Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Belgjikë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u prit në Bruksel nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prévot.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe diskutimet konstruktive me homologun e tij belg, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Belgjikës, si edhe angazhimin e përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe forcimin e partneritetit dypalësh.

Gjatë takimit, ai përshëndeti veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur një ambasadë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një hap konkret dhe të rëndësishëm që do t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se ky zhvillim do të kontribuojë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e tregtisë dhe investimeve, promovimin e turizmit, avancimin e bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe krijimin e mundësive të reja në sektorë të ndryshëm.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në bashkëpunimin e ngushtë në fushat e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe në sfidat më të gjera të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Palët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe nënvizuan rëndësinë e një përgjigjeje të fortë dhe të bashkuar evropiane ndaj sfidave aktuale gjeopolitike.

Ministri Hoxha vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Belgjikë, duke e konsideruar atë një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe një faktor kyç në forcimin e marrëdhënieve njerëzore, kulturore dhe ekonomike.

Ai shprehu gjithashtu vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Pas zhvillimit të suksesshëm të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re vendimtare, me fokus në përmbushjen e reformave të mbetura, avancimin e negociatave dhe ecjen e qëndrueshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Në përfundim të takimit, Ministri Hoxha i përcolli homologut të tij belg ftesën për të vizituar Shqipërinë në një të ardhme të afërt, me synimin për të vijuar dialogun e frytshëm dhe për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në frymën e bashkëpunimit evropian.