Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë me Márton Hajdu, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, dhe Dr. Ildikó Éva Sopov, Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë, që nga ratifikimi i hershëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit deri në fazën aktuale të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve, përmes angazhimit më aktiv të grupeve parlamentare të miqësisë dhe shkëmbimeve konkrete të përvojave në fushën e së drejtës së BE-së dhe procesit të anëtarësimit.

Në këtë drejtim, u theksua se forcimi i dialogut ndërmjet komisioneve parlamentare përbën një kontribut të rëndësishëm në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për avancimin dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.

Ministri Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të parlamenteve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, përmes miratimit të reformave, mbikëqyrjes së zbatimit të tyre dhe ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit, duke i dhënë procesit një legjitimitet më të gjerë demokratik dhe duke e mbajtur integrimin evropian pranë qytetarëve.