Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka shprehur ngushëllimet për viktimat e ngjarjes tragjike pranë Brçkos, në Bosnje-Hercegovinë, ku u përfshi një helikopter i EUFOR-it, duke shkaktuar tre viktima dhe dymbëdhjetë të lënduar.

Në një reagim në platformën X, ministri Hoxha shprehu ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për Qeverinë dhe popullin italian. Ai gjithashtu u uroi shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë të lënduarve.

Ministri Hoxha theksoi se, në këtë moment të vështirë, Shqipëria qëndron krah Italisë, vendit mik dhe aleat në NATO, si dhe pranë gjithë komunitetit të EUFOR-it.

Ai nënvizoi gjithashtu angazhimin e përbashkët të personelit shqiptar, i cili shërben përkrah kolegëve italianë dhe ushtarakëve të tjerë të EUFOR-it, në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Bosnje-Hercegovinë.