Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Faleminderit, Marilena,

Faleminderit që na bëtë pjesë të këtij takimi të rëndësishëm.

Për dekada me radhë, kur flisnim për sigurinë, mendonim për territorin, kufijtë dhe fuqinë ushtarake.

Sot, harta e sigurisë duket ndryshe.

Gjithnjë e më shumë, përballja po zhvillohet në një fushë më pak të dukshme: në hapësirën ku qytetarët formojnë opinionet e tyre, ku ndërtohet ose gërryhet besimi ndaj institucioneve; ku faktet konkurrojnë me manipulimin; dhe ku e vërteta sfidohet nga dezinformimi i qëllimshëm.

Për një kohë të gjatë besuam se ishim të imunizuar ndaj këtyre kërcënimeve. Sot po mësojmë se sa më afër Bashkimit Evropian afrohemi, aq më shumë bëhemi objektiv i atyre që nuk ndajnë qëllimet, vlerat, ambiciet dhe zgjedhjet tona strategjike, qoftë Rusia apo aktorë të tjerë.

Në ditët e sotme përballemi me një sulm të madh kibernetik çdo sekondë.

Mburoja Evropiane për Demokracinë promovon me të drejtë një qasje që përfshin të gjithë qeverinë dhe të gjithë shoqërinë. Ne shohim edhe një dimension të tretë: një qasje që përfshin të gjithë Evropën.

Zgjerimi është, para së gjithash, një proces transformues i brendshëm përmes reformave të mirëpërcaktuara; ai është gjithashtu një investim për të ardhmen e Evropës. Ne e shohim atë edhe si një investim në qëndrueshmërinë demokratike.

Sepse, pa qytetarë dhe pa një shoqëri të pajisur dhe të fuqizuar për të njohur dhe për t’i rezistuar manipulimit dhe ndërhyrjeve keqdashëse, të përhapura me kujdes në hapësirën e rrjeteve sociale, rrezikojmë të gërryejmë besimin publik dhe të shkatërrojmë kohezionin shoqëror.

Prandaj, vendimi për ta hapur këtë platformë edhe për ne, vendet kandidate, me qëllim bashkëpunimin në kuadër të nismave kyçe evropiane, veçanërisht të Observatorit Evropian të Mediave Digjitale, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me vlerë të veçantë.

E njëjta gjë vlen edhe për Rrjetin Evropian të Verifikuesve të Fakteve. Në kohën tonë, faktet mbeten linja e parë e mbrojtjes së demokracisë.

Por kjo mbrojtje mbështetet te qytetarët e informuar; te media e lirë, e pavarur dhe etike; te shoqëria civile pjesëmarrëse; si dhe te besimi i publikut në institucionet demokratike.

Mburoja për Demokracinë ofron një mundësi për t’i bashkuar të gjitha këto elemente dhe përgjigjja jonë duhet të jetë e koordinuar për të qenë efektive.

Ne jemi të gatshëm jo vetëm të marrim pjesë, por edhe të kontribuojmë në çdo mënyrë të mundshme, qoftë përmes asociimit, qoftë përmes projekteve konkrete.

Faleminderit.