Dialogu Politik: Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë janë marrëdhënie të fqinjësisë së mire, si dy vende anëtare në NATO, me interesa jetike të përbashkëta, që ndajnë vlerësimin se marrëdhëniet ndërmjet tyre janë me rëndësi strategjike në rajon.
Edhe pse zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë u rivendosën në datën 6 maj 1971, marrëdhëniet tona me Greqinë janë shumë më të hershme, me lidhje të forta historike dhe njerëzore.
Greqia ka mbështetur dhe është shprehur zyrtarisht në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria e konsideron Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner në rrugën e saj drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian.
Të dyja palët vlerësojnë dhe angazhohen për trajtimin, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara e largët apo e vonë dhe për gjetjen e zgjidhjeve të mirë pranuara mes palëve.
Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh. Tregues është zhvillimi i shumë takimeve në nivele të ndryshme, në të cilat është rënë dakord për caktimin e një agjende konkrete bashkëpunimi, si dhe vazhdimi i ecurisë së mirë grupeve të punës për probleme të ndryshme me interes reciprok. Të dyja palët po punojnë për të çuar më tej përparimin e bërë gjatë viteve të kaluara në kuadrin e mekanizmit dypalësh.
Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti i madh i emigrantëve shqiptarë në Greqi, përbëjnë ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Shqiptarët që jetojnë në Greqi, përfaqësojnë komunitetin më të madh të të huajve atje, duke qenë një faktor i rëndësishëm që kontribuon, jo vetëm në jetën e atij vendi, por edhe të marrëdhënieve tona.
Duke e konsideruar minoritetin grek, si një vlerë të shtuar të vendit tonë, Shqipëria vijon të jetë tërësisht e angazhuar në drejtim të respektimit dhe mbrojtjes të të drejtave të pakicave kombëtar. Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm kuadrin ligjor të politikave për mbrojtjen e minoriteteve, duke miratuar në tetor 2017 një ligj specifik për mbrojtjen e tyre, mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare, përmes një procesi gjithëpërfshirës konsultimi, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri.
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Greqia vazhdon të jetë një ndër partneret më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë. Për vite me radhë ajo ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe në investimet e huaja direkte. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë ka qenë e orientuar drejt saj, duke bërë që ekonomitë e të dyja vendeve të jenë të lidhura mes tyre. Të dyja vendet kanë interesa reciproke për zhvillim, thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit në shumë fusha me interes ekonomik.