Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, mori pjesë sot në Sesionin e 17-të Plenar të Asamblesë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), ku ndau vizionin e Shqipërisë për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rolin që vendet kandidate po luajnë në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit evropian.

Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Fino vlerësoi ARLEM si një platformë të rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi, e cila afron autoritetet vendore dhe rajonale, duke krijuar ura bashkëpunimi mes popujve dhe komuniteteve të rajonit euro-mesdhetar.

Zëvendësministrja nënvizoi se marrëdhëniet e mira ndër-rajonale, bashkëpunimi ekonomik, ndërlidhja infrastrukturore dhe kontaktet mes njerëzve kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e besimit, stabilitetit dhe zhvillimit, duke krijuar kushtet për një integrim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm evropian. Ajo theksoi se sfidat e përbashkëta të Mesdheut dhe të Evropës, nga siguria energjetike dhe lidhjet infrastrukturore, te ndryshimet klimatike dhe transformimi dixhital, kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe bashkëpunim më të thelluar ndërmjet vendeve partnere.

Duke folur për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Zëvendësministrja Fino u ndal në progresin e rëndësishëm të arritur gjatë viteve të fundit, duke theksuar se vendi ka hyrë tashmë në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Ajo ritheksoi objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Sipas saj, ky është një objektiv ambicioz, por realist, i mbështetur në rezultate konkrete reformash dhe në përkushtimin e vendit për të përmbushur standardet evropiane.

Zëvendësministrja Fino theksoi gjithashtu se vendet kandidate nuk duhet të shihen vetëm si përfituese të procesit të zgjerimit, por edhe si kontribuuese aktive në ndërtimin e së ardhmes evropiane. Në këtë kuadër, ajo solli në vëmendje kontributin e Shqipërisë në sigurinë evropiane, përfshirë harmonizimin 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), si dhe angazhimin e vazhdueshëm si aleate në NATO.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësministrja Fino vuri në dukje se ruajtja e ritmit të reformave mbetet thelbësore për suksesin e procesit të integrimit. Ajo paralajmëroi se, krahas sfidave tradicionale të reformimit institucional dhe demokratik, shoqëritë evropiane po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime hibride, sulme kibernetike, manipulim dhe ndërhyrje të huaj në informacion, si dhe fushata të dezinformimit që synojnë dobësimin e besimit të qytetarëve te institucionet demokratike.

Në këtë kontekst, Zëvendësministrja theksoi rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë demokratike përmes institucioneve të forta, rritjes së edukimit mediatik, përmirësimit të ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet vendeve partnere. Ajo nënvizoi se aftësia e shoqërive për të ruajtur besimin qytetar, për t’i rezistuar manipulimit dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve legjitime përmes mekanizmave demokratikë do të jetë vendimtare për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës në vitet që vijnë.

Fjala e plotë Zëvendësministres Megi Fino: https://punetejashtme.gov.al/newsroom/fjala-e-plote-e-zevendesministres-megi-fino-ne-sesionin-e-17-te-plenar-te-arlem-it/