Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar ditën e sotme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Një takim mjaft produktiv sot, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme (FAC), me Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen.

Vlerësuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale Shqipëri–Holandë dhe rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, të sigurisë dhe çështjeve Evropiane.

Shpreha mirënjohjen e Shqipërisë për rolin konstruktiv dhe parimor të Holandës në mbështetje të procesit tonë të anëtarësimit në BE, si edhe për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Ritheksova vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për të avancuar negociatat me ritëm ambicioz, përmes zbatimit të reformave konkrete dhe përmbushjes së të gjitha standardeve të kërkuara në një proces të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Për Shqipërinë, fjalët kyçe mbeten të qarta: reformat dhe zbatimi efektiv i tyre.

Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj të anëtarësimit në BE dhe ndaj bashkëpunimit të ngushtë e të pandërprerë me të gjithë partnerët evropianë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar.