Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF).

Gjatë takimit, Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, si një kontribut konkret në terren në funksion të avancimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim”, u shpreh Hoxha.

Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj, përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, në mbështetje të përpjekjeve për krijimin e kushteve për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, si dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm, për një jetë më të mirë për të gjithë”, deklaroi Ministri Hoxha.

Ministri Hoxha nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka demonstruar në mënyrë të vazhdueshme angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.

“Kontributi ynë në ISF është një vazhdim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe i besimit tonë se vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, mund të japin kontribute domethënëse në adresimin e sfidave të kohës sonë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, përfundoi Ministri Hoxha.