Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Washington, D.C. – Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali zhvilloi një sërë takimesh në Washington, me fokus forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi i parë u zhvillua me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC). Gjatë takimit u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rolin e ri të Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes. U theksua se përfaqësimi i Shqipërisë në këtë iniciativë të Presidentit Trump e pozicionon vendin tonë si një kontribuues aktiv në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe forcon më tej bashkëkoordinimin me aleatin tonë strategjik SHBA-në.

Palët ndanë vlerësimin se Bordi i Paqes do të shërbejë si një mekanizëm veprimi, i orientuar drejt parimeve dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve.

Shqipëria riafirmoi gjithashtu angazhimin për të qenë krah SHBA-së si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, duke reflektuar kontributin e saj si një vend që promovon stabilitet dhe siguri.

Gjatë takimit, Ministrja konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për zhvillimin e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik Shqipëri–SHBA, me synim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjetik dhe zhvillimor.

Në vijim, Ministrja Spiropali u takua me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Brian Mast. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, pjesëmarrja në misione të përbashkëta ushtarake dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euro-atlantike të Kosovës, u vlerësuan si elementë kyç të marrëdhënieve dypalëshe.

Ministrja zhvilloi, gjithashtu, takime me Kongresmenin Ritchie Torres, Bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, si dhe me z. William R. Keating, Anëtar i Lartë i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme të Kongresit Amerikan. Gjatë këtyre takimeve u vlerësua vëmendja e vazhdueshme e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe u nënvizua rëndësia e rolit konstruktiv të Shqipërisë në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit demokratik në rajon.