Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian mbështetet në një zgjedhje strategjike kombëtare dhe në një angazhim të palëkundur për zbatimin e reformave.

Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Ministri Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë nuk është diktuar nga rrethanat apo leverdia, por është një zgjedhje e përqafuar ndër breza dhe e mbështetur nga një konsensus i gjerë publik.

“Për Shqipërinë, zgjedhja evropiane nuk është diktuar nga leverdia apo rrethanat. Ajo ka qenë një vendim strategjik kombëtar, i përqafuar nga breza shqiptarësh dhe i mbështetur nga një konsensus jashtëzakonisht i fortë publik”, u shpreh Ministri Hoxha.

Sipas Ministrit, Evropa për Shqipërinë nuk përfaqëson thjesht një destinacion, por një rikthim në hapësirën së cilës i përket.

Ministri Hoxha nënvizoi se Shqipëria ka ndërmarrë një agjendë të gjerë transformimi, përmes reformimit të sistemit të drejtësisë, modernizimit të administratës dhe përmirësimit të qeverisjes.

Duke u ndalur te parimi i meritës, Ministri Hoxha theksoi se ai mbetet thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit, ndërsa Shqipëria nuk kërkon favore apo rrugë të shkurtra, por një proces të drejtë dhe të bazuar në rezultatet e arritura.

“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet. Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij”, deklaroi Hoxha.

Ai theksoi gjithashtu se besueshmëria e procesit duhet të funksionojë në të dyja drejtimet, duke kërkuar nga vendet kandidate realizimin dhe zbatimin e reformave, si dhe rezultate të prekshme, ndërsa përparimi i arritur duhet të njihet nga Bashkimi Evropian.

Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt BE-së ka qenë i konsiderueshëm.

“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve. Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një date në kalendar. Ka të bëjë me arritjen e nivelit të përgatitjes që i mundëson një vendi të kontribuojë plotësisht në projektin evropian, që nga dita e parë”, u shpreh Ministri.

Gjithashtu ai nënvizoi se fokusi i Shqipërisë në këtë fazë është zbatimi i reformave dhe përmbushja e angazhimeve të ndërmarra.

“Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, përfundoi Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.