Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Me ftesë të Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, mori pjesë në “AI Business Summit II – AI in Practice”, një hapësirë e rëndësishme dialogu mbi rolin që inteligjenca artificiale mund dhe duhet të luajë në ekonominë, biznesin dhe transformimin digjital të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj, znj. Premti theksoi se, në një kohë kur Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përafrimit me tregun e përbashkët evropian, inteligjenca artificiale nuk mund të shihet si një temë e veçuar. Sipas saj, ajo lidhet drejtpërdrejt me konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, cilësinë e shërbimeve publike, inovacionin, investimet dhe aftësinë e vendit për të mbajtur talentin.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke vlerësuar se marrëdhëniet dypalëshe kanë baza të forta në tregti, turizëm, energji, shërbime dhe investime. Në këtë kontekst, znj. Premti theksoi se është koha që këtij bashkëpunimi t’i shtohet edhe një dimension i ri: inovacioni.

Në përfundim, Zëvendësministrja Premti u shpreh se Shqipëria ka potencialin, ambicien dhe kapitalin njerëzor për të qenë një pjesëmarrëse aktive në ekonominë digjitale evropiane.