Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Sekretari i Përgjithshëm, z. Armand Skapi, mori pjesë në Takimin e 52-të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), i zhvilluar nën kryesimin e Gjeorgjisë.

Në fjalën e tij, z. Skapi vlerësoi rolin e Kryesisë gjeorgjiane dhe punën e Sekretarit të Përgjithshëm të BSEC, z. Lazar Comanescu, në forcimin e profilit ndërkombëtar të organizatës dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria ritheksoi mbështetjen për bashkëpunimin gjithëpërfshirës mes vendeve anëtare në përballimin e sfidave aktuale ekonomike dhe sociale, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të parimeve të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, z. Skapi dënoi agresionin e paligjshëm dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën dhe duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Sekretari i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe BSEC, veçanërisht në fusha si kultura, turizmi, kërkimi shkencor, inovacioni, ndryshimet klimatike dhe mjedisi.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Z. Skapi theksoi se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik gjeopolitik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinent. Në këtë kontekst, Shqipëria vlerësoi Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi angazhimin e saj për avancimin e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Në përfundim, z. Skapi nënvizoi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke përmendur zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri më 26 maj 2026, si një hap inkurajues drejt përmbylljes së negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030.

Në fund të takimit kryesia e BSEC-ut kaloi nga Gjeorgjia tek Greqia.