Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

“Gjatë këtij takimi, nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian”, – bën me dije Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ferit Hoxha.

“E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin. E sigurova për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, – vijoi më tej ai.

Gjithashtu ministri nënvizoi se në takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve. Si edhe iu kushtua vëmendje të veçantë zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së, duke shprehur respektin dhe solidaritetin për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin në pafajësinë e tyre.

Njëkohësisht, ministri ritheksoi pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor.