Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme mori pjesë në Takimin Ministerial me partnerët nga Bahreini, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nën Nismën e Bashkëpunimit të Stambollit (ICI).

Diskutimet u fokusuan tek sfidat gjithnjë e më të lidhura të sigurisë që përballen rajoni Euro-Atlantik dhe ai i Gjirit, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pasigurinë në Lindjen e Mesme, kërcënimet hibride dhe rolin në rritje të aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë.

Takimi konfirmoi angazhimin e përbashkët të NATO-s dhe partnerëve të saj të Gjirit për forcimin e dialogut politik, bashkëpunimit praktik dhe partneritetit strategjik, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e koordinimit më të afërt në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe avancimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dy rajonet.

Në kuadër të këtij samiti, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme mori pjesë edhe në Mbledhjen Ministrore të Këshillit NATO–Ukrainë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet e fundit në terren, rëndësinë e mbajtjes së mbështetjes politike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën, dhe përpjekjet për të forcuar rezistencën e saj përballë luftës së vazhdueshme të agresionit nga Rusia. Vëmendje e veçantë i është kushtuar rrugës evropiane të Ukrainës. Shqipëria mirëpriti nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE, duke theksuar se ky hap është jo vetëm i rëndësishëm për të ardhmen e Ukrainës brenda Evropës, por edhe një konfirmim i fuqishëm që zgjedhjet sovrane të Ukrainës i takojnë vetëm popullit ukrainas.

Çdo hap që Ukraina bën drejt Bashkimit Evropian forcon pavarësinë e saj, fuqizon sigurinë evropiane, dhe përfaqëson një investim strategjik për paqe, stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm në të gjithë kontinentin.