Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti Ambasadorin e ri të Izraelit në Shqipëri, Sh.T.Z. Ohad Nakash Kaynar.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan mbi mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh dhe forcimin e miqësisë së hershme mes Shqipërisë dhe Izraelit, të mbështetur në respektin e ndërsjellë dhe lidhjet e thella historike mes dy popujve dhe shoqërive.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua hapave konkretë për zbatimin efektiv të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, të nënshkruar muajin e kaluar, me synimin për t’i kthyer angazhimet e përbashkëta në veprime konkrete dhe rezultate të prekshme në fusha me interes të ndërsjellë.

Ministri Hoxha i përcolli Ambasadorit Kaynar urimet më të mira për një mandat të suksesshëm dhe përmbushjen me sukses të misionit të tij, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe zhvillimit të partneritetit të tyre në të ardhmen.