Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Është një kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres në Tiranë, Ministër Sa’ar.

Brukhim haba’im le’Albania! Mirë se erdhët në Shqipëri!

Sipas të dhënave tona, kjo është vizita e tretë e një Ministri të Jashtëm të Izraelit në Shqipëri.

Mund të themi fare mirë: E treta, e vërteta! Dhe do të kishim të drejtë, sepse, siç sapo ramë dakord, ky moment përfaqëson pikën më të lartë të marrëdhënieve tona deri më sot. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë tonë të kahershme, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet gjithnjë e më shumë mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Sot, rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të mbështetura në lidhje të thella historike, marrëdhënie të forta diplomatike, vlera të përbashkëta demokratike, besim dhe respekt të ndërsjellë. Mbi të gjitha, në dëshirën dhe vullnetin politik të përbashkët për ta çuar partneritetin tonë edhe më tej.

Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit mes vendeve tona.

Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit do të zgjerojmë bashkëpunimin në një sërë fushash me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Marrëveshja hap mundësi të reja për institucionet tona që të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.

Siguria mbetet një shtyllë kryesore e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, si dhe përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.

Bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë gjatë viteve të fundit. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të vitit 2022 kundër infrastrukturës sonë kryesore digjitale. Që prej asaj kohe, kemi investuar vazhdimisht në rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturës sonë digjitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike.

Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në rrafshin ekonomik. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe më inkurajon interesi gjithnjë e më i madh i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi.

Lidhjet mes njerëzve janë gjithmonë në zemër të çdo partneriteti të qëndrueshëm. Vitet e fundit, rritja e turizmit është shndërruar në një urë të rëndësishme lidhëse mes vendeve tona, duke krijuar mundësi të reja për angazhim më të madh dhe shkëmbime më të shpeshta.

—

Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimin e saj për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe garantimin e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të armatosura që ai mbështet, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Shkëmbyem gjithashtu mendime mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Theksova rëndësinë themelore që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë drejtim, nënvizova se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet e ngushta që dy vendet kanë vendosur janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Ministër,
I dashur Gideon,

Pak popuj në histori kanë përjetuar aq shumë vuajtje, persekutim dhe tragjedi sa populli hebre.

Gjatë shekujve, e deri te tmerret e Holokaustit, ai ka kaluar një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit.

Krijimi i Shtetit të Izraelit ishte rezultat i kësaj historie të dhimbshme dhe i aspiratës së një populli për të jetuar në siguri dhe dinjitet në atdheun e të parëve të tij.

Megjithatë, historia e Izraelit është shënuar edhe nga luftëra, konflikte, pasiguri dhe humbje të përsëritura, që kanë sjellë dhimbje dhe vuajtje për shumë jetë të pafajshme në mbarë rajonin, si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët.

Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm në shtëpitë dhe rrugët e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë tronditëse si për brishtësinë e paqes, ashtu edhe për rëndësinë themelore të sigurisë.

Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu sikurse asnjë paqe e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi pasigurinë, dhunën dhe frikën e përhershme.

Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë pasuar kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët.

Kjo e ka bërë edhe më urgjente nevojën, së pari, për të garantuar sigurinë e Izraelit, por edhe për të ndjekur çdo mundësi për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Pikërisht në këtë këndvështrim, Shqipëria, përmes Kryeministrit Edi Rama, u bë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe vendosi të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke dëshmuar angazhimin tonë për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe përpjekjet humanitare në Gaza.

Sfida përpara bashkësisë ndërkombëtare është, pra, të ndihmojë në krijimin e kushteve që si izraelitët, ashtu edhe palestinezët, të mund të jetojnë në siguri, dinjitet dhe shpresë, të çliruar nga ciklet e dhunës që kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje brez pas brezi.

Për Shqipërinë, historia e popullit hebre ka një domethënie të veçantë.

Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, shqiptarët hapën dyert e shtëpive të tyre, mbrojtën familjet hebreje dhe u siguruan që ata që kërkonin strehim të gjenin siguri dhe dinjitet. Ndjeva krenari që pata mundësinë t’ju tregoja disa dokumente të asaj kohe, shumë prej të cilave kanë mbetur të panjohura për publikun deri vonë.

Ky mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë sonë kombëtare dhe një dëshmi e fuqishme e vlerave tona të humanizmit, solidaritetit dhe respektit për jetën.

Ne e kemi përmbledhur këtë qëndrim në një fjalë të vetme: BESA — fjala e dhënë, premtimi që mbahet.

Këto lidhje, të farkëtuara në kohë vështirësish dhe të udhëhequra nga guximi moral, vazhdojnë edhe sot të përbëjnë një themel të fortë për miqësinë në rritje mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe për angazhimin tonë të përbashkët për paqen, sigurinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Në këtë kuadër, e informova Ministrin se Shqipëria po çon përpara dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë.

Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare.

I dashur mik,

Jam i bindur se bisedimet tona të sotme do të konsolidojnë më tej bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe do të hapin shtigje të reja bashkëpunimi, në të mirë të të dy kombeve dhe popujve tanë.

Pres me kënaqësi të vijojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë.

Faleminderit.