Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vizitoi Fondacionin e Paqes “Martti Ahtisaari”, një organizatë e pavarur finlandeze e dedikuar për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe ndërmjetësimit.

Ministri Hasani shprehu mirënjohjen për rolin ndikues të Presidentit Ahtisaari në Kosovë dhe rajone të tjera, duke theksuar trashëgiminë e tij se përmes ndërmjetësimit dhe diplomacisë mund të arrihet paqja.

Ai diskutoi gjithashtu programet e mundshme të partneritetit me MPJ-në finlandeze dhe bashkëpunimin me qeveritë e tjera, duke u fokusuar në fushat prioritare fondacionit, siç janë roli i grave dhe risitë dixhitale në ruajtjen e paqes.

MEPJ Igli Hasani zhvilloi një takim me Ministrin për Çështjet Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Anders Adlercreutz.

Ai falenderoi Finlandën për ndihmën e deritanishme teknike dhe kërkoi mbështetjen e vazhdueshme për përgatitjen e institucioneve të Shqipërisë për negociatat me BE-në.

Ministri Hasani theksoi rëndësinë e adresimit të masave të përshkruara në Udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit, një pikë referimi kyçe për bazat e grupeve në pritje të miratimit nga Këshilli.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se Shqipëria është mirënjohëse ndaj Finlandës për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj politikës së zgjerimit të BE-së dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.