Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Me rastin e Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim të UNESCO-s, Zëvëndësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, mori pjesë në festimin e ditës së Gjuhës dhe Kulturës Arabe dhe promovimin e përkthimit në shqip të veprës “Kultura në Kuvajt” të Dr. Khalifa Al-Wuqayyan.

Aktiviteti u organizua për të katërtin vit radhazi nga Universiteti Mesdhetar dhe Qendra Abdulaziz Saud Albabtain për Kulturën dhe Gjuhën Arabe, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të vendeve arabe, përfaqësuesve diplomatikë, studiuesve, pedagogëve dhe studentëve.

Në fjalën përshëndetëse Zëvëndësministrja Premti theksoi se kultura, gjuha dhe arti janë ura që afrojnë popujt përtej politikës dhe interesave të përbashkëta. Vlerësova rëndësinë e gjuhës arabe si një nga gjuhët më të lashta dhe më të pasura të qytetërimit botëror, bartëse e një trashëgimie të vyer historike, letrare dhe shkencore.

Gjithashtu, ajo nënvizoi traditën shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare, si dhe ngjashmëritë me kulturën arabe dhe kuvajtiane në vlerat e mikpritjes, respektit dhe bashkëjetesës. Në një botë të përballur me tensione dhe paragjykime, dialogu kulturor mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e mirëkuptimit dhe besimit mes popujve- u shpreh ajo.

Një vlerësim të veçantë Zëvëndësministrja Premti i kushtoi rolit të UNESCO-s në promovimin e kulturës, arsimit dhe dialogut ndërmjet qytetërimeve, si dhe diplomacisë kulturore si pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe vepra “Kultura në Kuvajt” e Dr. Khalifa Al-Wuqayyan, e cilësuar si një kontribut i rëndësishëm për njohjen e kulturës dhe trashëgimisë kuvajtiane.

Në përfundim, Zëvëndësministrja ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për promovimin e dialogut ndërkulturor dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet arabe në fusha si kultura, arsimi, shkenca, turizmi dhe shkëmbimet njerëzore.

“Kultura dhe fjala e mirë të vazhdojnë të shërbejnë si ura miqësie dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve”- përfundoi fjalën Zëvendësministrja Premti.