Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

 

I dashur Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Ju falënderoj për këtë mundësi. Është një nga ato momentet e rëndësishme të punës sonë.

Do të ndalem veçanërisht te ajo që ky buxhet sjell të re: çfarë financojmë, cilat janë mekanizmat dhe instrumentet e reja që ndërtojmë dhe, në fund të fundit, ajo që është më e rëndësishme, çfarë rezultatesh do të sjellë realizimi i këtij projektbuxheti sot, gjatë vitit të ardhshëm, për qytetarët dhe për interesat e Shqipërisë, si dhe për interesat kombëtare.

Viti 2027, siç e dimë të gjithë, ka një peshë të veçantë. Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në bazë të planit që kemi ndërtuar së bashku me Komisionin Europian. Deri më sot, ne i jemi përmbajtur kësaj ambicieje dhe këtij plani në mënyrë rigoroze.

Kjo kërkon që ambicies politike t’i përgjigjen kapacitetet e shtetit dhe që diplomacia shqiptare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shërbimi i Jashtëm të jenë të përgatitur për fazën e re në të cilën po hyn vendi.

Pra, nuk po propozojmë thjesht një buxhet për funksionimin e një aparati, siç është Ministria apo sistemi ynë diplomatik jashtë vendit. Po propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj, duke pasur që sot mendësinë e të qenit anëtar i Bashkimit Europian.

Prioritetet tona për vitin 2027

Më lejoni t’i përmbledh përparësitë në nëntë drejtime kryesore.

  1. Integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave të anëtarësimit në BE

Objektivi ynë është, siç e thashë, që pjesën teknike, fazën e fundit të procesit teknik, ta përmbyllim deri në dhjetor të vitit 2027. Kjo na krijon kohë për të bërë pjesën tjetër politike dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

  1. Siguria euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO

Do të vijojmë kontributin aktiv në sigurinë kolektive. U përmend edhe buxheti i mbrojtjes nga Zëvendësministri.

Do të vijojmë misionet dhe operacionet e Aleancës, bashkëpunimin në mbrojtje, inteligjencë dhe siguri kibernetike, si dhe atë që është bërë gjithnjë e më e pranishme në përballimin e kërcënimeve hibride dhe, sidomos, të dezinformimit.

Kjo do të bëhet në bashkërendim të ngushtë me aleatët tanë.

  1. Shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor

Me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe në rajonin tonë, do të forcojmë bashkëpunimin, koordinimin dhe ndihmën e pakufizuar e të gjithanshme për Kosovën.

Do të forcojmë angazhimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, krahas mbështetjes së procesit të integrimit europian për vendin tonë, por edhe për të tjerët.

Këtë do ta bëjmë përmes bashkëpunimit rajonal, projekteve ndërkufitare dhe të gjitha nismave në kuadër të të cilave jemi të angazhuar, rreth 70 të tilla në planin rajonal, përfshirë më të rëndësishmen prej tyre, që është Procesi i Berlinit.

  1. Partneritetet strategjike dhe marrëdhëniet dypalëshe

Natyrisht, ne kemi marrëdhënie me të gjitha vendet. Kemi marrëdhënie miqësore, nuk kemi marrëdhënie të këqija me asnjë vend, por kemi marrëdhënie më të ngushta, përparësore, të cilat i quajmë marrëdhënie partneriteti strategjik, me një numër vendesh: SHBA-në, Italinë, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë.

Me Greqinë jemi angazhuar në një proces edhe më të imët diskutimi, bashkërendimi dhe dakordësie, për të bërë të mundur që e gjithë shporta e problemeve që janë ende në axhendën tonë dypalëshe të zgjidhet brenda një kohe sa më të shkurtër.

  1. Diplomacia shumëpalëshe dhe profili ndërkombëtar i Shqipërisë

Shqipëria beson, si vend i vogël, te multilateralizmi, te bashkëpunimi ndërkombëtar dhe te e drejta ndërkombëtare, e cila është garancia më e mirë për të mbrojtur të drejtat tona si vend i vogël në hapësirën ndërkombëtare.

Për këtë, do të vijojmë angazhimin aktiv në OKB, OSBE dhe Këshillin e Europës për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Do të avancojmë nismat që kanë të bëjnë me interesat shqiptare dhe kombëtare. Do të avancojmë kandidaturat e Shqipërisë aty ku i shohim të nevojshme dhe të dobishme për vendin.

Do të avancojmë gjithashtu kandidaturat e ekspertëve shqiptarë aty ku shohim se kemi vlerë të shtuar, duke propozuar kandidatët e duhur, si dhe duke promovuar atë që është gjithnjë e më e rëndësishme: diplomacinë publike, digjitale dhe, natyrisht, kulturore, në favor të imazhit tonë.

  1. Diplomacia ekonomike

Diplomacia ekonomike nuk është më thjesht një slogan. Nuk është thjesht një mjet në planet tona të punës, por duam ta lidhim diplomacinë ekonomike me aktivitetin tonë të përditshëm, me aktivitetin e përfaqësive tona diplomatike, në mënyrë të qenësishme, me interesat e zhvillimit të vendit.

Këtë do ta bëjmë duke promovuar eksportet tona. Duam që përfaqësitë tona të jenë në mënyrë të përhershme, të vazhdueshme dhe të pandërprerë të lidhura me nevojat e përfaqësimit ekonomik të vendit jashtë, përmes eksporteve, lidhjeve të ndryshme ekonomike dhe asaj që ka qenë gjithmonë, që është dhe do të jetë puna jonë si sistem i jashtëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

Por, mbi të gjitha, do të mundohemi të kapitalizojmë maksimalisht, duke qenë më të aftë, më të zotë dhe më të rrjetëzuar, në mënyrë që të mbështesim ekonominë tonë përmes aktorëve të tjerë ekonomikë, por edhe përmes potencialit ekonomik të diasporës.

  1. Diaspora dhe ruajtja e identitetit kombëtar

Do të zbatojmë atë që kemi diskutuar edhe më parë, Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, duke forcuar identitetin, marrëdhëniet arsimore, kulturore dhe ekonomike me bashkatdhetarët tanë dhe duke zgjeruar, në mënyrë të veçantë, mësimin e gjuhës shqipe.

Për këtë do të flas më në detaje më vonë, përmes nismës së re “Mësues për Italinë”, e cila vjen si shtesë pas asaj që kemi bërë me “Mësues për Greqinë”.

  1. Shërbimet konsullore dhe prania diplomatike virtuale

Prania diplomatike aty ku kemi mundësi të jemi fizikisht dhe prania virtuale aty ku nuk kemi mundësi, apo ku nuk kemi ende mjetet për të qenë të pranishëm fizikisht.

Sepse shërbimi konsullor është pjesë e rëndësishme e shërbimit publik dhe ne synojmë ta modernizojmë më tej, në mënyrë që prania konsullore të mos jetë vetëm përmes orarit apo në ditë të caktuara, por të jetë 24 orë, 7 ditë në javë.

Aty ku është e mundur, do të jemi të pranishëm fizikisht, sipas orarit dhe sipas veprimeve që kërkojnë praninë fizike, ndërsa aty ku është e mundur, do të krijojmë gjithnjë e më shumë hapësirë përmes pranisë virtuale.

  1. Fuqizimi institucional i Shërbimit të Jashtëm

Do të zbatojmë kuadrin e ri ligjor, ligjin që është miratuar përpara disa muajsh edhe në këtë Komision.

Do të profesionalizojmë më tej karrierën diplomatike, do të forcojmë Akademinë Diplomatike, e cila ka ekzistuar, por së cilës duam t’i japim një rol të qenësishëm, të vërtetë dhe real në formimin dhe trajnimin e diplomatëve tanë.

Do të forcojmë rrjetin e përfaqësive. Ju e dini që kemi hapur një numër përfaqësish të reja dhe do t’i përshtatemi maksimalisht nevojës që ka vendi, me mendësinë e të qenit vend anëtar i Bashkimit Europian, jo vetëm duke hapur përfaqësi të reja, por edhe duke forcuar ato ekzistuese.

Mbi të gjitha, një risi në aktivitetin tonë me jashtë do të jetë krijimi i Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndihmës Humanitare. Do t’i kthehem këtij elementi pak më në detaje.

Një buxhet rekord, me një përgjegjësi më të madhe për të sjellë rezultate

Projektbuxheti i MEPJ-së për vitin 2027 arrin shifrën rekord prej 3.9 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë euro.

Kjo përfaqëson një rritje prej 220.4 milionë lekësh, ose 6% krahasuar me vitin 2026.

Ky buxhet hartohet brenda një kuadri fiskal prej rreth 976 miliardë lekësh shpenzime publike për vitin 2027. Pesha e MEPJ-së është vetëm rreth 0.4% e këtij totali.

Është një peshë relativisht modeste në buxhetin e shtetit, por që financon disa prej objektivave më strategjikë të tij: integrimin europian, sigurinë, përfaqësimin ndërkombëtar, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shërbimin ndaj qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

Me buxhetin e vitit 2027, angazhojmë rreth 1.3 miliardë lekë për funksionimin e misioneve tona diplomatike.

Krahas tyre, 300 milionë lekë i dedikohen mbështetjes së agjendës diplomatike, diplomacisë publike dhe diplomacisë ekonomike, me një rol të shtuar dhe me një fokus të mirëpërcaktuar.

Sepse prania e Shqipërisë në botë duhet të prodhojë më shumë se përfaqësim. Duhet të prodhojë ndikim, marrëdhënie, imazh, investime dhe mundësi konkrete për vendin dhe qytetarët tanë.

Dhe, sidomos, mbështetje për prodhimin vendas, duke pasur parasysh edhe faktin që, pas disa vitesh, planet tona do të realizohen dhe Shqipëria do të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian. Ajo do të jetë në një konkurrencë edhe më të madhe me tregun e brendshëm.

Prandaj është e rëndësishme që sot të fillojmë të mendojmë se si do t’i promovojmë bizneset dhe produktet tona, në mënyrë që të jenë të përgatitura dhe konkurruese në një treg të madh, i cili shkon përtej asaj që kemi menduar deri më tani, siç është tregu rajonal.

Do të jemi në një treg me 450 milionë konsumatorë.

Për agjendën e Bashkimit Europian, të zhvilluar si nga qendra, ashtu edhe nga misionet tona jashtë vendit, kemi dedikuar 180 milionë lekë.

Për veprimtarinë diplomatike dypalëshe dhe shumëpalëshe të zhvilluar nga qendra, e cila, natyrisht, zhvillohet edhe nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera të hapësirës europiane, si dhe aty ku jemi të pranishëm, por edhe sidomos përmes organizatave ndërkombëtare, kemi vënë në dispozicion 220 milionë lekë.

Nuk duhet të harrojmë se është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, si vend i vogël, të jetë sa më e zëshme dhe të mbrojë interesat e saj edhe në forumet ndërkombëtare.

Ndërkohë, rreth 235 milionë lekë shkojnë për mbështetjen financiare të rolit të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe, për pjesëmarrjen aktive dhe përmbushjen me përgjegjësi të detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi ynë.

Në diplomaci, besueshmëria ndërtohet edhe duke respektuar angazhimet.

Një vend që kërkon të ketë zë në tryezat rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, duhet të jetë njëkohësisht një partner serioz dhe i besueshëm.

Kjo na sjell një detyrim të madh: të jemi sa më performues, në vend, në rajon, në Europë dhe në mbarë botën.

Një vëmendje e veçantë për kujtesën diplomatike si pasuri kombëtare

Ky buxhet sjell edhe një risi që lidhet me kujtesën institucionale të diplomacisë shqiptare.

Kemi filluar digjitalizimin e të gjithë arkivës historike të MEPJ-së. Një pjesë ka përfunduar, një pjesë është në proces dhe një pjesë do të realizohet vitin e ardhshëm.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kjo do të sigurojë, së pari, që të jemi më të sigurt për ruajtjen, në mënyrën më moderne të mundshme, të asaj që është pasuri jo vetëm si memorie e aktivitetit diplomatik të shtetit shqiptar, por edhe do ta bëjë më të thjeshtë dhe më të aksesueshme për këdo që do ta shfrytëzojë, qoftë për studime, qoftë për informacion.

Më shumë kapacitete për objektivin europian të vitit 2027

Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian gjatë vitit 2027.

Ky objektiv kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe kapacitete. Kërkon përfaqësim cilësor, koordinim institucional, i cili duhet të jetë i brendshëm, por kërkon edhe aftësi për të negociuar.

Kërkon aftësi për ta bërë të kuptueshme në Bruksel që ne nuk po hyjmë vetëm politikisht në BE, por po hyjmë me të gjitha institucionet, me kapacitetet, me ekipet negociatore dhe me aftësitë profesionale të administratës publike shqiptare.

Administrata publike shqiptare nesër do të duhet të mbrojë jo vetëm interesat e Shqipërisë, por do të duhet të mbrojë dhe të përfaqësojë edhe interesat europiane, sepse do të gjendemi në situatën kur janë interesat europiane ato që duhet të mbrohen në vende të ndryshme të botës.

Dhe do të jetë jo vetëm zëri, por edhe politika dhe aftësia e shqiptarëve, qofshin ata në Tiranë apo në Bruksel.

Për këtë arsye, projektbuxheti mbështet në mënyrë të veçantë forcimin e misionit tonë pranë Bashkimit Europian, i cili nuk është i vetmi, por është qendra e parë e përballimit të barrës së negociatave, të mirëinformimit dhe të ndarjes së informacioneve.

Personeli i këtij misioni do të dyfishohet brenda këtij viti dhe mendoj se, brenda vitit të ardhshëm, do të kemi po ashtu një rritje substanciale të numrit të punonjësve, jo vetëm nga Shërbimi i Jashtëm, por edhe nga pjesë të ndryshme të administratës publike, në përputhje me ecurinë e negociatave dhe me detyrimet që kemi për t’iu përgjigjur dhe për të mbrojtur interesat tona pranë Bashkimit Europian.

Në tërësi, do të fuqizojmë rrjetin diplomatik.

E thashë dhe është shumë e rëndësishme që ne duhet të punojmë që sot me mendësinë e një vendi të ardhshëm anëtar të BE-së dhe me përgjegjësinë e përfaqësimit të interesave tona të përbashkëta.

Kjo do të thotë që edhe cilësia e përfaqësimit tonë diplomatik duhet të ngrihet në nivelin e ambicies europiane të Shqipërisë.

Rritja e fondeve për rrjetin jashtë vendit është 161.7 milionë lekë, ndërsa për investimet në këtë rrjet parashikohen 30 milionë lekë.

Kur them investimet, kam parasysh investimet që kanë të bëjnë me komunikimin e sigurt, me mënyrën për të lehtësuar komunikimin dhe ndërveprimin me përfaqësitë tona.

Kemi një nevojë të madhe për të ripërtërirë mënyrën e komunikimit dhe për ta përshtatur me praktikat europiane, të cilave do t’u bashkohemi në një kohë të shkurtër.

Zgjedhja jonë është e qartë: të fuqizojmë praninë e Shqipërisë aty ku zhvillohet dialogu, ku ndërtohen interesat e Shqipërisë, pra interesat kombëtare, ku ndërtohen rrjetëzimet dhe aleancat.

Aty ku kemi miq, por edhe bashkëpunëtorë, me të cilët duhet të ndajmë atë që kemi të përbashkët, apo të diskutojmë, debatojmë, të biem dakord ose jo për çështje që kërkojnë më shumë punë.

Por, mbi të gjitha, duke ndërtuar bashkërisht atë që është e përbashkët: të ardhmen tonë në Bashkimin Europian.

Nuk synojmë thjesht një rrjet diplomatik që funksionon.

Dhe kjo është një nga angazhimet e mia, së bashku me kolegët e mi, me diplomatët e karrierës dhe me të gjithë ata që janë të investuar në të njëjtin mision: të kemi një rrjet diplomatik që jo vetëm na përfaqëson, por që prodhon rezultate.

Rezultate që duken, shihen dhe shkojnë në interes të vendit dhe qytetarëve.

Nga vend përfitues në vend kontribuues

Për 35 vjet, Shqipëria ka përfituar nga ndihma, solidariteti dhe mirëkuptimi i të tjerëve.

Kemi edhe sot programe bashkëpunimi nga vende, institucione apo organizata ndërkombëtare.

Duam ta kthejmë gradualisht këtë trend, duke u bërë, me mendësinë e një vendi anëtar, një vend për të cilin është normë që të fillojë që tani të mendojë se si t’ua shpërblejë të tjerëve solidaritetin me solidaritet dhe ndihmën me ndihmë.

Jo vetëm vend përfitues, por edhe kontribuues.

Këtë do ta bëjmë përmes Agjencisë.

Do të jetë një nismë e parë modeste, me një buxhet prej 32.5 milionë lekësh për Agjencinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndihmës Humanitare.

Natyrisht, do të fillojmë së pari me programe bashkëpunimi në hapësirën rajonale, duke u fokusuar fillimisht në hapësirën mbarëshqiptare, aty ku kemi komunitetet shqiptare, aty ku ka më shumë nevojë dhe aty ku mund të ndihmojmë e të ndërtojmë.

Natyrisht, nuk do të kufizohemi vetëm aty dhe, me kalimin e viteve, do të kemi një hapësirë më të gjerë për të ndikuar dhe për të ndihmuar edhe në vendet e tjera të rajonit.

Sigurisht, është një instrument i ri që është duke u ndërtuar dhe do të ndjekë hapat e miratimit, si çdo element tjetër i ngjashëm.

Por mbështetet në tre parime, të cilat do të jenë të panegociueshme.

E para, do të ketë prioritete të qarta: çfarë do të bëjmë dhe çfarë ndikimi e rezultati presim.

E dyta, transparenca në përdorimin e fondeve, meqenëse janë fonde që përdoren jashtë vendit.

Dhe, absolutisht, e treta, rezultate të verifikueshme.

Të gjitha këto do të jenë të qartësuara në mënyrën se si ndërtohet Agjencia, si vepron dhe cilët janë elementet zbatues dhe monitorues.

“Mësues për Italinë”: gjuha si lidhje me vendin, atdheun dhe trashëgiminë

Në vitin 2027 parashikojmë gjithashtu zgjerimin e nismës, të cilën deri më tani e kemi pasur me Greqinë, për ta shtrirë edhe në Itali.

Pas përvojës së projektit “Mësues për Greqinë”, i cili ka rezultuar shumë i suksesshëm, shteti shqiptar paguan mësues të certifikuar, të cilët punojnë në shkolla dhe ushtrojnë në mënyrë të certifikuar profesionin e nderuar të mësuesit, me një pagë mujore për secilin prej tyre.

Këtë projekt e kemi pasur në Greqi. Kemi marrë kohën e duhur për të parë se si ka funksionuar, si ka ecur, çfarë rezultatesh ka dhënë dhe sa ka qenë ndihmës për shkollat dhe nxënësit.

Jemi të bindur se është një nismë e mirë, e suksesshme dhe që duhet shtrirë sa më tej. Për këtë arsye, do ta shtrijmë edhe në Itali.

Sigurisht, do të mundohemi ta shtrijmë sa më shumë të jetë e mundur dhe në përputhje me mundësitë që do të kemi.

E dimë që nevojat janë më të mëdha sesa mundësitë, por është gjithmonë një proces negocimi se ku do të shkojnë paratë dhe ku janë nevojat parësore.

Kjo është një nga ato elemente që kemi identifikuar së bashku me Ministrinë e Arsimit, si një nga elementet ku duhet të vazhdojmë të investojmë, duke zgjeruar rrethin e përfituesve.

Gjuha shqipe është elementi i parë dhe një nga urat më të forta mes fëmijëve të diasporës dhe vendit, atdheut, kulturës e trashëgimisë.

Nëse ruajmë gjuhën, do të jemi më të suksesshëm edhe në ruajtjen e elementeve të tjerë që janë të lidhur me gjuhën.

Ky angazhim lidhet drejtpërdrejt me Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2026–2030.

Prania diplomatike shqiptare jashtë vendit

Si mund të jemi sa më pranë qytetarëve?

Është një drejtim i ri i pranisë sonë, përmes asaj që është e mundur tani, përmes teknologjisë, të cilën ne e kemi quajtur prani virtuale.

E kemi të pamundur të jemi fizikisht kudo ku do të donim të ishim.

Do të bëjmë maksimumin për të qenë atje ku është absolutisht e nevojshme dhe e domosdoshme, atje ku ndërthuren interesat tona, atje ku kemi komunitetet tona dhe atje ku shohim se ka mundësi për të punuar më shumë.

Por nuk do t’ia dalim asnjëherë të jemi të pranishëm kudo ku duhet.

Në këtë mënyrë, po ndërtojmë një prani virtuale, e cila është e pranishme 24 orë për këdo që jo vetëm do të informohet, jo vetëm do të dijë më shumë për Shqipërinë, jo vetëm do të marrë informacionin në kohë për gjithçka që ka të bëjë me interesin, qoftë për udhëtim, turizëm apo mundësi eksplorimi, por mbi të gjitha për shërbimet.

Kemi ndërtuar një asistent virtual për vizat, meqenëse, kur të hyjmë në Bashkimin Europian, progresivisht do të kemi një regjim të rishikuar të vizave.

Por do të duam ta bëjmë në një formë të tillë që të mos ketë asnjë ndërprerje në situatën kur një numër qytetarësh nga një grup vendesh, të cilët sot vijnë pa viza, nesër do të vijnë me viza.

Tranzicioni duhet të jetë sa më i qetë, në mënyrë që të mos ndikojë në mobilitetin e turistëve dhe në numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

Këtë do ta bëjmë duke mundësuar që pothuajse të gjitha shërbimet konsullore, përveç atyre strikt të cilat kërkojnë praninë fizike dhe elementet biometrike, të jenë online, 24 orë.

Jo thjesht ato që kemi sot, duke shkuar në përfaqësi, por duke i thjeshtuar, duke i bërë më të lehta, më të shpejta dhe më të aksesueshme.

Këtë do ta bëjmë përmes teknologjisë.

Projektbuxheti parashikon 9 milionë lekë për investime në sisteme dhe programe kompjuterike, si dhe 30 milionë lekë investime në rrjetin diplomatik.

Objektivi është që teknologjia të shkurtojë distancën mes qytetarit dhe shtetit.

Qytetarët tanë, por edhe shtetasit e huaj, duhet të kuptojnë më lehtë se çfarë shërbimi u nevojitet, çfarë dokumentesh duhet të përgatisin dhe ku duhet të drejtohen.

Një Shërbim i Jashtëm në lartësinë e ambicies së vendit

E fundit fare, por jo nga rëndësia, ka të bëjë me mënyrën se si e duam Shërbimin e Jashtëm sot dhe nesër.

Si e duam Shërbimin e Jashtëm në cilësinë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe në lartësinë e kërkesave, pjekurisë së shoqërisë dhe ambicies që ka vendi dhe shoqëria?

Kjo ka të bëjë me atë që ne gjithmonë e quajmë reformë.

Fjala reformë duhet të kuptohet thjesht si një kërkesë për më shumë, për më mirë, për më shpejt; si një kërkesë për përmirësim dhe jo thjesht si një ndryshim për të bërë ndryshim.

Viti 2027 synon zbatimin e plotë të ligjit të ri nr. 24/2026 “Për Shërbimin e Jashtëm”.

Pra, një ligj që është miratuar së fundmi në këtë Komision dhe, natyrisht, një numër aktesh nënligjore, një pjesë e të cilave janë procesuar dhe një pjesë janë duke u përfunduar, të cilat do ta bëjnë ligjin të zbatueshëm sa më parë.

Ritmi i procesit të integrimit europian kërkon një Shërbim të Jashtëm që ecën me të njëjtin ritëm, që është absolutisht jo vetëm i informuar dhe i angazhuar, por që është edhe i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që ka si pjesë e administratës publike, për të bërë të mundur që interesat tona në çdo hapësirë, në çdo cep, në çdo kryeqytet, në çdo vend të hapësirës europiane, të mbrohen në lartësinë e duhur, në lartësinë e ambicies, kërkesës, nevojës dhe asaj që duam të arrijmë të gjithë së bashku.

Kjo kërkon një strukturë institucionale të aftë, të pajisur me shkathtësitë e nevojshme, që është e ndërgjegjshme për rolin që merr, që nuk mbron vetëm Shqipërinë, por mbron Shqipërinë, shqiptarët dhe interesat kombëtare.

Dhe mbron edhe interesat europiane, kur të na vijë radha.

Kështu që na duhet një diplomaci me njerëz aktivë, të cilët nuk shkojnë në përfaqësi për të kaluar radhën dhe për të marrë gradën e radhës, por shkojnë për të përfaqësuar vendin, për të lartësuar interesat tona, për t’i mbrojtur dhe për t’i bërë ato sa më të lidhura me zhvillimin dhe kërkesat e vendit.

Thjesht, kjo nuk bëhet vetëm me rritjen e personelit, e cila është parashikuar, sepse do të kemi nevoja më të mëdha.

Kam përshtypjen se, në harkun e buxhetit afatmesëm, ne do të kemi nevoja më të mëdha për përfaqësim më të mirë, aty ku do të shohim se kemi kërkesa shtesë.

Këto janë duke u diskutuar.

Kemi një rritje të vogël të personelit për vitin e ardhshëm, e cila u përgjigjet kërkesave kryesore të përfaqësisë në Bruksel, por do të mundohemi t’i argumentojmë sa më mirë, për të materializuar të gjitha kërkesat tona në dy-tre vitet e ardhshme.

Sepse investimi më i rëndësishëm në diplomaci është investimi te njerëzit që përfaqësojnë Shqipërinë.

Zoti Kryetar,

Këto ishin ato që kisha për të ndarë me ju dhe dua ta mbyll duke thënë se vlera e buxhetit nuk gjykohet as nga lartësia, sa miliardë lekë apo sa milionë euro, as nga sa fonde shpenzohen, por do të gjykohet nga rezultatet që arrijmë me aq sa kemi në dispozicion.

Do të gjykohet nga kapaciteti që ndërtojmë, nga projektet që realizojmë, nga interesat që mbrojmë dhe nga cilësia, e cila është shumë e rëndësishme, e shërbimit për qytetarët dhe nga aftësia për mbrojtjen e interesave të vendit.

Kështu që çdo gjë që do të përdorim nga buxheti i shtetit do të duhet, dhe do të bëjmë të pamundurën, që të shkojë atje ku na duhet, për më shumë kapacitete në funksion të interesave dhe planeve të përbashkëta të punës dhe, në fund të fundit, të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave tona kombëtare.

Faleminderit!

.