Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 16 dhe 17 nëntor 2026, në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, u zhvillua Dialogu i Nivelit të Lartë “Ballkani Perëndimor në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”, me pjesëmarrjen e Zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino. Veprimtaria e organizuar nga Shkolla e Firences për Qeverisje Transnacionale, pjesë e Institutit Universitar Evropian (EUI), mblodhi diplomatë dhe zyrtarë nga vendet e rajonit.

Në qendër të dialogut ishte forcimi i konkurrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor dhe afrimi i ekonomive të rajonit me tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Diskutimet u përqendruan te roli i Korridorit VIII dhe i projekteve të tjera të ndërlidhjes në lehtësimin e tregtisë, si dhe te ndikimi i ndryshimeve demografike dhe i lëvizshmërisë së fuqisë punëtore në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Dialogu vuri në pah edhe rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë, Italisë dhe Institutit Universitar Evropian për formimin profesional të diplomatëve dhe zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin rajonal në procesin e integrimit evropian.