Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, 8 shtator 2026 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dënoi nderimet e organizuara në Serbi për Ratko Mladićin, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ministri Hoxha ka reaguar që në momentin kur u bë i njohur lajmi për nderimet e planifikuara, duke paralajmëruar se glorifikimi i një krimineli të dënuar lufte përbën fyerje për viktimat dhe të mbijetuarit, si dhe një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për pajtim në rajon.

Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit dhe strukturat e tij ushtarake nuk janë një kapitull i largët i historisë. Edhe shqiptarët e Kosovës, i kanë përjetuar drejtpërdrejt dhunën, dëbimet masive, persekutimin dhe krimet e luftës të kryera prej këtij regjimi. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të nderuar protagonistët e kësaj politike kriminale prek drejtpërdrejt kujtesën dhe dinjitetin e viktimave.

“Glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik nuk rihapin vetëm plagët e së kaluarës. Ato çnderojnë viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve dhe minojnë mundësinë e një pajtimi të vërtetë”, u shpreh Ministri Hoxha.

Ai theksoi se pajtimi nuk mund të ndërtohet përmes relativizimit të krimeve apo rehabilitimit simbolik të autorëve të tyre, por vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë, llogaridhënien dhe respektin për viktimat.

“Rajoni ynë ka një të ardhme për të ndërtuar së bashku, por ajo nuk mund të ndërtohet duke glorifikuar përgjegjësit për kapitujt më të errët të së kaluarës. Duhet të jetë një e ardhme e mbështetur në paqe, respekt të ndërsjellë dhe në angazhimin e palëkundur që krime të tilla të mos përsëriten kurrë”, përfundoi Ministri Hoxha.