cilat do të punojnë gjatë muajve në vijim.

Siç e dëgjuat dje kryeministrin në bashkëbisedimin me gazetarin, kryeredaktorin e gazetës Kathimerini, ai premtoi se të gjitha këto çështje jo vetëm do të adresohen, por ne kemi shpresë, si edhe synim dhe vendosmëri, që t’i zgjidhim përpara fundit të vitit.

Pra, kini parasysh se bëhet fjalë për një kantier pune jashtëzakonisht aktiv, ku unë sigurishto të jem i angazhuar bashkë me ekipin tim, jo vetëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por me të gjithë ekipin shqiptar, natyrisht në dakordësi dhe në punë të pandërprerë me ekipin, ose ekipet, e palës greke.

 

 Pyetje: Zoti Ministër, për ta mbyllur pjesën me Greqinë, është tashmë një fakt publik që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë të tendosura. Ka pasur akuza, ka pasur tensione për çështje të ndryshme, që nga çështja Beleri e deri te probleme të tjera që janë diskutuar. Këtë herë, ajo që shohim edhe në Forumin e Delfit, me ardhjen e Kryeministrit Rama, ardhjen tuaj dhe takimin Rama–Mitsotakis,  pra disa zhvillime që ju i dini më mirë se unë dhe se kushdo tjetër  nuk janë thjesht çështje diplomatike, pra nuk janë vetëm takime për t’u takuar. Kur ka një ngrohje të marrëdhënieve dhe një hapje të çështjeve për t’u diskutuar e për t’u zgjidhur. Pyetja ime është: çfarë ndodhi tani që kemi këtë “pranverë” në marrëdhëniet shqiptaro-greke?

Ministri Hoxha: Unë do ta formuloja ndryshe atë përkufizim që i bëtë ju historikut të marrëdhënieve me Greqinë. Do të thoja që ne kemi provuar gjithçka me Greqinë. Kemi pasur momente tensioni, kemi pasur momente kur kemi testuar durimin e njëri-tjetrit, kemi pasur momente kur kemi rënë dakord dhe momente kur nuk kemi rënë dakord.

Dhe kam përshtypjen se, bazuar në këtë përvojë, në maturinë dhe në ecurinë e marrëdhënieve tona, të dy palët kanë arritur në një moment ku kuptojnë se e vetmja gjë që është në interesin më të mirë të vendeve tona, në interesin e bashkëpunimit rajonal, nëse e shohim Greqinë në rajonin e gjerë të Evropës Juglindore,  dhe në interesin tonë të padiskutueshëm, është të kemi marrëdhënie sa më të mira dhe sa më pozitive. Kjo vlen edhe për t’iu përgjigjur kërkesave të komunitetit shqiptar në Greqi, i cili është i mirëintegruar, i stabilizuar, kontribuon në ekonominë greke dhe përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona. Të gjitha këto janë pjesë e një “puzzle”-i që, në fund të fundit, kanë çuar në atë që ju e quani “pranverë”. Por kam përshtypjen se të dy palët kanë kuptuar që ka  një dëshirë të sinqertë dhe një energji shumë pozitive, të cilën ne nuk duam ta humbasim në asnjë formë. Është e vërtetë që Kryeministri nuk vjen këtu për të bërë fotografi. Edhe unë, modestisht, nuk kam kohë për të humbur me fotografi. Kemi ardhur për të punuar. Kemi shfrytëzuar çdo moment të mundshëm në kuadër të këtij forumi ndërkombëtar dhe ju siguroj se do të vazhdojmë me përpjekje të pandërprera për të bërë më të mirën, sepse nuk kemi kohë për të humbur në rrugën drejt Shqipërisë 2030.

 

Pyetje: Të kalojmë pak te ai rol, sado simbolik, që ka Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Në këto zhvillime gjeopolitike bëhet shumë e rëndësishme qëndrimi i çdo vendi, qoftë edhe i një vendi të vogël si Shqipëria. Ajo është pjesë e Bordit të Paqes, të krijuar dhe të drejtuar nga Presidenti Trump dhe, me sa duket, ne do të dërgojmë ushtarë në Gaza, apo jo?

Çështja është se, pavarësisht nëse dërgojmë 30 apo 50 ushtarë, ata shkojnë në një zonë lufte dhe shumë delikate, ku vazhdon një lloj lufte hibride dhe ku rreziku i sigurisë është shumë i lartë. A ekziston shqetësimi, të paktën tek ju, që ushtarët tanë atje mund të jenë në një rrezik potencial që do të kishte kosto edhe për qeverinë tuaj?

Ministri Hoxha: Së pari, pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes është miratuar me konsensus nga Parlamenti i Shqipërisë, i cili ka autorizuar Shqipërinë dhe Kryeministrin Rama për ta përfaqësuar vendin. Pra, kjo është një nga ato raste të rralla kur Parlamenti shqiptar bashkohet për një çështje që është në interes të vendit dhe që konsiderohet me të drejtë si e tillë në interes të imazhit të Shqipërisë dhe rolit të saj në arenën globale.

Siç e thatë edhe ju, pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël dhe pjesëmarrja mund të duket simbolike, duhet të jemi krenarë që bëhemi pjesë e një përpjekjeje për të ndërtuar diçka diku, për të kontribuar në ndërtimin e paqes në një vend me një histori shumë të dhimbshme. Bëhet fjalë për një nga konfliktet më të gjata në historinë moderne, pas Luftës së Dytë Botërore.

Nëse pjesëmarrja e Shqipërisë, së bashku me vendet e tjera të Bordit të Paqes, mund të kontribuojë që e nesërmja për banorët e Gazës të jetë ndryshe, ne do të jemi krenarë dhe të lumtur. Nëse Shqipëria mund të kontribuojë që një ditë të jetesohet projekti i mbështetur nga Bashkimi Europian, të cilin e mbështet edhe Shqipëria, pra projekti i dy shteteve që jetojnë në paqe, si Palestina dhe Izraeli. Atëherë kjo është diçka për të cilën duhet të jemi të lumtur dhe krenarë. Sa i përket angazhimit konkret, kam përshtypjen se ende nuk ka asgjë të dakordësuar. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është pjesë e diskutimeve, por nuk është institucioni që udhëheq diskutimet, për operacione apo pjesëmarrje konkrete ushtarake. Këto diskutime zhvillohen edhe me institucione të tjera. Aktualisht nuk ka asgjë të vendosur. Ka vetëm hamendësime të ndryshme, siç i përmendët edhe ju. Në çdo rast, këto janë çështje shumë serioze dhe do të trajtohen në nivelin më të lartë.

Asgjë nuk do të bëhet me nxitim dhe as duke vënë në rrezik jetën e askujt, aq më pak të ushtarëve tanë, të cilët kanë përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet edhe në operacione të tjera, po aq të rëndësishme dhe delikate. Ne nuk do të dërgojmë njerëz askund nëse nuk jemi të sigurt se ata shkojnë për të ndërtuar, për të ruajtur paqen dhe, në maksimumin e mundshëm, për të mos qenë në rrezik. Natyrisht, të gjitha këto vendime bazohen në analizat tona, në analizat e partnerëve tanë dhe në diskutimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë udhëheqëse të projektit. Çdo gjë do të vendoset në vendin e duhur, por nuk do të doja të spekulonim mbi elemente të veçanta. Ne duam të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi.

 

Pyetje: Ndërkohë zoti Ministër, lufta në atë rajon vazhdon. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë në një koalicion kundër Iranit dhe kemi një lloj status quo-je që ende nuk e dimë nga po shkon. Ndërkohë, çështja kryesore këtu ka qenë, qëndrimi i Washingtonit nuk ka qenë i njëjtë me atë të aleatëve evropianë. Pra, Shtetet e Bashkuara hynë në një lufte me Iranin bashkë me Izraelin, ndërkohë që partnerët evropianë kanë thënë se kjo nuk është lufta e tyre.

Shqipëria në këtë rast ku qëndron? Pra, a jemi me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit apo me qëndrimin e partnerëve evropianë?  A është apo nuk është kjo lufta jonë?

Ministri Hoxha: Nuk do t’ju japë njeri një përgjigje të prerë, sepse këto janë çështje shumë komplekse dhe të ndërthurura me shumë faktorë. Mos më kërkoni një përgjigje direkte, por po ju referoj deklaratës që ka bërë Kryeministri shqiptar më 28 shkurt, në ditën e parë kur ka nisur ajo që tashmë konsiderohet si përshkallëzim, luftë, apo përplasje ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër.

Kryeministri shqiptar e ka bërë të qartë se ne nuk ishim pjesë e këtij operacioni. Shqipëria, ashtu si asnjë vend anëtar i NATO-s, nuk u pyet për këtë operacion. As partnerët evropianë nuk u pyetën. Ky ka qenë një vendim i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, por ata mbeten partnerët tanë dhe ne i kuptojmë dhe i mirëkuptojmë arsyet që kanë çuar në një vendim të tillë të SHBA dhe Izraelit. Duke i parë gjërat në kompleksitetin e tyre, Kryeministri ka theksuar, dhe ky është edhe qëndrimi i Shqipërisë, se ne nuk do të derdhim lot për rrëzimin e një regjimi që është i njohur për krijimin dhe vazhdimin e një programi bërthamor  të ndaluar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, ndaj të cilave Shqipëria ka mbajtur qëndrim të qartë edhe si anëtare jo e përhershme e tij. Shqipëria nuk do të derdhë lot për shkatërrimin e një programi balistik që Irani e ka zhvilluar dhe e ka përdorur, siç e kemi parë edhe në përgjigjet ushtarake ndaj vendeve të Gjirit Persik. Ky program është gjithashtu në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria nuk do të derdhë lot për një regjim gjakatar ndaj popullsisë së vet, siç është parë edhe në shtypjen e protestave paqësore, me dhjetëra mijëra viktima. Po ashtu, Shqipëria nuk mund të ndihet keq ndaj një regjimi që ka kontribuar në destabilizimin e rajonit përmes të ashtuquajturave “proxy” forca, jo vetëm kundër Izraelit, por edhe kundër vendeve të Gjirit. Çdo destabilitet i tillë në atë rajon përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për jugun e Evropës, për Mesdheun dhe për Shqipërinë. Në këtë kuadër, Shqipëria ka një qëndrim të qartë edhe për faktin se nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, për arsye që lidhen me sulmin kibernetik të vitit 2022 dhe me sulme të tjera të përsëritura, përfshirë edhe sulme që nuk bëhen publike. Shqipëria sulmohet çdo ditë me sulme hibride dhe kibernetike nga grupe të lidhura, të verifikuara si të lidhura me Iranin. Pra, ky ka qenë qëndrimi ynë. Natyrisht, Shqipëria nuk ka marrë pjesë në operacione ushtarake, por nëse ndonjëherë krijohet mundësia për një kontribut në kuadër të aleatëve, kjo do të analizohet në mënyrë të veçantë.

 

Pyetje: Por ndërkohë, është kampi i muxhahedinëve në Manzë dhe pyetja ime është e drejtpërdrejtë, zoti Ministër: për sa kohë do të qëndrojnë ata atje?

Ministri Hoxha: Ne kemi një marrëveshje me ta dhe me partnerët tanë në kohën kur janë instaluar aty. Ajo është një marrëveshje humanitare. Pra, Shqipëria ka bërë një akt humanitar, në vazhdën e qëndrimit të Shqipërisë ndaj njerëzve në nevojë.

Siç kanë mbrojtur shqiptarët, duke rrezikuar jetën e tyre, hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e bërë Shqipërinë një rast unik që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj, siç kemi bërë me ushtarët italianë pas kapitullimit të Italisë, siç kemi bërë me vëllezërit tanë kosovarë, duke pritur rreth 500 mijë shqiptarë në vitin ’99 me krahë të hapur nga çdo familje shqiptare, dhe siç kemi bërë me afganët pas tërheqjes së  NATO-s, forcave ndërkombëtare nga Afganistani, kjo është në vazhdën e qëndrimit tonë.

Natyrisht, kjo na ka vendosur në një situatë të pakëndshme dhe të parehatshme në raport me Iranin. Irani e ka parë gjithmonë këtë si rrezik. Ne kemi qenë gjithmonë të qartë se ata nuk ndodhen këtu si platformë politike kundër regjimit të tyre.

Unë kam qenë vetë në pozicione ku më është dashur të mbaj qëndrime të prera me përfaqësuesit e tyre, për t’ua bërë të qartë se ata janë këtu për arsye humanitare dhe nën besën e Shqipërisë. Natyrisht, kjo ka pasur rreziqet e veta, por është një situatë e menaxhueshme.

Për sa kohë do të qëndrojnë, nuk mund t’jua them. Natyrisht, ata janë të mirëpritur në Shqipëri, por duhet të jetë shumë e qartë që Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë një platformë për veprimtari politike apo të tjera të natyrës së tillë.

 

Pyetje: Të flasim pak për Ukrainën, sepse kemi tashmë konflikte që mbivendosen me njëra-tjetrën. Kishim Ukrainën, pastaj Lindjen e Mesme, dhe tani kemi dy konflikte në vazhdim, dy kriza të mëdha, duhet thënë. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt dhe nuk po duket fundi i një marrëveshjeje paqeje. Ndërkohë, Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë një qasje goxha të ndryshme nga administratat e mëparshme amerikane, si ajo e Presidentit Biden, ndaj Ukrainës dhe ndaj Presidentit Zelensky. A ka ndryshuar qëndrimi i Shqipërisë ndaj Ukrainës apo mbetet i njëjtë?

Ministri Hoxha: Qëndrimi i Shqipërisë nuk ka ndryshuar absolutisht në asnjë aspekt ndaj Ukrainës. Që nga momenti i parë dhe deri sot, Shqipëria mbështet luftën e drejtë dhe rezistencën e Ukrainës për të ruajtur integritetin e saj territorial në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, si dhe sovranitetin e saj. Shqipëria mbështet kauzën e drejtë të Ukrainës për të  bërë zgjedhjet që do , aty ku ajo e gjykon të nevojshme dhe të arsyeshme. Shqipëria ka qenë përkrah Ukrainës në planin humanitar, politik dhe ushtarak. Ka shumë detaje që nuk janë bërë publike dhe nuk ka nevojë të bëhen publike, por çdo gjë që kemi pasur mundësi të bëjmë për të ndihmuar popullin, qeverinë dhe shtetin ukrainas, e kemi bërë.

Kjo përfshin edhe qëndrimin politik në Këshillin e Sigurimit, ne, na ndodhi në muajin  e parë të fillimit të punës në Këshillin e Sigurimit, u detyruam të rishikonim pothuajse të gjithë qasjen dhe programin tonë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, së bashku me partnerët tanë europianë. Kam përshtypjen se bashku edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një partner i padiskutueshëm dhe një aktor kyç në këtë proces.

Ata janë në një proces negociatash dhe ne shpresojmë që ky proces të çojë aty ku duhet në një armëpushim dhe në një plan paqeje. Të gjithë e dimë që egziston, se nuk është e lehtë të bëhen bashkë në një plan paqeje dy vende si Ukraina dhe Rusia, që kanë interesa diametralisht të kundërta, por kjo është puna  e diplomacisë.

Shpresojmë që një ditë të arrihet një zgjidhje sa më shpejt, sepse kostoja e kësaj lufte nuk është vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Ky konflikt, ky rrezik, permanent, për arkitekturën e sigurisë në Evropë,  i cili na prek drejtpërdrejt edhe ne.

 

 Pyetje: Shqipëria kërkon të futet në Bashkimin Europian, kjo është ëndrra jonë dhe ne jemi evropianë, pavarësisht historisë sonë shpesh të komplikuar. Por ndërkohë, vetë Bashkimi Europian duket se është në një situatë goxha të ndjeshme, për të mos thënë delikate, në raport me administratën Trump.

Kemi parë shkëmbime akuzash, mosbesim të shprehur qartë, si dhe deklarata nga Presidenti Trump dhe administrata e tij ndaj liderëve evropianë. Kemi parë gjithashtu që vende kryesore të Evropës nuk janë bashkuar me qëndrimet e administratës amerikane për çështje shumë të rëndësishme globale.

Në këtë situatë, Shqipëria jonë e vogël është, në një farë mënyre, në mes. Në një situatë të tillë, nëse mund ta ndajmë në dy qendrime: çfarë pret dhe çfarë merr Shqipëria nga Bashkimi Europian dhe çfarë pret dhe çfarë merr nga Shtetet e Bashkuara?

Ministri Hoxha: Shqipëria nuk është “në mes”. Shqipëria është në vendin e vet. Nuk e di nëse është në mes, anash, lart apo poshtë, por Shqipëria është në vendin e saj.

Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të gjitha arsyet që ju, unë dhe të gjithë shqiptarët i dimë. Po ashtu, kemi marrëdhënie absolutisht të shkëlqyera me Bashkimin Europian.

Dhe ne nuk jemi thjesht duke “kërkuar” të hyjmë në Bashkimin Europian, ne po insistojmë të hyjmë dhe do të hyjmë në Bashkimin Europian. Nëse e vendosim në terma prioriteti, ky është prioriteti ynë kombëtar. Këtë e kanë përcaktuar shqiptarët që në momentin e parë të rrëzimit të diktaturës dhe e kanë konfirmuar në vijimësi, këtë e kanë përcaktuar të gjitha forcat dhe aktoret politike.

Nuk ka në Shqipëri parti apo aktor politik që të mos e mbështesë anëtarësimin në BE. Kjo është një fat i madh për ne, sepse kemi një shoqëri me një drejtim të qartë.

Ne nuk kemi pse të vendosemi “në mes” të askujt. Do të ndjekim interesat tona, do të mbajmë marrëdhëniet më të mira të mundshme me një vend që e kemi mik, aleat dhe partner,  me një vend me të cilin kemi një histori të pazgjidhshme që nga gjeneza e shtetit shqiptar, por njëkohësisht do të ndjekim interesin tonë për tu bërë vend anëtarë në Bashkimin Europian, sepse aty jemi, në Evropë.

Mes partnerëve mund të ketë gjithmonë dakordësi dhe mosdakordësi, momente më të mira apo më delikate. Por, në analizë të fundit, bota perëndimore është dhe do të mbetet një, dhe në botën perëndimore, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë më tepër interesa që i bashkojnë sesa që i ndajnë.

Momente të tilla nuk janë të reja në histori, ka pas edhe të tjera. E ardhmja mund të jetë e paparashikueshme, por unë jam besimplotë që, ajo që ne e quajm që është shtylla kryesore e marrëdhënieve pas BE-së, Evropës si kontinet dhe Shteteve të Bashkuara, lidhja transatlantike,  do të vazhdojë të mbetet e fortë si një element dhe një garanci e padiskutueshme, që e bën oqeanin që na ndan  të padukshëm.

 

Pyetje: Edhe një pyetje të fundit, që lidhet me diçka që ne e kemi festuar në Tiranë dhe që ka qenë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por jo vetëm  edhe për shqiptarët kudo që jetojnë në rajon: NATO-ja dhe anëtarësimi i Shqipërisë në të.

Por ndërkohë, aleanca nuk duket se po kalon ditët e saj më të mira. Kemi pasur një paralajmërim nga Presidenti Trump, i cili ka thënë se po shqyrton mundësinë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO. Ndërkohë, aleatët evropianë e kanë mbrojtur fort aleancën, siç e mbrojmë edhe ne sepse është ombrella jetike e sigurisë. Pyetja ime është: a besoni se, në skenarin më të keq, NATO mund të mbijetojë nëse Shtetet e Bashkuara do të dilnin prej saj?

Ministri Hoxha: Shikoni, në profesionin tim ne jetojmë me opsione, me hamendësi, por nuk flasim kurrë mbi hamendësime. Pra, në punën tonë ne bazohemi në opsione “çfarë ndodh nëse, çfarë do bëjmë nëse…”, por unë nuk kam pse flas për to, dhe nuk kam pse flas për to. NATO sot është e fortë dhe solide. Për pak muaj do të mbahet samiti i radhës në Ankara. Vitin e ardhshëm, shpresojmë ta përmbyllim fillimisht samitin në Ankara, ndërsa në samitin vijues  NATO do të jetë në Shqipëri. Nuk kam asnjë shqetësim për forcën, soliditetin, rëndësinë dhe rolin e NATO-s në një kontinent dhe në një botë kaq të trazuar dhe me një të ardhme të paparashikueshme.  Nuk shoh mënyrë tjetër për organizimin përtej NATO-s, sepse asgjë nuk e zëvendëson atë. Deklaratat pasojnë njëra-tjetrën; ndonjëherë janë më të forta, ndonjëherë më të buta, por ajo që ka rëndësi janë vendimet që merren. Dhe jam i bindur se vendimet do të merren, si gjithmonë në NATO, bashkë.