Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka marrë pjesë në një aktivitet të Institutit për Studime Ndërkombëtare, ku ka shpalosur linjat e politikës së jashtme dhe vizionin për të ardhmen.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha postim në X:

Faleminderit Institutit për Studime Ndërkombëtare dhe Dr. Albert Rakipi, për mundësinë që më dhanë për të shpalosur, shkurt, linjat kryesore të politikës sonë të jashtme sot dhe vizionin për të ardhmen.

Orientimi ynë i hershëm dhe i qartë drejt botës #euroatlantike, si garanci për demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin e vendit, si dhe si shprehje e aspiratës sonë për liri dhe përkatësi perëndimore, është dhe do të vijojë të jetë në qendër të projektimit tonë të jashtëm.

Në zhvillimet e sotme, kur rendi global që kemi njohur është zbehur dhe në tkurrje, ndërsa ai që po formësohet ende nuk ka konture të qarta, politika jonë e jashtme duhet të jetë fleksibël dhe dinamike.

👉 Anëtarësimi në #BashkiminEvropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një transformim i thellë. Jo vetëm një destinacion, por një rrugë konkrete modernizimi dhe përparimi; jo thjesht një tjetër organizatë, por një mënyrë të menduari dhe të jetuari.

👉 Shqipëria ka investuar në mënyrë të qëndrueshme dhe me sukses në #BashkëpuniminRajonal, me bindjen se pa marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe pa një bashkëpunim ndërtues dypalësh e shumëpalësh, do të ishte më e vështirë të ndërtonim perspektivën tonë evropiane. Nëse fqinjët nuk i zgjedhim, mund të zgjedhim cilësinë e marrëdhënieve që ndërtojmë me ta, dhe këtë kemi bërë e do të bëjmë. Shqipëria e sheh bashkëpunimin rajonal si një përshpejtues të anëtarësimit në BE, sepse vetëm bashkëpunimi i vërtetë e bën #Ballkanin realisht #Perëndimor.

👉 Në këtë kuadër, marrëdhëniet e ngushta e të gjithanshme me Republikën e #Kosovës përbëjnë një dimension të veçantë, të qëndrueshëm dhe të pandryshueshëm. Pas 18 vitesh pavarësi, është provuar bindshëm se rajoni ynë, shqiptarët dhe serbët në Kosovë, jetojnë më mirë dhe me më shumë perspektivë në këtë realitet të ri. Ky fakt duhet të shërbejë si bazë për një qasje më pragmatike dhe të orientuar drejt së ardhmes nga vendet që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës, në mënyrë që stabiliteti, bashkëjetesa dhe integrimi evropian të vendosen mbi ndarjet e së kaluarës.

👉 Mbështetja jonë për #shqiptarët në rajon mbetet një shtyllë e rëndësishme e angazhimit tonë. Kjo qasje synon forcimin e stabilitetit, bashkëjetesës dhe integrimit evropian të të gjithë rajonit, në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe vlerat evropiane. Kjo vlen për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e tyre shteformues si dhe për ata në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës.

👉 Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe ruajtja e forcimi i partneritetit #euroatlantik me të gjitha vendet aleate, përfshirë në radhë të parë me SHBA, janë dy anë të së njëjtës medalje, asaj që përkufizon botën perëndimore si një hapësirë vlerash dhe sigurie.

👉 Për vende të vogla si Shqipëria, #multilateralizmi mbetet një instrument i rëndësishëm për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në arenën ndërkombëtare. Mjafton të përmendim mandatin tonë të parë në Këshillin e Sigurimit. Në këtë kuadër, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është një parim themelor që garanton parashikueshmëri, stabilitet dhe barazi mes shteteve. Për Shqipërinë, mbështetja për këtë rend nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një interes strategjik i drejtpërdrejtë.

👉 Në botën e sotme, politika e jashtme nuk mund të mbetet vetëm një instrument përfaqësimi, por duhet të shndërrohet në një motor të zhvillimit ekonomik. Synimi ynë është që #DiplomaciaEkonomike të mos mbetet një slogan, por të kthehet në një plan konkret veprimi, duke përdorur rrjetin tonë diplomatik edhe si një platformë shërbimi për #biznesin, dhe duke e bërë politikën e jashtme një #katalizator real të transformimit ekonomik të vendit. Në këtë vizion synojmë të përfshijmë gjithnjë e më shumë diasporën shqiptare, “Shqipërinë Përtej”, si një partner të rëndësishëm të zhvillimit kombëtar.

👉 Nëse interesat tona themelore ndërthuren dhe konvergojnë natyrshëm në Evropë dhe në hapësirën euroatlantike, vizioni dhe angazhimi ynë shkojnë përtej tyre, në #MbarëBotën. Në planet tona të punës, do të vijojmë të kultivojmë dhe forcojmë partneritete të rëndësishme me vendet e tjera, mike apo qoftë vetëm të interesuara, pavarësisht gjeografisë, sikurse po ndërtojmë e kultivojmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunuese me vendet e Gjirit, po jo vetem, si dhe me shumë vende të tjera me të cilat ndajmë interesa të përbashkëta për bashkëpunim dhe përfitime reciproke.

👉 Shqipëria më kërkuese e më ambicioze si dhe politika e jashtme për brezat e ardhshëm kërkojnë detyrimisht dhe një #ShërbimTëJashtëm në lartësinë e sfidave të kohës, i cili del nga zona e komfortit që i jep rehatia e statusit për të hyrë në një kulturë performance të bazuar në rezultate, në përputhje me ambiciet tona të mëdha për të ardhmen.

Në këtë mënyrë, duke punuar me këmbëngulje, vendosmëri dhe qartësi, synojmë të bëjmë Shqipërinë anëtare në BE, vendin edhe më të respektuar, dhe të ardhmen tonë edhe më të sigurt dhe më të begatë.

 

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2049387125968130251?s=46