Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në prag të 114-vjetorit të Pavarësisë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, çeli sot në MEPJ ciklin e ligjëratave dhe aktiviteteve të Akademisë Diplomatike kushtuar historisë dhe personaliteteve të diplomacisë shqiptare.

Akademia ua kushtoi ligjëratën e parë vëllezërve Mehmet dhe Faik Konica. I ftuar për të folur për ta ishte gazetari, publicisti dhe autori Ilir Ikonomi. Ministri Hoxha veçoi dy kontribute të vëllezërve Konica. Përmes revistës Albania, Faiku e bëri çështjen shqiptare të njohur në Evropë. Mehmeti e mbrojti atë përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër, si pjesë e delegacionit shqiptar.

“Shteti shqiptar dhe diplomacia e tij lindën në të njëjtën ditë”, u shpreh Ministri Hoxha. Ai kujtoi se, që me shpalljen e Pavarësisë, përfaqësuesve të shtetit të ri iu desh të mbronin të drejtat e Shqipërisë edhe në konferenca ku shqiptarët nuk ishin gjithmonë të ftuar. “Ishte diplomacia e një vendi të vogël, që shpesh pati të drejtën në anën e vet, por jo fuqinë”, theksoi ai.

Duke iu referuar Shqipërisë së sotme, anëtare e NATO-s dhe gjithnjë e më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Ministri nënvizoi se aftësia për të krijuar besim, për të ndërtuar aleanca dhe për të gjykuar se çfarë i shërben interesit afatgjatë të vendit mbetet thelbësore për diplomatët shqiptarë.

“Përmes këtij cikli synojmë të njohim jo vetëm ngjarjet dhe dokumentet, por mbi të gjitha njerëzit, idetë, përpjekjet dhe zgjedhjet që kanë formësuar rrugëtimin diplomatik të Shqipërisë”, u shpreh Ministri Hoxha.