Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

“Sfidat e Përbashkëta, e Ardhmja e Përbashkët: Ukraina dhe Evropa Juglindore për një Evropë të Sigurt dhe të Qëndrueshme”

Tiranë, 12 qershor 2026

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë njofton se më 12 qershor 2026, në Tiranë, do të zhvillohet Takimi Ministror “Ukrainë – Evropa Juglindore”, me pjesëmarrjen e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, Ukrainës si dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane. Ky Ministerial bashkë-organizohet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Ferit Hoxha, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Sh.T. Z. Andrii Sybiha.

Ministeriali do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për dialog politik, solidaritet dhe koordinim të shtuar ndërmjet Ukrainës dhe vendeve të Europës Juglindore. Diskutimet do të fokusohen në çështje të sigurisë rajonale, përballjen me kërcënimet hibride, sigurinë energjetike, rimëkëmbjen ekonomike, si dhe mbështetjen për rindërtimin dhe rimëkëmbjen afatgjatë të Ukrainës. Takimi do të theksojë gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, koordinimit të shtuar euro-atlantik dhe avancimit të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian mbi bazën e vlerave të përbashkëta dhe qasjes së bazuar në meritë.

Përfaqësuesit e medias që dëshirojnë të ndjekin këtë takim Ministerial janë të lutur të aplikojnë për akreditim.

Programi mediatik parashikon:

  • Foto nga mbërritja e delegacioneve;
  • Fjalët hapëse të Ministerialit;
  • Konferencën e përbashkët për shtyp.

Aplikimet për akreditim duhet të dërgohen në adresën elektronike:

media-ministerial.tirana@mfa.gov.al

Aplikantët duhet të paraqesin:

  • Emër dhe mbiemër;
  • Funksionin/pozicionin;
  • Emrin e institucionit ose medias;
  • Fotografi personale.

Afati për paraqitjen e kërkesave për akreditim është 3 qershor 2026.

Përfaqësuesit e medias të akredituar do të marrin një konfirmim përmes postës elektronike dhe tërheqja e badge-ve të akreditimit do të bëhet në hollin kryesor të Hotel Tirana International më:

  • E mërkurë, 10 qershor 2026, ora 10:00-14:00
  • E enjte, 11 qershor 2026, ora 10:00-14:00

Informacione të mëtejshme mbi aspektet logjistike, programin mediatik dhe procedurat e aksesit do t’u komunikohen mediave të akredituara në vijim.