Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Sofje, Bullgari – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën për Korridorin VIII, të organizuar nga Ministrja për Punët e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, në Sofje.

Konferenca e Sofjes vijon takimin Ministror për Korridorin VIII, të organizuar nga Shqipëria në Tiranë, në shkurt të këtij viti, i cili përcaktoi një vizion të përbashkët politik për avancimin e këtij korridori strategjik.

Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se fokusi tashmë duhet të jetë në përkthimin e angazhimit politik në rezultate konkrete.

“Sot, në Sofje, fokusi ynë është i qartë: ta kthejmë angazhimin politik në zbatim konkret. Suksesi i Korridorit VIII nuk do të matet me deklarata, por me zbatimin. Për Shqipërinë, kjo do të thotë të ndërtojmë një korridor të vetëm, plotësisht funksional, dhe jo një seri projektesh kombëtare të palidhura”, u shpreh ministri Hoxha.

Duke nënvizuar rëndësinë strategjike të Korridorit VIII, ministri e cilësoi atë si shumë më tepër se një projekt transporti.

“Ai është një portë strategjike Lindje–Perëndim që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke bashkuar ekonomitë tona, rrjetet energjetike, interesat tona të sigurisë dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha ministri Hoxha.

Sipas tij, Korridori VIII është gjithashtu një projekt me rëndësi të veçantë evropiane, me potencial për t’i bërë përfitimet e integrimit evropian të prekshme edhe përpara anëtarësimit.

“Lidhje më të mira do të thotë më shumë tregti, kosto më të ulëta transporti, më shumë investime dhe konkurrueshmëri më të lartë. Mbi të gjitha, ai afron qytetarët, bizneset dhe tregjet tona”, u shpreh ministri.

Në këtë kuadër, ministri Hoxha theksoi se ndërlidhja rajonale është e pandashme nga siguria, duke vënë në dukje rëndësinë strategjike të hapësirës që përfshin Adriatikun, Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi.

“Adriatiku, Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi janë pjesë e së njëjtës hapësirë strategjike. Forcimi i Korridorit VIII do të thotë gjithashtu forcim i infrastrukturës, lëvizshmërisë dhe qëndrueshmërisë që mbështesin sigurinë, parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive”, deklaroi ai.

Ministri Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë që Shqipëria i kushton avancimit të lëvizshmërisë ushtarake dhe nxitjes së një koordinimi më të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s për infrastrukturën prioritare me përdorim të dyfishtë.

Në përfundim, ministri theksoi se konsensusi politik për Korridorin VIII tashmë ekziston dhe se vëmendja duhet të përqendrohet në hapat konkretë për zbatimin e tij.

“Konsensusi politik tashmë ekziston. Ajo që nevojitet tani është një listë e qartë projektesh prioritare, afate realiste, koordinim më i fortë ndërmjet qeverive dhe një mekanizëm i qëndrueshëm për monitorimin e zbatimit”, tha ministri Hoxha.

“Shqipëria nuk është vetëm e angazhuar; ne kemi kaluar në fazën e zbatimit. Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin VIII nga vizion në realitet”, përfundoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

.