Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 21 janar 2026, në Tiranë, u zhvilluan konsultime diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Sllovenisë.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, znj. Megi Fino, ndërsa delegacioni slloven u drejtua nga Sekretarja e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë, znj. Neva Grašič.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen mendime mbi perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë theksin në forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor. Në këtë kuadër, u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Gjithashtu, konsultimet u fokusuan në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe sfidat aktuale me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Të dyja palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për vijimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv, në funksion të avancimit të prioriteteve të përbashkëta dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Këto konsultime konfirmuan frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit reciprok, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për forcimin e partneritetit dypalësh dhe adresimin e sfidave rajonale dhe globale.