Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Napoli, Itali, 19–21 nëntor 2026 – Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kevin Bufi, mori pjesë në edicionin e 12-të të forumit ndërkombëtar MED Mediterranean Dialogues, të zhvilluar në Pallatin Mbretëror të Napolit, nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe Institutit Italian për Studime Politike Ndërkombëtare (ISPI).

Gjatë diskutimeve me përfaqësues të vendeve të rajonit, në fokus ishte roli strategjik i Adriatikut si portë drejt tregjeve evropiane dhe nyjë lidhëse mes Italisë, Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërlidhjes rajonale.

Në ndërhyrjen e tij, Zëvendësministri Bufi theksoi rëndësinë e avancimit të Korridorit VIII, forcimit të ndërlidhjes në transport dhe energji, si dhe nevojën për ta përkthyer bashkëpunimin rajonal në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, Bufi riafirmoi objektivin e Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda vitit 2027 dhe gatishmërinë për të avancuar drejt hartimit të Traktatit të Anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas propozimit të Komisionit Evropian.

Ai nënvizoi se paqja, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian mbeten shtylla themelore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët dhe të qëndrueshme.

Në margjinat e forumit, Zëvendësministri Bufi zhvilloi gjithashtu një takim me homologun armen, Vahan Kostanyan. Biseda u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Armenisë, zgjerimin e mundësive për bashkëpunim ekonomik dhe përgatitjen e raundit të ardhshëm të konsultimeve politike dypalëshe.