Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Uashington, 5 shkurt 2026 – Në diskutimin e fundit të Këshillit Atlantik mbi perspektivat gjeopolitike të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, një mesazh kryesor doli me qartësi: zgjerimi nuk është më një proces teknik apo burokratik, por një domosdoshmëri strategjike. Në mjedisin gjeopolitik të sotëm, të karakterizuar nga lufta në Europë, konkurrenca e ringjallur mes fuqive të mëdha dhe presionet hibride në rritje nga aktorë keqdashës, Ballkani Perëndimor ka kaluar nga periferia e debatit politik në vijën e parë të sigurisë evropiane.

Në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së nuk është një akt bamirësie, nostalgjie apo shtrirjeje administrative. Ai përfaqëson një investim strategjik në stabilitet, qëndrueshmëri demokratike dhe siguri afatgjatë euro-atlantike.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, SH.S. znj. Elisa Spiropali, theksoi se rajoni duhet të shihet tashmë si një vijë e parë e konkurrencës për sigurinë evropiane. Vonesat në procesin e zgjerimit jo vetëm që ngadalësojnë integrimin institucional, por krijojnë edhe boshllëqe strategjike që mund të shfrytëzohen nga ndikime destabilizuese. Në këtë kuadër, zgjerimi duhet të funksionojë si një instrument sigurie, duke forcuar qëndrueshmërinë institucionale, qeverisjen demokratike dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe NATO-s në të gjithë rajonin.

Njëkohësisht, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në merita dhe i besueshëm. Vendet që demonstrojnë reforma institucionale të vazhdueshme, pavarësi gjyqësore, përparim në sundimin e ligjit dhe përputhshmëri të politikave duhet të avancojnë progresivisht. Në të njëjtën kohë, duhet shmangur që përshpejtimi për disa të kthehet në një ngadalësim të vazhdueshëm për të tjerët. Reforma duhet të jetë e integruar, shoqërore dhe e pakthyeshme jo simbolike apo episodike.

Ambasadori Philip Reeker theksoi një tjetër dimension thelbësor: zgjerimi nuk është i rëndësishëm vetëm për vendet kandidate, por është po aq kyç për vetë Bashkimin Europian dhe aleancën më të gjerë transatlantike. Përfundimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor forcon kohezionin e NATO-s, rrit qëndrueshmërinë demokratike dhe konsolidon një arkitekturë të qëndrueshme të sigurisë evropiane, në një kohë kur pasiguria gjeopolitike është në rritje. Nga perspektiva e Uashingtonit, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE përfaqëson një investim strategjik afatgjatë në parashikueshmërinë rajonale dhe unitetin perëndimor.

Një tjetër temë që dominoi fuqishëm diskutimin ishte besueshmëria. Për më shumë se dy dekada, qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë dëgjuar të njëjtat mesazhe për të ardhmen e tyre evropiane. Sot, ruajtja e besimit publik kërkon përparim të prekshëm, afate kohore më të qarta dhe komunikim më të fortë mbi përfitimet e zgjerimit si strategjike, ashtu edhe ekonomike  për vetë vendet anëtare të BE-së.

Në fund të fundit, debati mbi zgjerimin nuk ka më të bëjë me pyetjen nëse Ballkani Perëndimor i përket Europës, por nëse Europa do ta përdorë zgjerimin si instrumentin gjeopolitik të domosdoshëm në këtë moment historik. Një proces i besueshëm zgjerimi, që ecën përpara, jo vetëm që do ta transformonte rajonin, por do të forconte Bashkimin Europian, do të përforconte sigurinë transatlantike dhe do të demonstronte se angazhimet strategjike të ndërmarra në kohë pasigurie mund dhe duhet të përmbushen.

Mesazhi nga diskutimi ishte i qartë: zgjerimi nuk është një çështje bujarie, por e strategjisë, besueshmërisë dhe sigurisë afatgjatë evropiane.